• e mërkurë, 17 korrik 2024

Kryeministri i Gjeorgjisë Garibashvilli e akuzoi Zelenskin se po përzihet në situatën në vendin e tij

Kryeministri i Gjeorgjisë Garibashvilli e akuzoi Zelenskin se po përzihet në situatën në vendin e tij

Tbilisi, 13 mars 2023 (MIA) - Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvilli e akuzoi presidentin ukrainas, Volodomir Zelenski për përzierje në situatën politike në vendin e tij, pasi dha komente për protestat e javëve të kaluara të cilat u mbajtën në Gjeorgji, ndërsa ky reagim i tij shkaktoi përgjigje të zemëruar nga Kievi. 

Gjatë protestave kundër ligjit për "agjentët e huaj" për të cilin kritikët thonë se sinjalizon ndryshim autoritar në Gjeorgji, Zelenski i falënderoi protestuesit të cilët i ngritën flamujt ukrainas, duke deklaruar se kjo tregon respekt për vendin e tij dhe gjatë kësaj gjeorgjianëve u dëshiroi "sukses demokratik".

Parlamenti i Gjeorgjisë të premten edhe zyrtarisht e hodhi poshtë ligjin i cili e kërcënonte Tbilisin që t'ia pengojë lidhjet më të ngushta me Evropën.

"Kur një njeri vendi i të cilit është në luftë reagon në aktivitetin destruktiv të disa mijëra të grumbulluarve këtu në Gjeorgji, ky është tregues i drejtpëdrejtë se edhe ai personalitet është i përfshirë dhe se është i motivuar që të bëjë dhe këtu të ndodh diçka, të ketë ndryshime", tha Garibashvilli në intervistë për televizionin gjeorgjian IMEDI, duke aluduar në Zelenskin.

"Do të doja të gjithëve tu dëshiroj fund të parakohshëm të kësaj lufte dhe vendosje të paqes", shtoi Garibashvilli.

Por, zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Punëve të Jashtme, Oleh Nikolenko e akuzoi Garibashvillin se po e përsërit "propagandën ruse" se Kievi po bën përpjekje që ta shpie Gjeorgjinë në konflikt me Moskën. 

"Ne në mënyrë kategorike i hedhim poshtë akuzat të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin. Autoritetet gjeorgjiane e kërkojnë armikun në vendin e gabuar", shkroi sot Nikolenko në Fejsbuk.

Edhe krahas deklaratave të Garibashvillit, mendimi publik gjeorgjian është fuqishëm proukrainas dhe antirus.

Gjeorgjia në vitin 2008 zhvillonte luftë të shkurtër me Rusinë për statusin e dy rajoneve të ndara të mbështetura nga Moska, Abkhazia dhe Osetija e Jugut. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR