• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: E përshëndesim vendimin e Departamentit të Shtetit, Ali Ahmeti është koha të pranosh se gabove

Mexhiti: E përshëndesim vendimin e Departamentit të Shtetit, Ali Ahmeti është koha të pranosh se gabove

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i cili është pjesë e Koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, sot në konferencë për media vlerësoi se vendimi i Departamentit të Shtetit për vendosjen e Artan Grubit në të a.q. listën e zezë është konfirmim për angazhimet e drejta të koalicionit, dhe i bëri thirrje anëtarësisë së BDI-së që ta braktisin siç thotë, anijen e cila po fundoset. 

“Gjatë ditës së djeshme ishim dëshmitarë të një tjetër konfirmimi të korrektësisë së angazhimeve, vendimeve dhe veprimeve tona politike. U vërtetua se indikacionet dhe kërkesat tona për të luftuar korrupsionin ishin të drejta dhe të sakta. Vendimi i Departamentit të Shtetit amerikan për të vendosur Artan Grubin në të ashtuquajturën listë të zezë që ia ndalon hyrjen në SHBA është dëshmi se gjithçka që thamë ishte e drejtë dhe ne kishim të drejtë. Ne kishim të drejtë kur luftuam kundër korrupsionit. Me të drejtë kërkuam që BDI të përballet me fatkeqësitë brenda radhëve të saj. Kishim të drejtë kur zbuluam skenarët e BDI-së për shpëtimin e Sasho Mijalkovit dhe kthimin e Nikolla Gruevskit nga Budapesti në Shkup. Ne mirëpresim vendimin e Departamentit të Shtetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Si gjithmonë, SHBA-ja ka dëshmuar se janë partneri ynë i parë dhe më i rëndësishëm strategjik, i cili gjithmonë di të tregojë drejtpërdrejt dhe qartë problemet nga të cilat vuajnë qytetarët tanë dhe vendi ynë”, deklaroi Mexhiti. 

Ai theksoi se, po të kishte fuqi BDI-ja të përballej me korrupsionin në radhët e tij, Artan Grubi asnjëherë nuk do të bëhej zëvendëskryeministër i Qeverisë. 

“Po të kishte BDI fuqi të merrej me korrupsionin në radhët e tij, Ali Ahmeti do të ishte bindur kur ne i kërkonim largimin dhe përjashtimin e Artan Grubit. Po të kishte fuqi Ali Ahmeti të ndalonte hovin e Artan Grubit, të kishte rrugën e korrupsionit, ta ndalonte Artanin në rrugën e bashkëpunimit me Sasho Mijalkovin dhe Nikolla Gruevskin, BDI mund të mos dilte në opozitë. Lidhjet e Artan Grubit, por edhe lidhjet e Ali Ahmetit me Sasho Mijalkovin, i ka konfirmuar dje partneri ynë strategjik nga Departamenti i Shtetit amerikan. Jemi bindur publikisht që Artan Grubi ishte paguar nga Sasho Mijalkov. Ne kemi luftuar hapur kundër Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijalkovit, por jo të gjithë, padyshim. Disa bashkëpunuan, ashiqare si Artan Grubi, e disa bashkëpunuan përmes të njëjtit Artan Grubi, dhe punuan për ta”, thotë Mexhiti.

Ai tha se kur kishin kërkuar që të ndërrohej Artan Grubi nga partia dhe nga funksioni i zëvendëskryeministrit ishin refuzuar, ndërsa Ali Ahmeti nuk i dëgjoi ato të cilat i tregoheshin me kohë dhe kërkoi nga anëtarësia e BDI-së që të largohen nga udhëheqësia. 

“Ali Ahmeti e di pse është kështu, por edhe ne e dimë. Sot dikush nuk e beson se Artan Grubi ka vepruar kokë më vete dhe për vete. Mori ryshfet dhe punoi për lirimin e Sasho Mijalkovit. Sot dikush nuk e beson se Artan Grubi ka vepruar kokë në vete dhe për vete. Loboi dhe punoi për kthimin e Nikolla Gruevskit. Ali Ahmeti, është koha të pranoni se keni gabuar. Ali Ahmeti, është koha të thoni pse Artan Grubi ishte më i rëndësishëm se të gjithë anëtarët e ndershëm të BDI-së që nuk donin ta shihnin partinë si shpartallohej për shkak të interesave kriminale të individëve përreth jush. Në mënyrë të qartë dhe me zë të lartë po u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të BDI-së që të braktisin atë udhëheqësi. Braktiseni këtë anije të korruptuar që po fundoset. Lufta e shqiptarëve për drejtësi dhe dinjitet as nuk ka filluar me BDI e as nuk do të përfundojë me BDI”, porositi Mexhiti.

Ai, njëherësh kërkoi nga institucionet kompetente që të zbatojnë hetim për akuzat me qëllim që të mbajë përgjegjësi çdonjëri që e ka shkelur ligjin. 

“Përgjegjësia është parim themelor në çdo shtet demokratik. I bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të veprojnë në përputhje me rrethanat, të hetojnë të gjitha akuzat dhe të sigurojnë që kushdo që ka shkelur ligjin të mbajë përgjegjësi. Si Qeveri e përgjegjshme, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për reforma që do të forcojnë sundimin e ligjit, do të çrrënjosin korrupsionin dhe do të rikthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet. Angazhimi ynë do të synojë ndërtimin e një qeverisje të drejtë, transparente dhe efikase me përgjegjësi të qartë ndaj qytetarëve. Vendi ynë nuk ka vend për kompromis kur bëhet fjalë për drejtësinë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë faktorëve dhe institucioneve politike që të vendosin transparencën dhe llogaridhënien në krye të prioriteteve të tyre. Vetëm kështu do të ruajmë besimin e qytetarëve dhe do të sigurojmë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, theksoi zëvendëskryeministri Mexhiti dhe lider i Lëvizjes Demokratike, e cila është pjesë e Koalicionit VLEN. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR