• e mërkurë, 01 prill 2026
MIA Flesh

09:00 / 31 mars / 2026 

Shkup - Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit sot do ta mbajëë seancën e 30-të, ku në rend të ditës janë disa pika, mes të cilave edhe Raporti vjetor për punën e KSHPK-së për vitin 2025. Anëtarët e komisionit duhet ta shqyrtojnë edhe raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë kombëtare për pengimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave 2021-2025 për periudhën 01.01.2025 deri 31.12.2025, si dhe raportin përfundimtar për zbatimin e Strategjisë kombëtare për pengimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave 2021-2025 për tërë periudhën pesëvjeçare.

Shkup – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç bënë të ditur nga Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, ajo do ta presë presidentin malazez me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoninë në Vilën “Vodno”. Pastaj do të vijojë takim sy më sy i presidentëve, si dhe mbledhje plenare e delegacionit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. 

Shkup – Nën moton “Integritet, reforma, drejtësi”, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Prokurorëve Publikë organizojnë ngjarje solemne për shënimin e 31 Marsit – Ditës së Gjyqësisë. Në ngjarjen në ndërtesën e PPRMV-së, fjalime hyrëse, siç është bërë e ditur do të kenë prokurori i ri publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nenad Saveski; zëvendëskryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Marjana Ilieska dhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, Elvin Veli. 

Shkup - Avokati i popullit do ta prezantojë Raportin vjetor për shkallën e sigurimit të respektimit, avancimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtat e njeriut në vitin 2025. Raportin, siç u paralajmërua, në konferencë për shtyp do ta prezantojë avokati i popullit, Faton Selmani. 

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me të reshura të përkohshme lokale të shiut. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi verilindor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 5, ndërsa ajo maksimale prej 10 deri 15 gradë, kumtoi DPHM-ja. Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me kushte për të reshura të përkohshme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet deri 4, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 13 gradë.

Dubai - Një tanker u përfshi nga flakët në afërsi të Ngushticës së Hormuzit pasi u godit nga një raketë e panjohur, pas çka nuk ka të lënduar në ekuipazh dhe nuk ka dëme të raportuara ndaj mjedisit jetësor, kumtuan dje Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO). Tankeri ndodhej 31 milje detare (57,4 km) në veriperëndim të Dubait kur raketa goditi anën e saj të djathtë, kumtuan Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO). Anijet komerciale janë ekspozuar ndaj sulmeve me raketa ose dronëve shpërthyes ajrorë dhe detarë në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt.

Xhuba - Sulmues të armatosur kanë vrarë 73 persona në një minierë ari në Sudanin e Jugut, kumtuan dje përfaqësuesit qeveritarë, në një dhunë të lidhur me një mosmarrëveshje rreth nxjerrjes së arit. Sulmet ndodhën të shtunën në afërsi rë Xhebel Irakut në shtetin jugor të Ekuatorisë Qendrore, deklaroi zëvendëskryetari Xhejms Vani Iga. Të paktën 25 të tjerë u plagosën, ndërsa disa u larguan nga vendi i ngjarjes. Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa kërkimi për personat e zhdukur vazhdon.

Kiev - Dy persona janë vrarë, ndërsa më shumë se 20 janë lënduar në sulme ruse ndaj pjesës veriore dhe qendrore të Ukrainës, kumtuan autoritetet rajonale. Në rajonin rreth qytetit Poltavas, një person e ka humbur jetën, ndërsa tre janë lënduar kur mbi ta kanë rënë mbetje të dronëve, me ç'rast u dëmtua edhe një ndërtesë, njoftoi guvernatori rajonal Vitalij Dijaknivniç në rrjetin social "Telegram".

Tel Aviv – Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) njoftuan se katër ushtarë u vranë në luftëra në jug të Libanit. Gjatë kësaj, armata i publikoi emrat e tre të vdekurve, të gjithë në moshën prej rreth 20 vjet, duke shtuar se “edhe një ushtar është vrarë”, por ende nuk është lejuar publikimi i identitetit të tij. Në incidentin e njëjtë një ushtar është plagosur rëndë, ndërsa një tjetër më lehtë. IDF për momentin nuk publikoi detaje shtesë për ngjarjen. 

Uashington - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio i ka kritikuar Spanjën dhe aleatët tjerë në NATO për përkrahjen e kufizuar në luftën me Iranin, duke sugjeruar se Uashingtoni ndoshta do ta rivlerësojë aleancën pas konfliktit, njoftoi DPA. Rubio tha se SHBA-ja ka konfirmuar se Spanja, anëtare e NATO-s, të cilën ata janë të obliguar ta mbrojnë, e ka refuzuar shfrytëzimin amerikan të hapësirës së saj ajrore dhe është mburrur me këtë, sipas transkriptit nga deklaratat për "Al Xhezira" të publikuar nga departamenti i tij të hënën. Ai po ashtu tha se Uashingtoni u ballafaqua me rezistencë gjatë shfrytëzimit të bazave ushtarake në Spanjë dhe vendet tjera.

QËNDRONI TË LIDHUR