• e martë, 27 gusht 2024

Kurti: Raporti zyrtar do ta zbardh incidentin me Osmanin në aeroportin e Shkupit që asnjëherë më të mos përsëriten situata të tilla

Kurti: Raporti zyrtar do ta zbardh incidentin me Osmanin në aeroportin e Shkupit që asnjëherë më të mos përsëriten situata të tilla

Shkup, 5 gusht 2024 (MIA) - Raporti zyrtar pas hetimit adekuat në tërësi dhe detaje do ta zbardh incidentin që ndodhi më 2 gusht në VIP-sallonin e Aeroportit e Shkupit me presidenten Osmani për ta kuptuar se çka ka ndodhur saktë dhe asnjëherë më të mos përsëriten situata të tilla, tha sot kryeministri i kosovës Albin Kurti në Shkup.

"Ngjarja më 2 gusht në Aeportin e Shkupit pa dyshim ishte një përvojë e rëndë për presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e cila ishte me familjen dhe dy vajzat e vogla. Organet e Maqedonisë së Veriut, shtetarët shprehën keqardhje për rastin dhe do të ketë raport zyrtar i cili do ta zbardh këtë çështje në tërësi dhe detaje për ta kuptuar se ç'farë ka ndodhur saktë, por edhe të mos përsëriten më kurrë situatat e tilla", tha Kurti në përgjigje të pyetjes në konferencën e sotme për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski pas takimit zyrtar në Qeveri.

I pyetur nëse mbetet i vlerësimit se ky është provokim ndaj Kosovës, Kurti tha se ky nuk është qëndrimi zyrtar i institucioneve të Kosovës.

"Nuk e di që ne si institucione kemi pasur një qëndrim të tillë, mund ta ketë thënë ndonjë nga qytetarët e Kosovës, por jo institucionet e Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë deklaratën e saj që është qëndrim i Republikës së Kosovës, qëndrimin e kemi parë edhe me një deklaratë publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Besoj se duhet të synojmë të vërtetën, jo tensionet", theksoi Kurti.

Bëri thirrje të zbardhet rasti dhe shtoi se organet adekuate do të bëjnë atë.

"Unë dhe kryeministri Mickoski nuk mund të jemi edhe doganier edhe polici edhe inspektorat policor edhe ata që e mbikëqyrin aeroportin etj. Sa i përket thelbit të pyetjes, ne jemi përgjigjur dhe po merren masat", saktësoi Kurti.

I pyetur nëse kryeministri Mickoski i ka kërkuar falje për rastin, sepse paraprakisht e kishte kërkuar vetë, kryeministri i Kosovës iu shmang përgjigjes dhe tha se raporti zyrtar pas hetimeve përkatëse do ta ndriçojë rastin.

Ai vlerësoi se të dy vendet kanë marrëdhënie të mira dypalëshe të themeluara në vlera të përbashkëta dhe me referencë të veçantë ndaj integrimeve evropiane.

"Dy vendet tona kanë bashkëpunim dypalësh në të gjitha fushat, nga pikëpamja diplomatike mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin Evropian dhe NATO. Ne duam të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane edhe si shtete edhe si kombe. Do të punojmë së bashku me Qeverinë e re për të forcuar bashkëpunimin e mëtutjeshëm dypalësh të bazuar në besim dhe interesa reciproke", tha Kurti. sa/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR