• e diel, 24 nëntor 2024

Kovaçevski paralajmëron rishikim të kontratës për ndërtimin e autostradës Ohër-Kërçovë

Kovaçevski paralajmëron rishikim të kontratës për ndërtimin e autostradës Ohër-Kërçovë

Ohër, 2 nëntor 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Ohër njoftoi se do të kërkojë rishikimin e kontratës për ndërtimin e autostradës nga Ohri në Kërçovë.

"Konsideroj se është e papranueshme që një autostradë prej 40 kilometrash është duke u ndërtuar për mbi dhjetë vjet dhe ende nuk është kryer, ndërsa kërkon një tjetër zgjatje e cila duhet të shkojë para deputetëve. Për këtë arsye unë do të kërkoj rishikim të këtij projekti meqenëse projekti për një sërë arsyesh nuk ka përfunduar për dhjetë vjet, mendoj se duhet menduar në drejtim të shkëputjes së kontratës dhe kërkimit të një kontraktori që do ta ndërtojë në mënyrë cilësore dhe të mos shohim që një rrugë të ndërtohet për dhjetë vjet, të investohen para dhe të mos lëshohet asnjë metër autostradë", tha Kovaçevski.

Ai përkujtoi se projekti është ndërtuar sipas një marrëveshje të votuar në Kuvend, praktikisht bëhet ligj dhe çdo ndryshim apo aneks miratohet sërish nga deputetët.

Më herët nga foltorja e Konferencës së parë për infrastrukturë rrugore të mbajtur në Ohër, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi shprehu vërejtje dhe kritika serioze për dinamikën e ndërtimit të autostradës Ohër-Kërçovë, duke theksuar se është e papranueshme që ky aks nuk është përfunduar pas dhjetë vjetësh nga fillimi i punimeve ndërtimore.

Autostrada Ohër – Kërçovë është pjesë e Korridorit 8 me gjatësi totale prej 57 kilometra, projekt ky që nga 374 milionë që ishin parashikuar fillimisht arriti në 598 milionë euro. Ndërtimi i autostradës ka nisur në shkurt të vitit 2014 dhe pas disa shtyrjeve të afateve është paraparë të përfundojë plotësisht deri në fund të këtij viti. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR