• e premte, 27 dhjetor 2024

Lozano Garsia: Shoqëritë civile janë aktor i rëndësishëm në proceset eurointegruese dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale

Lozano Garsia: Shoqëritë civile janë aktor i rëndësishëm në proceset eurointegruese dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale

Shkup, 6 qershor 2023 (MIA) - Shoqëritë civile janë aktor i rëndësishëm, pjesëmarrës në të gjitha proceset në shoqëri dhe kur bëhet fjalë për çështjen e BE-së me rëndësi është të llogarisim në to, thotë ambasadori spanjoll Hoze Luis Lozano Garsia në lidhje me forumin e parë dypalësh të organizatave “tink-tenk” nga Maqedonia e Veriut dhe Spanja me titull "Mendojmë dhe punojmë së bashku" i cili dje dhe sot u mbajt në Shkup në organizim të Institutit "Prespa" me iniciativë të përbashkët me Institutin Mbretëror Elkano nga Madridi.

Lidhur me marrëdhëniet bilaterale midis Madridit dhe Shkupit, ambasadori Lozano Garsia theksoi se forumi është shumë domethënës, sepse do të nxisë zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale. Më pas ai ka nënvizuar rëndësinë e vizitave të kryeministrit spanjoll Pedro Sançez vitin e kaluar në gusht dhe të shefit të diplomacisë Hose Manuel Albarez Bueno në prill të këtij viti si konfirmim i mbështetjes spanjolle për rrugën evropiane të vendit.

“Në fakt vizitat e kryeministrit Sançez vitin e kaluar në gusht që ishte vizita e parë e një shtetasi të huaj në vend pas hapjes së negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut me BE-në, korrikun e kaluar dhe vizita e ministrit Albarez në prag të presidencës spanjolle në vete ngërthejnë interesin e Madridit për të forcuar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut, jo vetëm në nivel bilateral por edhe në kuadër të mbështetjes së rrugës së saj evropiane”, thotë ambasadori Garsia.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Prespës, Andrea Stojkovski theksoi se këto dy ditë në forumin e parë maqedono-spanjoll të organizatave “tink-tink, studiues dhe analistë ndanë qëndrimet e të dyja palëve për procesin e zgjerimit. Për këtë temë si dhe për rolin e Spanjës dhe pritshmëritë e Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar në Madrid ai mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti mbretëror Elkano - i cili konsiderohet si organizatë “tink- tenk” më me ndikim në Spanjë e cila gjithashtu merr pjesë në këtë forum në Shkup .

I pyetur për deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti nëse është reale të pritet anëtarësimi në BE pas katër vitesh, ai tha se nuk mund të komentojë një deklaratë të tillë dhe ndau përvojën e tij personale.

“Në vitin 2000, diku në shtator diplomova, në tetor fillova të punoja në departamentin e atëhershëm për integrime evropiane dhe në gjysmën e dytë të nëntorit mora pjesë në raundin e fundit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Dhe ja 23 vjet më vonë me gjithë shpresat se do të jem shtetas i BE-së dhe do të punoj në një shtet anëtar të BE-së, kjo nuk ndodhi. Kështu që nuk mund ta komentoj deklaratën e Ahmetit edhe pse në këtë moment ka kushte të ndryshme nga viti 2000 për kohën për të cilën flas”, thotë Stojkovski.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR