• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mbi 30 njerëz humbën jetën gjatë sulmit izraelit në Rafah

Mbi 30 njerëz humbën jetën gjatë sulmit izraelit në Rafah

Gaza, 10 shkurt 2024 (MIA) – Të paktën 31 palestinezë u vranë sot në Rafah, disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se ka kërkuar nga armata që të përgatisë plan për evakuimin e qindra mijëra njerëzve nga pjesa jugore e Rripit të Gazës.

Netanjahu nuk zbuloi detaje apo afate kohore. Gjithashtu është e paqartë se ku do të mund të shkojnë civilët nëse largohen nga Rafah.

Armata izraelite pothuajse çdo ditë po bombardon qytetin edhe pse ka urdhëruar civilët të strehohen në Rafah për shkak të luftimeve në Kan Junis.

Më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës u mblodhën në Rafah, shumë prej të cilëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre pas urdhrave të mëhershëm izraelite për evakuim që përfshijnë dy të tretat e territorit të enklavës.

Ditët e fundit, paralajmërimet për ofensivën kundër Rafës shtuan tensionet mes Netanjahut dhe administratës së presidentit amerikan Xho Bajden. Sipas Uashingtonit, ofensiva në Rafah pa plan për civilët do të shkaktonte katastrofë.

Lëvizja islamike palestineze Hamas, ndërkohë, paralajmëroi se ofensiva izraelite kundër Rafës mund të shkaktojë "dhjetëra mijëra të vdekur dhe të lënduar".

"Paralajmërojmë për një katastrofë dhe vrasje masive që mund të çojnë në dhjetëra mijëra martirë dhe të lënduar", thekson në komunikatë Hamasi duke shtuar se "administrata amerikane, bashkësia ndërkombëtare dhe pushtuesit izraelitë do të mbajnë përgjegjësi për pasojat e mundshme".

Si Gjermania ashtu edhe Arabia Saudite apeluan që Izraeli të mos nisë ofensivë në Rafah, pasi kjo do të sjell në një "katastrofë humanitare".

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR