12:00/6 nëntor/2024
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e uroi Donald Trampin për zgjedhjen e tij si president të SHBA-së. "Urime të përzemërta për zgjedhjen e Donald Trampit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumë suksese në kryerjen e detyrës së tij me përgjegjësi", thuhet në postimin e presidentes në Fejsbuk. Ajo theksoi se Maqedonia si mike dhe partnere e dëshmuar e SHBA-së, do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet amerikane dhe globale për paqe, stabilitet dhe siguri, bazuar në nevojën për drejtësi, respektim të së drejtës ndërkombëtare, liri dhe dinjitet njerëzor në botë.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski personalisht dhe në emër të qytetarëve, i dërgoi urime presidentit Donald Tramp për fitoren e tij në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Kjo fitore është një vërtetim i besimit të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Me padurim presim thellimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit tonë të fuqishëm, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformave demokratike", publikoi në profilin e tij në Fejsbuk kryeministri Mickoski.
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në urimin e publikuar në profilin e tij në Fejsbuk, Gashi thekson se ky moment domethënës pasqyron forcën e demokracisë amerikane. "Maqedonia e Veriut ka qenë dhe do të mbetet një aleate e fortë e politikave zhvillimore dhe stabilizuese të Shteteve të Bashkuara. Angazhimi i palëkundur i SHBA-së për sigurinë, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kyçe të politikës sonë të jashtme dhe një burim i vazhdueshëm mbështetjeje.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). "Urime të sinqerta presidentit Donald Tramp për rizgjedhjen e tij! SHBA-ja mbetet aleati më i madh i vendit tonë. Si zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, shpreh gatishmërinë tonë të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara", shkruan Mexhiti në urimin e tij postuar në Fejsbuk.
Shkup - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka uruar popullin amerikan dhe presidentin e 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Sytë e gjithë botës janë drejtuar kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u votua për presidentin e 47-të të vendit prijës të botës demokratike. Votuesit amerikan u përcaktuan për një rikthim mbresëlënës të presidentit Tramp në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Uroj popullin amerikan dhe presidentin Tramp për zgjedhjen e tij të sotme dhe ndaj bindjen që përqëndrimi amerikan në Ballkan do të vazhdojë të jetë i fortë si gjithmonë për t’i zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura midis vendeve të Evropës juglindore”, shkruan Ahmeti.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në Fejsbuk dërgoi urim për Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA. "Urime për presidentin Tramp për fitoren e tij në zgjedhje! Me padurim pres të punoj me mikun tim më të mirë Riçard Grenell dhe me administratën e Trampit për ta avancuar vizionin tonë të përbashkët për paqe dhe prosperitet global. Së bashku, mund të ndërtojmë partneritet të fortë dhe të nxisim ndryshime pozitive në skenën ndërkombëtare", shënoi Mucunski në profilin e tij në Fejsbuk.
Shkup - Sistemi efikas gjyqësor ka një rol kyç në sundimin e ligjit, së bashku me cilësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov në hapjen e sesionit të 15-të të Konventës nacionale të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Filkovi theksoi se sistemi gjyqësor efikas është kyç për sundimin e ligjit dhe për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Shkup - Nga sot deri më 8 nëntor, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel, ku do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga organizata “Miqtë e Evropës”, dedikuar situatës në Bashkimin Evropian dhe politikave për tejkalimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme. Zgjerimi i BE-së është tema e panelit të diskutimit, për të cilën do të referojë ministrja Dimitrieska-Koçoska mbi reformat që e presin vendin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe që janë përfshirë në përmbajtjen e Agjendës reformuese të miratuar së fundmi, duke theksuar përforcimin e përcaktimit të Qeverisë për zbatimin e saj.
Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe ia ka uruar fitoren tanimë presidentit të SHBA-së, Donald Tramp. "Në emrin tim dhe në emër të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, ia uroj fitoren në zgjedhje presidentit të SHBA-së, Donald Tramp. Jam i bindur se nën udhëheqjen e tij partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe do të thellohet", thotë Filipçe në urim.
Strugë - Digjet bezisteni i lokalizuar në qendër të Strugës në bërthamën e vjetër të qytetit. Në terren janë katër automjete të Njësitit territorial zjarrfikës Strugë me dhjetëra zjarrfikës. Sipas informacioneve të para në terren, bëhet fjalë për zjarr të madh. Arsyet nuk dihen.
Shkup - Në Berovë në mëngjes është më ftohtë - 5 gradë, në Ohër, Vinicë dhe Gjevgjeli 4 gradë Celsius. Në Shkup-Petrovec, Tetovë dhe Manastir janë matur - 2 gradë, -1 në Demir Kapi, Veles, Hanet e Mavrovës dhe Lazaropole, 0 gradë në Kumanovë, Kriva Pallankë, Prilep dhe Strumicë, 1 gradë është matur në Shkup-Zajçev Rid, Shtip, Kavadar, Krushevë dhe Kodra e Diellit, 3 gradë Celsius në Pretor, 4 në Ohër dhe Vinicë. Gjatë natës do të mbisundojë mot i kthjellët, njoftoi DPHM, ndërsa në mëngjes është me diell, vetëm në rajonet jugperëndimore dhe juglindore ka paraqitje lokale të vranësirave.
Zagreb - Liderët e Ballkanit sot uruan kandidatin e Partisë Demokratike Donald Tramp me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar mirëpriti fitoren e Donald Trampit dhe konfirmoi përkushtimin e vendit të bashkëpunojë me SHBA-në për ballafaqimin me sfidat globale. "Familja jonë transatlantike dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar përballen me shumë sfida sot, ndërsa lidershipi juaj në ballafaqimin me to është vendimtar. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një botë më demokratike, më të sigurt dhe të gjelbër", shënoi Pirc Musar në urim.
Bruksel - Kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen uruan fitoren e kandidatit republikan Donald Tramp në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA. "Urime për presidentin e sapozgjedhur Donald Tramp. BE-ja dhe SHBA-ja kanë aleat të përhershëm dhe lidshmëri historike. Si aleatë dhe miq, BE-ja me padurim pret ta vazhdojë bashkëpunimin tonë konstruktiv", theksoi Mishel në urimin e publikuar në Iks. Në postim ai më tutje shton se BE-ja do ta vazhdojë kursin e saj në përputhje me agjendën strategjike si një partner i fortë, i bashkuar, konkurrues dhe sovran në mbrojtjen e sistemit multilateral të bazuar në rregulla.
Bruksel - Deklaratat në Kosovë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vetëm "non-pejper", zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i vlerësoi si mosrespektim të thirrjes së Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili bazuar në këtë propozim “evropian”, po lëvizë drejt formimit të Asociacionit. Stano tha se obligimi i Kosovës është formal, ajo u pranua në dialogun me negociatat nga viti 2013 dhe 2023, u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e shumicës, ndërsa propozimi "“në parim” u pranua nga krerët e Prishtinës dhe Beogradit.
Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc sot e ka uruar Donald Trampin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe porositi se dy vendet do të vazhdojn të punojnë së bashku për të mirën e qytetatëve të saj. "Gjermania dhe SHBA-ja gjatë kohë kanë punuar me sukses që të promovojnë prosperiet dhe liri në të dyja anët e Atlantikut. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë", tha Sholc në rrjetin social X. Tramp shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe hynë në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të amerikan, i cili do të jetë mandati i tij i dytë.
Paris - Presidenti i Francës Emanuel Makron e uroi Donald Trampin, duke i'u drejtuar si presidenti i SHBA-së, me mesazh se është "i gatshëm të punojnë së bashku" sikur para katër viteve, gjatë mandatit të tij paraprak. "Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet", shënoi presidenti francez në rrjetin X. Trampi paraprakisht në mëngjes shpalli fitore në zgjedhjet në SHBA.
Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot uroi fitoren e kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Tramp dhe tha se beson në vazhdimin e mbështetjes së fortë të këtij vendi për Ukrainën. "Gëzohemi në epokën e SHBA-së së fortë nën udhëheqësinë e presidentit Tramp. Besojmë në vazhdimin e mbështetjes së fortë, dypartiake për Ukrainën në SHBA", tha ai, transmeton Ukrinform. Zelenski përkujtoi në takimin me Trampin që u mbajt në shtator, ku detajisht është biseduar për temat e partneritetit strategjik ndërmjet Ukrainës dhe SHBA-së, Plani për fitore dhe mënyrat e përfundimit të luftës. Ai e theksoi vlerën e rolit të SHBA-së në sigurimin e stabilitetit afatgjatë politik dhe ekonomik.
Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova sot tha se deklaratat e Donald Trampit për ndërprerjen e konfliktit në Ukrainë duhet ndjekur me hapa konkretë. Zaharova për televizionin “Rusia 24” tha se deklaratat e Trampit duhet ndjekur me veprime konkrete ku do të fokusohen të gjitha palët. Sipas saj, Tramp e kuptoi se SHBA-ja duhet t'i zgjidhë problemet e saja të brendshme, transmetojnë mediat ruse.
Gazë - Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha se kandidati republikan Donald Tramp, i cili sot fitoi në zgjedhjet presidenciale në SHBA, do të testohet për pohimet e tij se mund t'i japë fund luftës në Gaza për disa orë pas marrjes së detyrës. "E ftojmë Trampin të mësojë nga gabimet e presidentit Xhozef Bajden", tha Abu Zuhri. Donald Trampi sot shpalli fitore të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Jerusalem - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot e ka shprehur kënaqësinë e tij nga suksesi i Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe e uroi kandidatin republikan për "rikthimin më të madh në histori"."Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron fillim të ri për Amerikën dhe përkushtim të fuqishëm të aleatit të madh Izrael dhe Amerikan. Kjo është fitore e madhe!", porositi kryeministri izraelit në mesazhin për Trampin.
Pekin - Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë çështje e brendshme e këtij vendi, ndërsa Kina e respekton zgjedhjen e popullit amerikan, deklaroi sot zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Mao Ning. "Politika jonë ndaj SHBA-së është konzistente, do të vazhdojmë t'i shqyrtojmë marrëdhëniet kinezo-amerikane dhe të menaxhojmë me to në bazë të parimeve të respektimit të ndërsjellë, bashkëjetesës së qetë dhe aksioneve të përbashkëta të dobishme", tha Mao.
Palm Biç - Do ta ndihmojmë vendin tonë që të rikuperohet, deklaroi sot kandidati presidencial republikan Donald Tramp. Ai iu drejtua mbështetëve të tij në Palm Biç, të cilëve u premtoi se do "t'i përmirësojë kufinjtë", duke shtuar se ai dhe partia e tij kanë shënuar historinë me arsye. "Amerika na ka dhënë një mandat të fuqishëm dhe të pa precedentë. E kemi khyer kontrollin mbi Senatin - kjo është mirë", tha Tramp.
Palm Biç - Pas shpalljes së fitores së kandidatit republikan Donald Tramp në zgjedhjet presidenciale amerikane, miku i tij dhe mbështetës i hapur, multimiliarderi Ilon Mask në rrjetin e tij social X shkroi shkurt "E ardhmja do të jetë fantastike". Mask gjatë gjithë kohës në fushatë e ka mbështetur publikisht kandidati republikan Donad Tramp dhe ka qenë në mënyrë aktive i kyçur në fushatën e tij. Trampi në gusht paralajmëroi se do t'i ofrojë Maskut punë në administratën e tij nëse fiton në zgjedhjet presidenciale.
Uashington - Liderët botërorë kanë uruar sot kandidatin e Partisë Republikane, Donald Tramp me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Urime presidentit Donald Tramp. Unë jam gati të punojmë së bashku, siç kemi bërë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat, me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe progres”, ka shkruar presidenti i Francës, Emanuel Makron në profilin e tij në rrjetin X. Kryeministri britanik Keir Starmer në urimin e tij theksoi se marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe SHBA-së do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses, duke theksuar se ai "pret me padurim të bashkëpunojë me Trampin në vitet e ardhshme". Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni në mesazhin e saj të urimit ka shkruar se Italia dhe SHBA-ja janë “vende simotra”.
Uashington – Bazuar në projeksionet momentale të Si-En-En-it, gjithnjë e më të vogla janë gjasat që zëvendëspresidentja Kamala Haris të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ish presidenti Donald Tramp ka 266 vota elektorale, ndërsa Harisi ka 188, parashikon Si-En-En. Kjo nënkupton që Trampi duhet të fitojë vetëm katër vota elektorale për të siguruar funksionin e presidentit.
Uashington - Nënpresidentja e SHBA-së Kamala Haris fitoi në Konektikat, vlerëson Si-En-En. Në Konektikat në pyetje janë shtatë vota zgjedhore. Nevojiten të paktën 270 vota elektorale për fitore në zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhjet në vitin 2020 në këtë shtet fitoi presidenti aktual amerikan Xho Bajden. Sipas vlerësimeve të deritanishme, republikani Tramp ka 266 vota elektorale, ndërsa kandidatja e Demokratëve Kamala Haris 195.
Uashington - Reagime nga mbarë bota pasi "Foks njuz" shpalli fitoren e parashikuar të republikanit Donald Tramp në shtetin e Pensilvanisë. "Urime për presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zoti ju bekoftë", shkroi presidenti i El Salvadorit, Naib Bukele në "X". Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i cili ka mbështetur hapur përpjekjet e ish presidentit Tramp për t'u kthyer në Shtëpinë e Bardhë shkroi në Fejsbuk se Trampi është "rrugës drejt një fitoreje të bukur".