• e enjte, 03 tetor 2024

Mexhiti: Balancuesi nuk po shfuqizohet, por po avancohet në ligj për përfaqësim të drejtë

Mexhiti: Balancuesi nuk po shfuqizohet, por po avancohet në ligj për përfaqësim të drejtë

Shkup, 8 korrik 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti duke komentuar heqjen e popullsisë jorezidente nga balancuesi theksoi se ai nuk po shfuqizohet, por, siç tha ai, po avancohet në ligj për përfaqësim të drejtë.

"Nuk hiqet balancuesi por avancohet dhe kjo do të jetë në cilësinë e ligjit për përfaqësim të drejtë. Pra, do të jetë në interes të shtetit multikulturor dhe multietnik të Maqedonisë së Veriut", tha Mexhiti, i cili së bashku me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe deputetin Bekim Sali sot janë takuar me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Çairit.

Ai potencoi se fillimisht pas vitit 2001 mekanizmi ka qenë në funksion të përfaqësimit të bashkësive më të vogla, por vitet e fundit, siç tha ai, ka pasur kundërefekt.

"Kemi pasur shumë raste kur një maqedonas ka aplikuar kur është dashur të punësohet si shqiptar, turk, vlleh apo diçka tjetër ose anasjelltas në nivel lokal. Domethënë, nuk ishte në funksion, ishte në kundërfunksion", theksoi Mexhiti.

Ai nuk bëri të ditur se deri ku është procedura për Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, por vetëm kujtoi se për çfarë kanë të bëjnë ndryshimet e këtij ligji.

"Së pari, për Vetëqeverisjen lokale do të jetë në interes të qytetarëve dhe shtetit që të mos ketë shpenzime shtesë sepse nuk ka logjikë të ketë dy zgjedhje në një vit. Vetëm për këtë dhe kjo do të zbatohet për disa komuna nga pozita dhe opozita. Domethënë, nuk është në interes të Qeverisë, por është në interes të qytetarëve dhe shtetit që të mos ketë shpenzim shtesë, tha Mexhiti.

I pyetur nga gazetarët se përse ka pasur nevojë të rivendoset rrethoja para ndërtesës së qeverisë, Mexhiti është përgjigjur se ajo është çështje teknike.

"Ajo është çështje teknike. Nuk vlen të flitet kaq shumë për të. Domethënë, rrethoja është atje. Në vend që policia ta ruajë vazhdimisht, sepse ekistojnë protesta të vazhdueshme dhe duhet të lirohen personat të cilët duhet të ruajnë rendin dhe të zgjidhen problemet, sepse ata duhet të ruajnë dhe rendin e qytetarëve, ndërsa jo vetëm të Qeverisë", tha ai.

Në pyetjen e gazetarëve nëse presin ndonjë protestë nga "Fronti Evropian", Mexhiti ka theksuar se ata janë të lodhur.

Në lidhje me paralajmërimet për shpërbërjen e plotë të Këshillit Gjyqësor, Mexhiti tha se faktori ndërkombëtar dhe ekspertët kanë konstatuar se Maqedonia po përballet me një epidemi të korrupsionit në vitet e fundit, e cila ka prekur edhe gjyqësorin, për shkak që qytetarët humbën besimin dhe vetëm 3 për qind besojnë te gjyqësori dhe prokuroria.

"Ne marrim parasysh propozimet e partnerëve tanë në Qeveri dhe partnerëve strategjikë për formën më të mirë në gjyqësor dhe për kthimin e shtetit të drejtë, sepse ajo është një nga shtyllat më të rëndësishme të një shteti normal dhe për atë që ne pretendojnë të jemi, BE, tha Mexhiti.

Ai u përgjigj me konfirmim në lidhje me atë nëse ka iniciativë për rivendosjen e dispozitave në Kodin Penal, të cilat i referohen shpërodimit të detyrës zyrtare.

"Po. Mendoj se ndryshimi i Kodit Penal ishte në funksion të disa zyrtarëve që në të kaluarën ikën nga shteti, ikën nga drejtësia. Ishte një ndihmë, një mesazh i keq për korrupsionin. Ishte një mbështetje indirekte për korrupsionin. Mendoj se do të shqyrtojmë seriozisht rikthimin e shtetit ligjor dhe ndryshimet e nevojshme sipas të cilave kushdo që ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi para organeve të drejtësisë", tha Mexhiti lidhur me ndryshimet në Kodin Penal. rq/

 

QËNDRONI TË LIDHUR