• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Konferencë: Përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse duhet të bëhet politikë e qëndrueshme

Konferencë: Përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse duhet të bëhet politikë e qëndrueshme
Shkup, 13 tetor 2022 (MIA) - Po rritet përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse në shtet, por kjo duhet të bëhet politikë e qëndrueshme dhe gjithnjë duhet ta kemi në mend se statusi i grave është i lidhur ngushtë me progresin, suksesin dhe mirëqenien e një vendi. Botës i duhet këmbëngulja dhe durimi me të cilat gratë u qasen problemeve, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin aktual politik dhe të sigurisë në botë. Këto ishin disa nga konkluzionet nga konferenca e sotme ndërkombëtare e dytë "Gratë në politikën e jashtme", të cilën e organizoi Ministria e Punëve të Jashtme. Konferenca është nën patronazhin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani porositi se shoqëritë janë shumë stabile nëse gratë janë të fuqishme politikisht dhe ekonomikisht.
"Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se promovimi i përfaqësimit të gruas në politikën e jashtme dhe në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse është i një rëndësie thelbësore. Besojmë se ky është një faktor i rëndësishëm në promovimin e krijimit të një mjedisi më miqësor, më bashkëpunues", shtoi Osmani në fjalimin e tij në konferencë.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, si shtet anëtar i NATO-s dhe pjesë e familjes ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, një vend që synimi strategjik i tij është anëtarësimi në BE dhe i cili do të kryesojë OSBE-në në vitin 2023, vazhdimisht po bën përpjekje në përfaqësimin e barazisë gjinore dhe përforcimin e pozitës së gruas në pozitat vendimmarrëse sepse ky progres është i lidhur ngushtë me prosperitetin, stabilitetin dhe mirëqenien e vendit.
"Historia tregon se vendimi qendror i gruas është vendimtar për përparimin e shoqërisë. Sot, gratë vazhdimisht po forcojnë pozitat e tyre në të gjitha fushat e jetës. Gratë në poste udhëheqëse po bëhen më të dukshme. Jam i kënaqur me progresin që po bëjmë, sepse përfaqësimi i grave në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse po rritet, por kjo duhet të bëhet një politikë e qëndrueshme dhe duhet të kemi gjithmonë parasysh që statusi i gruas është i lidhur ngushtë me progresin, suksesin dhe mirëqenien e një vendi", shtoi Osmani.
Në cilësinë e nikoqires së konferencës, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki, në fjalën e mbajtur në hapjen zyrtare, iu referua nevojës për pjesëmarrje më të madhe të grave në të gjitha sferat e shoqërisë, duke theksuar se duhet gjetur një rrugë që burrat dhe gratë ta tejkalojnë hendekun gjinor në jetën publike.
"Unë do të përpiqem për çdo gruaje diplomate të suksesshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme t'i jepet mundësia për të shërbyer në një pozicion kuptimplotë, për çdo grua ambasadore jashtë vendit dhe për të gjitha gratë e tjera që kanë një vizion për të ndryshuar botën e dominuar nga meshkujt, për të mirën e të gjithëve. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.  Prandaj theksoj se nuk bëhet fjalë për opsion, por për domosdoshmëri”, tha Isaki.
Zëvendësja e kryetarit të Qeverisë përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska në fjalimin e saj në hapjen e konferencës theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka përcaktim të fuqishëm që të krijojë politika të cilat do të krijojnë kushte për barazi gjinore në të gjitha fushat. "Në politikat tona si Qeveri kemi parasysh konkluzionet e konferencës së vitit të kaluar, lidhur me nevojën e rritjes së pjesëmarrjes së gruas në politikën e jashtme, në procesin e vendimmarrjes, por edhe në raport me rolin e përgjithshëm të gruas në shoqërinë, si aktorë politikë aktivë dhe konstruktivë, si dhe nevojën për përfshirje më të madhe të grave në sektorin e biznesit. Dhe me këtë rast rikonfirmojmë përcaktimet dhe qëndrimet tona", shtoi Gërkovska. Ajo përkujtoi se Asambleja e Përgjithshme e KB-së këtë vit shpalli Ditën Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci, sepse është e nevojshme kjo qasje në zgjidhjen e problemeve duke pasur parasysh kontekstin global aktual politik dhe të sigurisë në botë.
"Historitë e suksesshme të grave diplomate mund të jenë frymëzim për brezat e rinj të vajzave dhe grave, të cilat e shohin veten në poste drejtuese dhe diplomatike, dhe duhet të jenë të vetëdijshme për vlerat dhe potencialet që mund t'i japin botës. Kur flasim për pjesëmarrje të barabartë të grave në diplomaci, duhet të kemi parasysh se kudo ka nevojë për barazi gjinore", shtoi zëvendëskryeministrja Gërkovska.
Sipas saj, barazia mes grave dhe burrave është tregues i rëndësishëm nëse dhe në cilën shkallë një shoqëri është  e drejtë.
"Shoqëria e drejtë është parakusht për paqen në shtetet dhe botën dhe për këtë kjo çështje nuk është 'e grave', por u takon njëjtë edhe burrave dhe grave", porositi Gërkovska.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Megi Fino, theksoi në konferencë se në Shqipëri shumica e ministrave në Qeveri janë gra, kryetari i Kuvendit është grua dhe pasi kanë filluar bisedimet për anëtarësim në BE kanë kryenegociatoren e cila është grua.
"Të gjitha këto gra janë shumë të kualifikuara dhe me përvojë dhe sigurojnë funksionimin e vendit tonë. Roli i gruas në politikë mbetet sfidë dhe duhet të mbetet në qendër të diskutimeve tona për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve tona", shtoi Megi Fino.
Në konferencën ndërkombëtare dyditore, e cila do të vazhdojë nesër, do të marrin pjesë politikanë të shumtë, përfaqësues të sektorit civil, si dhe ekspertë të çështjeve gjinore nga vendi dhe rajoni, ndërsa në shumë panele do të diskutohen shumë tema, duke përfshirë rolin e grave në kohë krize, për kontributin e sektorit civil në procesin e vendimmarrjes, si dhe për gratë në diplomacinë shumëpalëshe. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR