• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski personalisht e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, pasdite pritet dorëheqja nga kryetari i Kuvendit

Kovaçevski personalisht e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, pasdite pritet dorëheqja nga kryetari i Kuvendit

Shkup, 25 janar 2024 (MIA)  - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot paradite personalisht e dorëzoi në Kuvend dorëheqjen e tij, me çka dorëheqje ka dhënë gjithë Qeveria deri në zgjedhjen e qeverisë teknike të dielën më 28 janar. 

Kryeministri Kovaçevski kishte deklaratë të shkurt për mediat para Kuvendit në të cilën i theksoi sipas tij arritjet më të mëdha në mandatin e kësaj Qeverie, ndërsa për kryeministrin teknik Talat Xhaferi tha se është politikan me përvojë i cili ka përvojë të madhe në udhëheqjen e Parlamentit dhe vlerësoi se stili do të jetë i ndryshëm, por se shteti do ta ruajë drejtimin e tij strategjik.

"Patëm takim joformal me ministrat në të cilin i falënderova për punën e tyre të palodhur gjatë këtyre dy viteve të kaluara. Sot, siç thash, do ta bëj atë që sipas ligjit është paraparë. Dorëheqja ime është nënshkruar, tani do ta parashtroj në arkiv. Do të shihemi me kryetarin e Kuvendit, do t'i dëshiroj procedurë të suksesshme deri të dielën, ndërsa pastaj edhe zgjedhje të tij të sukseshme për kryeministër teknik", tha Kovaçevski. 

Kovaçevski shprehu bindje se më 9 maj ai do ta kryesojë Qeverinë e re. 

"Unë erdha me përvojë tjetër në udhëheqjen e korporatave, kështu që, sipas gjitha gjasave stili do të jetë i ndryshëm, megjithatë shteti gjithsesi se do ta ruajë drejtimin e tij strategjik, ndërsa ai është orientimi perëndimor, partneriteti strategjik në SHBA dhe qeveria teknike gjithashtu do të kujdeset për qytetarët sepse ende jemi në krizë kështu që ne këtë e bëmë gjatë dy viteve të kaluara. Kjo është diçka që është paraparë sipas ligjit, më 9 maj Qeverinë përsëri do ta kryesoj unë dhe këtë shumicë parlamentare e cila do të sigurojë anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030", tha Kovaçevski. 

Tha se kishte nderin dhe kënaqësinë që ishte kryetar i Qeverisë.

"E kam thënë shumë herë para mediave se asnjë njeri nuk ka lindur për të qenë president, deputet, apo kryetar komune, është diçka që i takon si nder gjatë karrierës së tij profesionale. Kam pasur atë përgjegjësi dhe nder të drejtoj Qeverinë në kohë të jashtëzakonshme, në kohë me shumë turbulenca ndërkombëtare, por mbi të gjitha turbulenca ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Mendoj se jemi kujdesur për të gjithë. Besoj se kemi siguruar gjithçka që duhej për të ruajtur vendet e punës, për të ruajtur likuiditetin e kompanive dhe për të siguruar të ardhura për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve përmes pakove më të mëdha të masave antikrizë që ka bërë çdo vend në rajon. Nuk lejuam goditje të çmimeve, nuk lejuam kufizime të energjisë elektrike. Nuk kemi lejuar rritje të madhe të çmimeve të derivateve të naftës. E ulëm inflacionin për gjashtë herë nga 20 në 3,5 për qind dhe mendoj që, siç thashë, të gjithë ministrat në Qeveri, zëvendësministrat, shërbimet që punojnë në të gjitha institucionet duhet të jenë krenarë për atë që kanë bërë për vendin e tyre në dy vitet e fundit", tha Kovaçevski.

Sipas paralajmërimeve të djeshme të kryetarit të Kuvendit, ai pasi ta pranojë dorëheqjen e Kovaçevskit, do ta informojë presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski për këtë, ndërsa pastaj gjatë ditës edhe ai do të japë dorëheqje. Nga Kabineti i tij paralajmëruan se me kumtesë do të informojnë për hapat e ardhshëm. 

Dorëheqja e Kovaçevskit është hapi i parë formal - juridik drejt formimit të qeverisë teknike e cila duhet të zgjidhet më 28 janar. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR