12:00 / 11 nëntor / 2024 /
Shkup - Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova po qëndron në Baku, Republikë e Azerbajxhanit me rastin e pjesëmarrjes në Samitin botëror të liderëve në kuadër të Konferencës së 29-të të palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike - KOP29. Në kuadër të pjesëmarrjes në samit, presidentja Siljanovska Davkova, siç kumtuan sot nga kabineti i saj, do të mbajë fjalim në mbledhjen e parë plenare dhe është paraparë të mbajë disa takime bilaterale me shefat e shteteve dhe qeverive, si dhe takime me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, sot do të qëndrojë për vizitë pune në Tiranë, Shqipëri në kuadër të së cilës janë parashikuar takime të ndara me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani si dhe me ministren shtetërore dhe kryenegociatoren e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Duka.
Shkup - Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në kuadër të delegacionit të lartë shtetëror të kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, po merr pjesë në Konferencën e 29-të të Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike COP29 në Baku të Azerbajxhanit. Në delegacion është edhe nënkryetari i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Shkup - Me 50 milionë eurot shtesë që siguruam përmes një marrëveshjeje me Bankën Evropiane të Investimeve, po ndërmarrim një hap tjetër për të përmirësuar kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa përjashtime. Siç vepruam më parë, me fondin prej 100 milionë eurosh, këto mjete nuk do të shpërndahen vetëm për disa komuna, por për të gjitha pushtetet lokale pa dallime. Qeveria përmes Ministrisë së Ambientit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor i kthen mjetet nga buxheti qendror dhe ato do të shpërndahen sipas metodologjisë përkatëse si subvencione të pakthyeshme për komunat.
Shkup - Alternativa mbajti takime me strukturat dhe aktivin e partisë në degët e Vrapçishtit dhe Tearcës, nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet,” duke diskutuar për situatën aktuale politike, transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje si pjesë e koalicionit VLEN. Fjalë përshëndetëse mbajtën kryetarët e degëve të Vrapçishtit dhe Tearcës, z. Bejtulla Demiri dhe z. Arian Hakiki, nënkryetari Afan Elezi, zëvendësministrja e Sportit Safije Sadiku Shaini, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës pr. Lulzim Aliu, deputetja Imerlije Saliu, Sekretari organizativ Bashkim Murtezi dhe Sekretari i përgjithshëm Amir Elezi.
Shkup - Në Berovë mëngjesin e sotëm ka qenë më ftohtë me temperature që kanë shkuar deri -6 gradë dhe sipërfaqe të borës prej 1 centimetër. Këtë mëngjes -5 janë matur në Kodrën e Diellit, -3 në Lazaropole, -2 gradë Celsius në Hanet e Mavrovës, Krushevë dhe Kriva Pallankë, -1 gradë në Shkup-Petrovec, Tetovë dhe Shtip, 1 gradë në Strumicë, Manastir, Demir Kapi dhe Kumanovë, 2 në Shkup-Zajçev Rid, Prilep, Kavadar dhe Vinicë, 3 Veles dhe 4 gradë në Pretor dhe Ohër.
Shkup - Gjatë fundjavës së kaluar, ekipet e "NP" Higjiena Komunale - Shkup realizuan aktivitete për largimin e dhjetëra deponive të egra të vendosura në komunat Çair, Qendër, Kisella Vodë, Aerodrom dhe Karposh të Shkupit. Në komunën Çair është intervenuar në rrugën Samoilova, ku në afërsi të Muzeut të artit bashkëkohor janë ngritur përafërsisht 15 metra kub mbetje ndërtimore të hedhura në sipërfaqe të trafikut.
Dellçevë - Rajoni i Maleshevisë dhe Pijanecit sot në mëngjes është nën mbulesën e borës e cila është më e shprehur në viset më të larta. Në qytetin e Dellçevës dhe fshatrat përreth sipërfaqja e borës është minimale, ndërsa reshje bore sot ka pasur edhe në komunat Makedonska Kamenicë, Berovë dhe Pehçevë. "Rrugët janë të kalueshme, ndërsa komunikacioni për momentin po zhvillohet pa probleme. Apelojmë që të respektohet sinjalizimi në komunikacion dhe të respektohen kushtet e rrugës", theksuan nga njësia rajonale "Rrugët e Maqedonisë".
Strumicë - Zjarri i madh i cili shpërtheu dje pasdite në malin e Bellasicës në terren vështirë të qasshëm mbi fshatin Smorale është lokalizuar dhe është vënë nën kontroll, informojnë nga NJTZ Strumicë. Sipas komandantit Aleksandar Gudev, në një sipërfaqe më të madhe është prekur një pyll me kërcell të lartë, ndërsa në shuarjen e zjarrit përveç zjarrfikësve kanë marrë pjesë edhe ekipe të "Pyjeve të Maqedonisë".
Amsterdam - NATO vazhdon të ketë avantazh ushtarak ndaj Rusisë edhe krahas armatimit së sërishëm nën presidentin Vlladimir Putin, tregon një studim i publikuar sot nga Grinpis (Greenpeace). “Analiza e aftësive ushtarake të aleancës perëndimore dhe Rusisë “nuk lë dyshim për epërsinë e përgjithshme ushtarake të NATO-s, të dyja palët kanë barazi vetëm në aspektin e armëve bërthamore”, theksojnë Herbert Uolf dhe Kristofer Shtajnmec, autorë të studimit.
Berlin - Kancelari gjerman, Olaf Sholc dje ka realizuar bisedë telefonike me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën gjeopolitike. "Kancelari federal, Olaf Sholc ka biseduar në telefon me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp ku edhe njëherë personalisht e ka uruar për fitoren në zgjedhje. Ka biseduar për marrëdhëniet gjerman-amerikane dhe sfidat aktuale gjeopolitike", deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Stefan Gebeshrajt.
Bruksel - I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi se këtë javë do të përqëndrohet tërësisht në ndjekjen e marrëveshjes së arritur në takimin e fundit të kryenegociatorëve në Bruksel. “Për t’u kthyer në fushën time kryesore të punës, do ta nis javën në Gjenevë me diskutime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Kjo javë gjithashtu do të fokusohet plotësisht në ndjekjen e asaj që u ra dakord gjatë takimit tonë të fundit të kryenegociatorëve", ka shkruar Lajçak në Fejsbuk.
Londër - Në takimin e sotëm në Paris mes kryeministrit të Francës, Emanuel Makron dhe kryeministrit britanik, Kir Starmer do të diskutohet për mundësitë për të bindur presidentin në largim të SHBA-së, Xho Bajden që t'i lejojë Ukrainës të lansojë raketa "Storm shedou" (Storm shadow) ndaj Rusisë, publikoi gazeta britanike Telegraf. Burime anonime nga Qeveria britanike deklaruan për Telegrafin se shpresojnë që Bajden më në fund të japë miratimin, të cilin Kievi e ka kërkuar prej muajsh.
Kiev - Asnjë projektil rus sot nuk ka arritur në Ukrainë, pasi forcat ajrore ukrainase kanë shpallur alarm për shkak të numrit të madh të bombarduesve, të cilët kanë fluturuar nga territori rus për herë të parë pas më shumë se dy muajve. Ushtria ukrainase ka pritur sulm masiv rus, ndërsa Ukraina në mënyrë parandaluese e ka ndërprerë rrymën dhe u ka bërë thirrje banorëve të largohen në strehimore.
Uashington - Miliarderi amerikan, Ilon Mask me siguri nuk do të jetë në administratën e ardhshme të Donald Trampit, ndërsa në të njëjtën kohë rritet ndikimi i tij tek presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot Si-En-En, duke iu referuar shumë burimeve. Kanali televiziv amerikan përkujton se Maskit publikish iu ofrua të udhëheqë me komisionin për efikasitet për uljen e shpenzimeve në qeverinë federale amerikane.