• e premte, 27 dhjetor 2024

Lula: BRIKS nuk ka për qëllim të sfidojë G-7, G20 apo SHBA-në, vetëm se duam të organizohemi

Lula: BRIKS nuk ka për qëllim të sfidojë G-7, G20 apo SHBA-në, vetëm se duam të organizohemi

Pretoria, 22 gusht 2023 (MIA) - Presidenti i Brazilit, Luis Inasio Lula da Silva sot deklaroi se vendet anëtare të BRIKS nuk kanë për qëllim të sfidojnë organizatat apo protagonistët e tjerë ndërkombëtarë si G7 apo SHBA-në, por të "organizojnë Jugun global".

"Nuk duam të jemi kontrapunkt të G7, G20 apo SHBA. Thjesht ne duam të organizohemi", ka thënë Lula gjatë fjalimit të tij në samitin e BRIKS në Afrikën e Jugut, transmetojnë mediat britanike.

Lula edhe një herë u angazhua për vendosjen e një valute të përbashkët për vendet e BRIKS-it, me vlerësimin se ky hap nuk do të ketë për qëllim “refuzimin” e dollarit amerikan, por të lehtësojë tregtinë e vendeve në zhvillim me valutat e tyre.

Duke folur për anëtarësimin në BRIKS, ai tha se mbështet vendet e tjera që të futen në këtë organizatë, anëtarë të së cilës për momentin janë Kina, Brazili, India, Rusia dhe Afrika e Jugut, por me disa kushte dhe shtoi se organizata nuk duhet të bëhet “kulla e Babelit”.

“Dëshirojmë që BRIKS të jetë një institucion multilateral, jo një klub ekskluziv”, ka thënë Lula dhe shtoi se veçanërisht angazhohet që edhe Argjentina të bashkëngjitet.

Zyrtarët e Afrikës së Jugut theksojnë se mbi 40 vende kanë shprehur interesim për t'iu bashkuar BRIKS.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR