12:00/31 mars/2026
Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski sot në aeroportin e Shkupit e ka pritur presidentin e Republikës së Malit të Zi, Jakov Milatoviq. Presidenti Milatoviq qëndron për vizitë zyrtare në vend me ftesë të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. "Gjatë dy ditëve të ardhshme, presidenti Milatoviq do të realizojë disa takime bilaterale me kreun shtetëror të Maqedonisë së Veriut, dedikuar përforcimit të bashkëpunimit, me fokus në zhvillimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian", thonë nga Ministria.
Shkup – Në vend sot shënohet Dita e Gjyqësisë, datë e cila e bart simbolikën e pavarësisë institucionale dhe themelet e para të sistemit gjyqësor në vend. Në këtë ditë në vitin 1945, KAÇKM e miratoi Kartën mbi Organizimin e Gjykatave të Rregullta Popullore, me çka ishin themeluar 25 gjykata të qarkut, tri gjykata rajonale në Shkup, Shtip dhe Manastir dhe Gjykata Supreme – shtylla e parë qendrore e sistemit gjyqësor në Maqedoninë Federale të atëhershme. Dita e gjyqësisë është përkujtuese se sundimi i drejtësisë fillon pikërisht në gjykata.
Shkup – Një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve në vend informohen dhe ndjekin përmbajtje përmes televizionit (72,4%) dhe rrjeteve sociale (69,4%) – tregon hulumtimi mbi opinionin dhe qëndrimet e publikut lidhur me mediat, i realizuar nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale (ASHMAA), që nga 27 dhjetori deri më 25 janar është zbatuar nga “Market Vision” tek 1.200 të anketuar. Përmbajtjet e “Sitel”, “Kanal 5”, “Alsat M” dhe “Telma” janë në krye të listës së televizioneve më të shikuara ndër qytetarët. Sa i përket radiove, gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se nuk dëgjojnë radio, ndërsa tek të tjerët më të dëgjuarat janë “Antena 5”, “Kanal 77” dhe Radioja e Maqedonisë – Programi i Parë.
Shkup - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, sot, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdon gjykimi kundër tre nënpunësve policorë të akuzuar nga Koçani për veprimet e tyre gjatë kontrolleve të lidhura me diskotekën "Puls". Në fillim të gjykimit, tre të akuzuarit deklaruan para Gjykatës se nuk ndihen fajtorë për akuzat që rrjedhin nga veprimet e tyre gjatë kontrolleve që lidhen me diskoteken "Puls" në Koçan, ku më 16 mars të vitit të kaluar, humbën jetën 63 persona në një zjarr, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.
Bruksel – Qeveritë e Bashkimit Evropian duhet të përgatiten për ndërprerje afatgjate të tregjeve energjetike si rezultat i luftës me Iranin, i porositi sot ministrat e vendeve anëtare komisari për Energjetikë i BE-së, Den Jorgensen, para mbledhjes së jashtëzakonshme. Në letrën dërguar ministrave, Jorgensen tha se pasojat për furnizimin me energji në Evropë për momentin janë nën kontroll, por se qeveritë janë “inkurajuar të ndërmarrin përgatitje në pritje të shkelje potenciale afatgjate”.
Kiev – Ukraina vendos partneritete të sigurisë – mbrojtjes me shumë vende të Gjirit Persik, deklaroi presidenti Volodomir Zelenski, duke theksuar “marrëveshje historike” me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin. Zelenski në video paraqitjen e tij të natës pas kthimit nga vizita në Lindjen e Mesme dhe shtete të Gjirit, deklaroi se Ukraina bashkëpunon edhe me Jordaninë dhe Kuvajtin, si dhe se ka interes për bashkëpunim edhe në Bahrejn dhe Oman.
Teheran - Tre pesona janë vrarë, ndërsa 12 janë lënduar dhe dërguar në spital pas sulmit ajror ndaj një kompleksi fetar në qytetin Zanxhan në pjesën veri-perëndimore të Iranit. Sipas mediave zyrtare iraniane, në bombardim janë dëmtuar një ndërtesë administrative, objekt shërbimi (restorant/kafene), një bibliotekë dhe objekte përreth. Një video e publikuar tregon një ndërtesë plotësisht të shkatërruar, rrënoja dhe tym, ndërsa vetë xhamia, sipas pamjeve, nuk është godiutr.
Pekin - Dy anije për transport të kontenjerëve të kompanisë kineze "COSCO Shipping" kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe janë larguar nga Gjiri Persik. Sipas të dhënave nga sistemet e gjurmimit të anijeve, anija "Oqeani Indian" kaloi përmes ngushticës dje në orën 9:14 sipas orës së Grinçit, ndërsa "Oqeani Arktik" kaloi 27 minuta më vonë.
Nju Jork – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë takim urgjent sot pas vdekjes së tre paqeruajtësve indonezianë në Libanin jugor ku vazhdojnë konfrontimet ushtarake midis Izraelit dhe lëvizjes proiraniane Hezbollah. Takimi u thirr me kërkesë të Francës, ndërsa është planifikuar të fillojë në orën 13 sipas kohës së Evropës Qendrore, në një kohë kur Izraeli i ka urdhëruar ushtrisë së tij të zgjerojë një "zonë sigurie" në Liban ku po kryen sulme intensive dhe një ofensivë tokësore.
Uashington – Qindra pjesëtarë të forcave speciale të ushtrisë amerikane kanë arrit në Lindjen e Mesme, bëjnë të ditur mediat amerikane. Sipas publikimeve nga "Njujork Tajms" dhe "Si-Bi-Es" që thirren në burime ushtarake dhe njerëz të njohur me operacionin, vendosja përfshin anëtarë të "renxherëve", një njësi elitare e forcave tokësore amerikane, si dhe njësi të marinës. Forcat e sapoardhura i bashkohen mijëra marinsave dhe parashutistëve që tashmë janë vendosur në rajon.
Cyrih - Presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino, deklaroi se organizata nuk ka plane rezervë për pjesëmarrjen e përfaqësueses iraniane në Kupën botërore në SHBA, Kanada dhe Meksikë. "Jetojmë në botën reale dhe e kuptojmë sa e vështirë është situata për përfaqësuesen iraniane, por punojmë dhe do të sigurohemi që ata të luajnë ndeshjet e tyre në Kupën botërore në kushtet më të mira të mundshme. Nuk ka plan B, C ose D - vetëm plan A. Jetojmë në një kontekst kompleks gjeopolitik dhe nuk mund t'i zgjidhim këto probleme, por kemi aftësinë të bashkohemi dhe të krijojmë kushtet që bota të bashkohet në një atmosferë paqeje dhe festimi", deklaroi Infantino.
Rio de Zhaneiro - Trajneri i reprezentacionit të futbollit të Brazilit, Karlo Ançeloti beson se ekipi duhet të përmirësohet në mbrojtje. "Padyshim që duhet të përmirësohemi. Kemi ide të qartë se çfarë duam të bëjmë në Kupën e Botës. Duhet të qëndrojmë të qetë, sepse i gjithë stafi i trajnerëve dhe Konfederata braziliane e futbollit janë të bindur se jemi në rrugën e duhur dhe në vendin e duhur. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë deri më tani. Jemi në një fazë të mirë të këtij udhëtimi. Do të jemi gati për ndeshjet më të rëndësishme të Kupës së Botës", tha Ançeloti.