Komisioni kuvendor për emërime i filloi intervistat me kandidatët për përbërjen e re të KPMD-së
- Në Komisionin kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot filluan intervistat e kandidatëve të paraqitur për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD). Për përbërjen e re të KPMD-së janë paraqitur gjithsej 14 kandidatë.
- Post By Arta Bunjaku
- 14:22, 20 janar, 2026
Shkup, 20 janar 2026 (MIA) - Në Komisionin kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot filluan intervistat e kandidatëve të paraqitur për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD). Për përbërjen e re të KPMD-së janë paraqitur gjithsej 14 kandidatë.
Anëtari aktual i KPMD-së, Limko Bejzaroski theksoi se ka vendosur të kandidojë për mandat të ri për shkak të, siç tha, rezultatit që e ka treguar në mandatin e deritanishëm pesëvjeçar.

Bejzarkoski potencoi se të gjithë së bashku duhet të përpiqemi ta mposhtim dukurinë e diskriminimit.
"Komisioni duhet të jetë i vendosur në mënyrë kierarkike, i mirëorganizuar, me standarde të forta, i cili do të mund të imponohet në shoqëri me autoritetin e tij në nivel qendror dhe nacional si shpresë për të gjithë qytetarët që t'i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre në fushat që i shqetësojnë, dhe një Komision i tillë është shpresë edhe për shtetin, ku qytetarët do të mund t'i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre. Diskriminimi është i ndaluar ligjërisht me të gjitha aktet e shtetit, megjithatë për ne si shoqëri, kjo nuk është e mjaftueshme. Ne të gjithë përpiqemi së bashku ta mposhtim dukurinë e diskriminimit, përkatësisht formalen ta shndërrojmë në materiale, në mënyrë që qytetari ta ndjejë zbatimin e barabartë të ligjit", tha Bejzaroski.

Kandidati Kire Vasilev, i cili tashmë ishte anëtar dhe kryetar i Komisionit, theksoi se nëse zgjidhet, do të angazhohet për rol më aktiv të KPMD-së.
Potencoi se prioritet i tij do të jetë evaluimi i rezultateve të deritanishme nga puna e Komisionit dhe krijim i verzionit të përmirësuar të Strategjisë nacionale për përballje dhe mbrojtje nga diskriminimi i Komisionit bazuar në leksione tashmë të mësuara.

Kandidatja Xhihan Ahmed theksoi se përmes angazhimit të saj personal dhe profesional tregon ndjeshmëri ndaj çështjeve të një trajtimi të barabartë dhe mbrojtje të kategorive të ndjeshme dhe ka motivim të fuqishëm që në mënyrë aktive të kontribuoj për politikat dhe praktikat antidiskriminuese. Si anëtar, potencoi Ahmed. është e gatshme me përgjegjësi, në mënyrë të paanshme dhe profesionale të kontribuojë në shqyrtimin e parashtresave, marrjes së mendimeve dhe avancimin e vetëdijes për parandalim të diskriminimit dhe duke e vendosur në plan të parë interesin publik dhe dinjitetin e individit.
Lidhur me ndryshimet në ligjin në pjesën e diskriminimit, Ahmed potencoi se nxënësve duhet t'u jepet më shumë hapësirë për t'i treguar mendimet dhe qëndrimet e veta.

Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët i zgjedh dhe shkarkon Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Anëtarët e Komisionit zgjidhen për mandat prej pesë vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje të mëvonshme. Gjatë zgjedhjes së përbërjes së parë të Komisionit në përputhje me këtë ligj, katër anëtarë zgjidhen për mandat prej pesë vitesh, ndërsa tre anëtarë për mandat prej tre vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje të mëvonshme. Nga radhët e anëtarëve të zgjedhur për mandat prej pesë vitesh, Komisioni zgjedh kryetar për mandat prej një viti, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Për anëtar të Komisionit mund të zgjidhet person i cili është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut; të ketë 240 kredi sipas EKTS-së ose shkallën VII/1 të arsimit dhe të ketë minimum shtatë vjet përvojë pune nga sfera e të drejtave të njeriut prej të cilave pesë vjet në sferën e barazisë dhe mos diskriminimit; në momentin e zgjedhjes me aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor të mos i shqiptohet dënim me burg prej mbi gjashtë muaj ose ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës dhe të mos jetë bartës i ndonjë funksioni në parti politike.
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi është organ i pavarur i cili punon në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Anëtarët e Komisionit duhet ta shprehin qëndrimin e shoqërisë në tërësi dhe gjatë zgjedhjes të anëtarëve të Komisionit zbatohen parimet për përfaqësim adekuat të të gjitha grupeve shoqërore, parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të bashkësive dhe pjesëmarrjes së balancuar gjinore. ab/
Foto: МIА