• e hënë, 12 gusht 2024

Mbahet manifestimi "Pena ime" në Kumanovë dhe në Likovë

Mbahet manifestimi

Kumanovë, 11 gusht 2024 (MIA) - Kanë përfunduar dje me sukses dy manifestimet multimediale "Pena ime" në Kumanovë dhe në Likovë, të organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve 'Jehona e Karadakut', të cilët u mbajtën në amfiteatrin e Fakultetit të Administratë-Biznesit në Kumanovë, kurse në Likovë në amfiteatrin e hapur të gjimnazit "Ismet Jashari".

Kryetari i Klubit, Sunaj Raimi, duke përshëndetur të pranishmit theksoi rëndësinë e këtij organizmi, i cili pas disa viteve rikthehet në mesin e artdashësve, me një dedikim të posaçëm për mërgimtarët tanë.

Me vargjet e tyre u prezantuan poetët e pranishëm, si Ismail Ganiu, Etem Xheladini, Sunaj Raimi, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Fatos Rushiti dhe Emrah Bilalli.

Manifestimi u udhëhoq nga sekretari i klubit Emrah Bilalli, kurse disa pika muzikore u interpretuan nga violinistja e re Elona Islami si dhe në piano nga profesori i muzikës Eroll Ganiu.

Manifestimin në Likovë e përshëndeti edhe kryetari i komunës, Erkan Arifi, duke e falënderuar organizarorin për krijimin e ambientit të bukur artistik. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR