
09:00/26 mars/2025
Shkup - Qeveria ka miratuar shtatë amendamente të ligjeve me të cilat fillojmë luftën kundër mafies administrative. Me këto ndryshime, këto kontrolle bëhen të detyrueshme të paktën dy herë në vit në çdo gjashtë muaj dhe mundësisht më shpesh, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, ankimimi nuk do ta vonojë ekzekutimin. Në sistemin e deritashëm këto kontrolle nuk janë paraparë fare dhe ajo që bëjmë me kontrollet e bëjmë me vullnet të mirë, thekson zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në emisionin "Zaspij ako mozhesh" në Tv Alfa. Qëllimi ynë, thekson Nikolloski, nuk është ndëshkimi, por krijimi i një sistemi efikas demokratik ku ata që vullnetarisht kanë kërkuar licenca duhet ta respektojnë ligjin në vazhdimësi.
Shkup – Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Në seancën e kaluar gjyqësore ishte marrë në pyetje i akuzuari Boro Videvski i cili deklaroi se nën torturë fizike ishte i detyruar të nënshkruajë deklaratë me të cilën do të duket fajtor dhe se pas rrahjes me shkop druri e detyruan të thotë se e njihnin babanë e vajzës. Videvski ishte marrë në pyetje nga ana e avokatit të tij, ndërsa marrja e tij në pyetje duhet të vazhdojë edhe sot. Më parë ishte marrë në pyetje i akuzuari Velibor Manev i cili në hollësi e sqaroi grabitjen e Vanjës dhe Pançes, me çka theksoi se koordinator dhe ekzekutues i vrasjeve ishte Palevski. Ai theksoi se pas vrasjes së Pançes, ka vazhduar me grabitjen e Vanjës për shkak të frikës dhe kërcënimeve ndaj tij dhe familjes së tij.
Shkup - Qendra për zhvillimin e mediave sot organizon një panel-diskutim në të cilën do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i punës së bartësve të vendimeve dhe organeve rregullatore në fushën e shërbimeve mediatike audiovizive në vitin 2025. "Qendra për zhvillimin e mediave monitoron vazhdimisht aktivitetet vendimmarrëse në fushën e shërbimeve mediatike audiovizive dhe mediave në përgjithësi, në radhë të parë Ministria e Transformimit Digjital, si dhe organet rregullatore në fushën e shërbimeve mediatike audiovizive, gjegjësisht Këshilli i ASHMAA-së dhe Këshilli programor i shërbimit të transmetimit publik RTM. Gjetjet nga monitorimi publikohen në raporte tremujore, të cilat pastaj publikohen në ueb faqen e Qendrës për zhvillimin e mediave, ëëë.mdc.org.mk, me rekomandime për tejkalimin e mangësive dhe problemeve të konstatuara", njoftojnë nga Qendra për zhvillimin e mediave.
Shkup - Kryetarja e Rotari International, Stefani Urçik ndodhet për vizitë dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i vizitës është informimi për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, si dhe për projektet që komuniteti Rotari në vend po i realizon për të mbështetur komunitetin, duke përfshirë projekte për përkrahjen e viktimave të zjarrit të fundit në Koçan. Gjithashtu, do të zhvillohen më shumë takime me Rotarianët për të ndarë udhëzimet për veprimin dhe zbatimin e aktiviteteve mbështetëse dhe ndihmëse, si dhe vizita të pranimit të ndihmave për të prezantuar punën e komunitetit Rotari në vend.
Shkup – Nën sloganin “Inspirim për çdo shtëpi” prej sot e deri më 30 mars do të mbahet “Panairi i mobilieve 2025” në kompleksin “Boris Trajkovski” në Shkup. Panairi i mobilieve këtë vit do të organizohet në katër zona speciale: oborr dhe kopsht, aksesorë për shtëpinë dhe ndriçimin, mobilie dhe dizajn i brendshëm dhe artizanat dhe industri të ngjashme, me çka do tu mundësohet vizitorëve më lehtë t’i zbulojnë trendet më të reja dhe të gjejnë gjithçka që është e nevojshme për rregullimin e shtëpisë ose hapësirës së punës.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme shiu. Vende-vende do të mbajë mot jostabil ku reshjet do të jenë të rrëmbyeshme, të shoqëruara me shtrëngata dhe erëra të forta. Temperaturat minimale do të lëvizin në intervalin prej 6 deri në 11, ndërsa maksimalja do të arrijë në 13 deri në 19 gradë. Në Shkup kryesisht vranësira me reshje të kohëpaskohshme shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 10, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 16 gradë.
Gazë – Dy gazetarë, korrespondenti i së përditshmes japoneze Asahi Shimbun dhe reporteri i Al Xheziras, kanë humbur jetën gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, raportojnë mediat. Asahi Shimbun njoftoi se korrespondenti Mohamed Mansur (29 ) u vra në shtëpinë e tij në Kan Junis në pjesën jugore të Gazës, ndërsa Al Xhezira identifikoi viktimën e dytë, korrespondentin e saj, 23-vjeçarin Hosam Shabat. “Sulmet ndaj civilëve, përfshirë gazetarët, nuk janë kurrë të pranueshme në asnjë rrethanë”, shkruan e përditshmja japoneze.
Bejrut - Më shumë se 21.000 persona janë larguar nga Siria në Libani fqinj pas përleshjeve të palës siriane në fillim të marsit, njoftoi sot KB-ja. Sipas raportit, Komisari i lartë i KB-së për refugjatët (UNHCR) regjistroi arritjen e 21,637 personave nga Siria në Liban. UNHCR-ja citon të dhënat nga autoritetet lokale dhe Kryqi i Kuq libanez, duke përfshirë edhe më shumë se 390 familje libaneze.Tensionet në Sirinë perëndimore filluan më 6 mars në një fshat në provincën Latakia, pasi forcat e sigurisë arrestuan një person pas një urdhërarresti.
Riad – Rusia dhe Ukraina u morën vesh që t’i ndërpresin armiqësitë në Detin e Zi, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë, duke bërë të ditur hollësi nga bisedimet e mbajtura në Arabinë Saudite. SHBA-ja kumtoi se arritën marrëveshje të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë që të sigurohet lundrim i sigurt në Detin e Zi dhe të zbatohet ndalesë për sulme ndaj objekteve energjetike në të dyja vendet. Të dyja vendet u pajtuan se “do të garantohet siguria e lundrimit në Detin e Zi, se do të përmbahen nga përdorimi i forcës dhe se do të parandalojnë përdorim të anijeve komerciale për caqe ushtarake”, njoftoi qeveria amerikane, e cila ndërmjetësonte në bisedime.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se është e mundur që Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin ta "zvarrisin" marrëveshjen për paqe me Ukrainën. "Mendoj se Rusia dëshiron t'i japë fund kësaj, por atç mund edhe të zvarriten", tha Tramp mbrëmë në një intervistë për "Njuzmaks", duke shtuar se gjatë karriersës së tij në biznes, ai vetë "e ka bërë këtë me vite". Ai theksoi se mendoj se Rusia megjithatë dëshiron të përfundojë konflikti në Ukrainë, ndërsa edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të dëshironte që lufta të përfundojë këtë moment.
Uashington - Këshillari për siguri kombëtare i presidentit amerikan Majk Volc, i cili qëndron prapa gabimit spektakolar të sigurisë të ndërlidhur me sulmet amerikane në Jemen, deklaroi mbrëmë se e ndërmerr përgjegjësinë pasi që një gazetar ka qenë pjesë e grupit, të cilin ai e ka krijuar në rrjetin Signal. "E marr përgjegjësinë e plotë. Unë e ka krijuar atë grup", tha Majk Volc pr Foks njuz në intervistën e tij të parë që kur u zbulua se gazetari ishte vendosur gabimisht në një bisedë grupore me zyrtarë të lartë ku po shpërndahej informacioni për sulmin ndaj huthëve në Jemen. Volc sugjeroi se ai mund të ketë pasur një numër telefoni të regjistruar për gazetarin që mendonte se i përkiste dikujt tjetër.