• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Nëse ka nevojë do të reagojë Qeveria, por riparimi i defektit me ujin në Shkup është përgjegjësi e NP "Ujësjellës dhe Kanalizim"

Mexhiti: Nëse ka nevojë do të reagojë Qeveria, por riparimi i defektit me ujin në Shkup është përgjegjësi e NP

Shkup, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, thotë se nëse ka nevojë, Qeveria do të ndërhyjë, por se kompetenca për riparimin e defektit i cili do të lërë pa ujë të shtunën pjesën më të madhe të kryeqytetit i takon Ndërmarrjes Publike "Ujësjellës dhe Kanalizim".

"Tendenca e Qeverisë është të forcojë decentralizimin dhe ju e dini se kjo Qeveri tashmë ka filluar të ndajë një miliard euro për komunat. Pra, nuk është tendencë e Qeverisë për centralizim. Ne do të marrim masa, por këto janë kompetencat e  NP "Ujësjellës dhe Kanalizim" dhe kryetares së qytetit të Shkupit Danella Arsovska, ashtu siç kemi marrë masa me transportin publik, por mendoj se është koha që ata të tregojnë dhe të dëshmojnë se decentralizimi duhet të forcohet, jo gjithë kohën të nxitet Qeveria", tha sot Mexhiti.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dje në një deklaratë për media tha se pret që sanimi i defektit të përfundojë brenda 24 orëve dhe se nuk do të ketë nevojë për dorëzim të ujit. Mbyllja e një prej tubacioneve kryesore të furnizimit me ujësjellësin kryesor, siç theksoi ajo, bëhet një herë në 50-60 vjet dhe është vonuar për më shumë se një dekadë.

"Ky defekt është një nga katër defektet që do të riparohen dhe që do të përfundojnë gjatë fundjavës, të përgatitur nga personat teknikë të ndërmarrjeve publike të Shkupit sipas planit që të bëhet sa më shpejt që të mos ketë nevojë për dorëzim të ujit, sepse nuk do të duhet asgjë më shumë se sa nje riparim i rregullt i çdo defekti që kemi në qytet. Të gjithë ata që për arsye politike apo të tjera duan të krijojnë pasiguri apo frikë tek popullata, i bëj apel që të mos e bëjnë këtë, sepse shërbimet që punojnë në qytet dhe sipas studimit që kemi përgatitur për gjendjen me tubacionet, mendoj se absolutisht do të përfundojë brenda 24 orëve", tha Arsovska.

Sipas informacioneve të NP "Ujësjellës dhe Kanalizim", ndërprerja e ujit do të fillojë nga ora 22:00 të premten. Ujë do të kenë banorët e Çairit, Butelit, Radishanit, Rrugës së Plastikave deri te Ambasada Amerikane, Vizbegu, Bardovci, Zhelezara, Zona e Lartë e Autokomandës, Gjorçe Petrovi nga SP Planet, Saraj, Shutkë, Fushë Tophanë, rruga Novoselski, lagjja Dame Gruev, Kisella Jabuka, Stopanski dvor, Vollkova dhe Ormani. Përdoruesit e tjerë do të mbeten pa ujë.

Për riparimin e defektit do të ndërpritet uji nga tubacioni kryesor i qytetit F-1600. Nga NP "Ujësjellës dhe Kanalizim" njoftojnë se do të rregullohen edhe tre defekte të mbyllësve përgjatë tubacionit kryesor, përkatësisht në shtrirjen nga rrethrrotullimi në Gjorçe Petrov deri te kryqëzimi i bulevardit "Partizanski Odredi" dhe rruga "Nikolla Parapunov". sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR