• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kurti, Osmani, Hovenier dhe Rode për përvjetorin nga vrasja e qindra civilëve në Kosovë më 26 mars 1999: Dëshmi se NATO-ja duhej të intervenojë

Kurti, Osmani, Hovenier dhe Rode për përvjetorin nga vrasja e qindra civilëve në Kosovë më 26 mars 1999: Dëshmi se NATO-ja duhej të intervenojë

Prishtinë, 26 mars 2024 (MIA) - Në disa vende në Kosovë sot, me manifestime komemorative, u shënua 25-vjetori nga masakra e forcave serbe ndaj popullatës civile, të kryer vetëm një ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore në RF të Jugosllavisë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke përkujtuar 25-vjetorin nga masakra e forcave serbe në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë dhe vende tjera në Kosovë, në Fejsbuk ka shkruar se këto janë dëshmi për gjenocidin e Serbisë, e cila me forcat policore dhe ushtarake tentoi t'i shfaros shqiptarët në Kosovë.

Kurti përkujton se atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

"Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal 'Patkoi' për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë. Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta. Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit. Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha", shkruan Kurti.

Po atë mëngjes, përkujton ai, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë. Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

"Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës në një shtëpi në rrugën 'Ymer Grezda', forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi. Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë", shkruan kryeministri i Kosovës.

Ai më tej thekson se kujtesa e Kosovës është e freskët.

"Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi. Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë. Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara", thotë Kurti.

Me rastin e përvjetorit nga masakra e familjes Berisha në Suharekë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ka shkruar se ata që i kanë shpëtuar masakrës, janë dëshmi për brutalitetin e regjimit kriminel serb.

"Në kërkim pas drejtësisë, respektin për viktimat dhe familjet, asnjëherë nuk do të heshtim. Drejtësia për viktimat dhe ndriçimi i fatit të të zhdukurve janë qëllime të vazhdueshme", tha Osmani.

Presidentja Osmani dhe ambasadortët e SHBA-së dhe Gjermanisë në Prishtinë, Xhef Hovenier dhe Joprn Rode, mes tjerëve, kanë marrë pjesë në komemoracionin në Krushë të Madhe, të cilët me këtë rast thanë se ngjarjet e tilla e konfirmojnë arsyeshmërinë e sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe, që filluan më 25 mars të vitit 1999.

Sipas të dhënave të Fondit për të drejtat humanitare, organizatë joqeveritare rajonale për të drejtat e njeriut me seli në Beograd, gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona - prej të cilëve thuhet se 76 për qind kanë qenë civilë. Kërkimi pas më shumë se 1.600 personave të zhdukur në luftë vazhdon edhe më tej. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR