• e martë, 24 dhjetor 2024

Kolumnë nga Marjana Doda: "Jehona e irredentizmit dhe minoriteti bullgar në Ballkan”

Kolumnë nga Marjana Doda:

Dibër, 20 gusht 2024 (MIA) - Gazetarja e njohur shqiptare, Marjana Doda, themeluese dhe kryeredaktore e portalit "Argumentum", i cili trajton çështje të gjeopolitikës, në rubrikën "Jehona e irredentizmit dhe minoriteti bullgar në Ballkan” fokusohet te Bullgaria, e cila, siç vlerëson, di mirë të fshehë “orekset” e saj historike, njohjen e minoritetit bullgar nën kërcënimet nga Shqipëria, mosnjohjen e pakicës maqedonase në Bullgari, pavarësisht vendimeve të gjykatës nga Strasburgu, deri në regjistrimin e popullsisë në Shqipëri dhe “qëndrimin pasiv të autoriteteve maqedonase ndaj ankesave të përfaqësuesve të maqedonasve”.

"Jehona e irredentizmit dhe minoriteti bullgar në Ballkan”

Nga Marjana Doda

Ballkani ka qenë historikisht një rajon me interes dhe konkurrencë të ashpër gjeopolitike. Historia e tij është e mbushur me konflikte etnike dhe fetare, ku luftërat dhe ndarjet kanë krijuar ndasi të thella ndërmjet grupeve etnike.

Politikanët shpesh përdorin çështjet etnike për përfitime politike, duke nxitur përçarje dhe mosbesim për të konsoliduar pushtetin e tyre. Megjithatë, në vitet e fundit, kemi parë se disa vende të rajonit po arrijnë qëllimet e tyre historiko-politike tashmë edhe nën maskën e integrimit europian. Një shembull konkret është Bullgaria, e cila, si anëtare e Bashkimit Evropian, ka përdorur aspirimin ndaj integrimit europian si një mjet për të siguruar interesat e saj ne rajon. Në emrin e mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe përpjekjeve për të ruajtur identitetin etnik po krijohen tensione të reja dhe sfida për integrimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Në fakt pakicat minoritare në këndvështrimin tim janë një urë lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve pavarësisht vendeve ku janë, ose të paktën kështu do duhet të ishte, pasi ato kanë gjithë potencialin që si ambasadorë të vërtetë të veprojnë si urë lidhëse midis kombeve, duke nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkulturor.

Megjithatë, sikundër na ka treguar historia jo shumë e largët në Ballkan, pakicat mund të bëhen burime tensioni dhe konflikti.

Ballkani ka qenë gjithashtu një arenë e fortë për irredentizmin për shkak të përzierjes së grupeve etnike dhe interesave të ndryshme kombëtare. Që nga shekulli i 19-të, disa kombe ballkanike kanë tentuar të zgjerohen në territore ku banojnë popuj të ngjashëm etnikë. Për shembull nacionalistët serbë kanë kërkuar territore për shkak të popullsive të ngjashme etnikisht.

Në disa raste të tjera, politika e jashtme e vendeve ka qenë e lidhur me aspekte historike dhe i shohin këto territore si vende ku mund të shtrijne influencen e tyre, si për shembull Turqia, e cila, edhe pse ka kaluar një periudhë të gjatë që nga sundimi Otoman në Ballkan, ende e ndien ndikimin e kësaj trashëgimie dhe përpiqet të ruajë influencen e saj në rajon. Po ashtu Greqia, ka aspirata që lidhen me trashëgiminë e Aleksandrit të Madh, edhe pse gjurmët e tij nuk përputhen plotësisht me mitologjinë Helene, por nga ana tjetër nuk plotësojnë as dëshirat e maqedonasve të sotëm.

Gjithsesi të ndalemi te Bullgaria, e cila di të fshehë mirë “orekset” e saj historike.

Prej vitesh ajo po punon fort në promovimin e minoriteteve ne rajon, çka më bën të mendoj se përtej interesit ndaj një pakice minoritare në Ballkan, Bullgaria mund të ketë gjithashtu interesa për të theksuar lidhjet historike dhe për të adresuar çështje të mëparshme që lidhen me ndryshimet territoriale dhe ndikimet gjeopolitike në rajon.

Këtë intensitet diplomatik në emrin e minoriteti bullgar e kemi parë në Shqipëri e cila ia ka arritur qëllimit të saj, të bëhet minoriteti i tetë.

Duhet thënë se Bullgaria dhe Shqipëria mbajnë marrëdhënie diplomatike që karakterizohen nga bashkëpunimi i ngushtë dhe marrëdhënie miqësore.Megjithatë, shqiptarët nuk e harrojnë se vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka ndikuar gjithashtu në bllokimin e përpjekjeve të këtij vendi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. (Vetoja e vendosur nga Bullgaria disa vite më parë kishte për qëllim kërkesën për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila ende përbën pengesën kryesore formale për nisjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE.”)

Pretendimet e Bullgarisë në lidhje me minoritetet në rajon varen nga konteksti historik dhe politik. Po ndërsa historianet, akademikët e shkencave nuk kanë dalë ende me fakte e dokumente që të përcaktojnë qartë çështjen e minoriteteve në vendet tona, politikanët janë ata që këtë boshllëk e mbushin sipas oreksit dhe interesit të tyre politik.

Pretendimet e Bullgarisë në lidhje me minoritetet janë rizgjuar ethshëm sidmos pas anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, ku pakicat e ndryshme që jetojnë përgjatë kufirit në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi, u joshen nga pasaporta bullgare, që i mundësonte largimin drejt BE-së. Gjithashtu, Bullgaria ka përdorur ndikimin e saj në Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet e minoriteteve dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre në rajon. Kjo është bërë në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Por le të mos bëhemi “konspirativ” dhe ta shohim këtë mbështje të Bullgarisë për minoritetet si një shembull pozitiv se si Bullgaria është një vend që respekton dhe mbështet diversitetin kulturor.

Do ta besoja plotësisht një gjë të tillë, nëse vërtet Bullgaria do të njihte dhe do të respektonte minoritetet që janë Bullgari.

Përkundrazi, ajo njeh minoritetin turk, ndoshta për faktin se Turqia ka influencë ekonomike e politike dhe Bullgarisë nuk i leverdis një luftë me Erdogan, por Bullgaria nuk njeh asesi minoritetin maqedonas i cili përbëhet nga mijëra qytetarë maqedonas që jetojnë në pjesën më të madhe ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut. Një komunitet i njohur dhe nga gjykatat ndërkombëtare, por jo nga Bullgaria.

Sot autoritetet Bullgare mohojnë çdo ekzistencë të pakicës maqedonase në vend, duke pretenduar se nuk ka dallime etnike midis të dy komuniteteve, ndërsa Shkupi këmbëngul në praninë e një komuniteti të tillë të veçantë, ku flitet për 750,000 maqedonas.

Duke qene se minoriteti maqedonas në Bullgari nuk njihet zyrtarisht si grup i veçantë minoriteti në kuadrin ligjor të vendit. Kjo mungesë e njohjes zyrtare ndikon në aksesin e pakicës në të drejta specifike kulturore, gjuhësore dhe politike. Në fakt, Bullgaria e mbron veten nëpërmjet Kushtetutës, e cila nuk përmend ekzistencën e pakicave kombëtare. Shprehimisht në Nenin 2. Pika (1) thuhet: “Republika e Bullgarisë është shtet unitar me vetëqeverisje lokale. Asnjë formacion territorial autonome nuk do të lejohet të ekzistojë aty”.

Kjo nënkupton se ndarja e vendit në rajone të autonomë ose të veçantë është e ndaluar dhe si rezultat, Kushtetuta nuk përmend specifikisht pakicat kombëtare. Kjo i jep të drejtën të mos njohë minoritetin maqedonas në Bullgari, por nga ana tjetër, Sofja zyrtare ia lejon vetës të kërkojë ndryshime kushtetuese për minoritetin bullgar në RMV. Ndonëse në kushtetutën e RMV-së, është i parashikuar qartë neni për garantimin e të drejtave të të gjithë pakicave minoritare në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Kushtetuta e RMV-së, e ndryshuar në vitin 1991, e garanton dhe e mbron të drejtat e pakicave. Kushtetuta e RMV-së përmend se të gjitha pakicat, duke përfshirë shqiptarët, serbët, turqit, dhe maqedonasit e tjerë, gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Por ndërsa Bullgaria nuk bën asnjë lëshim për të ndryshuar kushtetutën e saj, për të përfshirë minoritetin maqedonas, ajo ben presione duke kushtëzuar integrimin e Maqedonisë së Veriut, ( rrjedhimisht dhe Shqipërisë), për të bërë ndryshimet kushtetuese.

Pra, kjo është një padrejtësi që bëhet në emër të mbrojtjes së minoritetit, ku në fakt, të drejtat e qytetarëve minoritarë duket se nuk janë aspak qëllim në vetvete.

“Rritja e minoritetit bullgar në Shqipëri dhe rënia e maqedonasve”

Padashur, Shqipëria po bëhet një “vendngjarje” e një “krimi historik”, pasojat e së cilës mund ti shohim dekada më vonë.

“Asimilimi” i minoritetit maqedonas, dhe mosnjohja e minoritetit maqedonas në Bullgari, përplasja e RMV-së me Greqinë, na tregon se Maqedonia e Veriut po shkon drejt zhbërjes së saj si komb dhe si shtet.

Pra, nëse i shohim lëvizjet gjeopolitike në rajon dekadën e fundit, shohim se ndryshimet kufitare, janë pjesë e një agjende për të cilen po punohet intensivisht.

Rrënjët e minoriteteve të ndryshme në Shqipëri dhe rajon janë të lidhura me periudhat historike të migrimeve dhe ndryshimeve territoriale në Ballkan, por tashmë, krijimi i këtyre minoriteteve po bëhet përcaktuese për ridefinim të kufijve në Ballkan.

Me këtë frymë ndoshta po tentohet “asimilimi” i minoritetit maqedonas edhe në Shqipëri.

E përcaktoj si asimilues tkurrjen e madhe që ky minoritet pati në shifra zyrtare, ku sipas të dhënave nga CENS 2023, aktualisht jetojnë 2,281 maqedonas, ndërsa në vitin 2011 ishin deklaruar 5,512. Ndërsa për herë të parë është regjistruar edhe minoriteti bullgar, ku numërohen 7,057 bullgarë.

Kjo diferencë e madhe në numra ka shkaktuar akuza dhe reagime të ndryshme për manipulimin e të dhënave të regjistrimit, me dyshime për ndërhyrje nga pala bullgare në këtë proces.

Në fakt që në krye të herës, para dhe gjatë zhvillimit të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tiranë, apo dhe Kryetari i Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, kanë shprehur pakënaqësi për disa ndërhyrje të paligjshme nga pala bullgare gjatë regjistrimit të popullsisë. Ka patur edhe akuza për presione të drejtpërdrejta ndaj qytetarëve minoritarë maqedonas në Shqipëri.

Por të gjitha këto ankesa kanë shkuar në veshë të shurdhër.

Tashmë minoriteti bullgarë në Shqipëri është një Fakt.

Sikundër është fakt që Bullgaria ka ndërhyrë me ndihma për ata që ajo i quan minoritarë bullgarë, pavarësisht se më përpara ishin maqedonas.

Sikundër është fakt se Shkupi zyrtar, i ka lënë në mëshirë të fatit qytetarët e saj, në Shqipëri.

Ndaj nuk e di sa e drejtë është të drejtosh gishtin ndaj atyre që kanë ofruar ndihmën e tyre për këta qytetarë, (apo manipuluar), qoftë me pasaportë europiane, bursa shkollore, materiale shëndetësore, etj.

Ku ishte Shkupi zyrtar ndërsa është raportuar, folur e shkruar kaq shumë se Bullgaria po ofron ndihmë për minoritetin maqedonas, tashmë maqedonas të bullgarizuar?

Apo dhe në rastin kur është faktuar se po jepen e merren vërtetime në mënyrë të paligjshme që vërtetojnë “origjinën” bullgare.

Kjo nuk do të thotë se Bullgaria po luan pastër, por kjo situatë, padiskutim është krijuar edhe për shkak të neglizhencës maqedonase.

Megjithatë ndërsa tema e Censit dhe rezultateve të saj, është trajtuar tashmë mes reagimeve zyrtare dhe jo zyrtare, nëpërmjet këtij shkrimi dua të fokusohem në faktin se në territorin e Shqipërisë, Bullgaria ka konsoliduar një komunitet prej 7,057 minoritarë bullgarë.

Nisur nga kërkesat e saj për këtë minoritet dhe në vende të tjera të rajonit, lind pyetja: A po përpiqet Bullgaria të zgjasë ndikimin e saj në rajon përmes asaj që njihet si ‘soft power’?

Nuk dihet se cili është qëllimi i vërtetë i Sofjes zyrtare në përcaktimin e minoriteteve bullgare në rajon, por shpejtësia, peizazhi gjeopolitik, presioni në emër të BE-së, lë vend për paqartësi dhe ngre pikëpyetje të mëdha.

Ky minoritet lidhet me sfondin historik që në periudhën e ish-Perandorisë Bullgare të Car Samuelit (976-1014), i cili u ngrit kundër Bizantit. Nën sundimin e tij bashkojë krejt Maqedoninë, që nga Selaniku e deri në vargmalet e Ballkanit, për ta zhvendosur me pas qendrën e shtetit Bullgar në Prespë e Ohër.Ëndërra perandorake u shtua dhe në Traktatin e Shën Stefanit, më 3 Mars 1878, ku Rusia kërkonte të krijonte një Bullgari të Madhe që të shtrihej në lindje nga Deti i Zi, në jug në detin Egje dhe në perëndim në vargmalet e Voskopojës, duke përfshirë krahina të Korçës, Pogradecit, Dibrës, etj.

Nisur nga ky kontekst i dikurshëm historik, por tashmë dhe në emër të Europës dhe votës që Bullgaria ka në familjen europiane, axhendën e saj historike përpos përmbushjes me sukses në Shqipëri, dhe vijimit të presionit që po bëhet ndaj Maqedonisë së Veriut, Bullgaria po e ndjek me përpikmëri edhe në Kosovë dhe Serbi.

Vizitat e fundit të zyrtarëve bullgarë, si zëvendëspresidentja Iliana Iotova dhe presidenti Rumen Radev, kanë forcuar gjithashtu kërkesën për njohjen e komunitetit bullgar në Kosovë.

Sipas Bullgarisë, njohja zyrtare e minoritetit bullgar në Kosovë do të përbënte një vazhdim të politikës së saj shtetërore. Ky hap mund të kontribuonte në përfshirjen e Bullgarisë në kushtetutën e Kosovës si një komunitet jo-shumicë dhe gjithashtu mund të ndihmonte Kosovën të siguronte mbështetje në organizatat ndërkombëtare, ndërsa goranët do të mund të përfitonin pasaporta të Bashkimi Evropian.

E njejta skemë dhe në Serbi.

Presidenti bullgar Rumen Radev ka lënë të kuptohet se Sofja mund të rivlerësojë mbështetjen për anëtarësimin e Serbisë në BE për shkak të mënyrës se si Beogradi e trajton pakicën bullgare në vend. Ai ka theksuar se kriteri kryesor për mbështetje është gjendja e bashkatdhetarëve të bullgarëve në këto vende, duke përfshirë kushtet për zhvillimin e tyre ekonomik dhe social, si dhe mbrojtjen e identitetit të tyre kombëtar, gjuhës, kulturës dhe kujtesës historike.

Ndikimi që po përdorin Bullgaria dhe Greqia me bën të mendoj që po krijohet një linjë e caktuar ortodokse që ka për qëllim të mbrojë interesat e minoriteteve në një mënyrë që shpesh është e lidhur me interesat gjeopolitike të këtyre vendeve. Kjo linjë mund të krijojë një ndarje të rëndësishme në Evropë dhe të ndihmojë në forcimin e ndikimit rus në rajonet që kanë minoritete ortodokse ose ku Rusia ka interes ekonomik dhe strategjik.

Një linjë që është përmendur tërthorazi edhe nga vetë presidenti i Rusisë Vladimir Putin.

“Dinamika e irredentizmit bullgar në Ballkan”

Intensiteti i politikës bullgare në krijimin e minoriteteve bullgare në rajon është shfaqur në mënyra të ndryshme, nëpërmjet strategjive të ndryshme, përfshirë ndihmën ekonomike, edukimin dhe promovimin e kulturës bullgare dhe është arritur të krijohet një prezencë më e fortë dhe më e dukshme e minoriteteve bullgare. Megjithatë, është e rëndësishme që këto përpjekje të menaxhohen me kujdes për të mos rrezikuar marrëdhëniet ndër-rajonale, apo për të mos shkuar drejt një politike nacionaliste.

Thonë se historia përsëritet, sidomos kur ajo harrohet.

Por mjafton të kthehemi në retrospektivë, që të kuptojmë se aktiviteti gjeopolitik bullgar i ka rrënjët në dëshirën për të rimarrë tokat që dikur ishin pjesë e Perandorisë Bullgare ose të lidhura ngushtë me kulturën dhe historinë bullgare.

Ky rajon përfshin pjesë të Greqisë veriore, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Pretendimet historike u nxitën nga prania e bullgarëve etnikë dhe lidhjeve kulturore.

E pra, irredentizmi bullgar lindi në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, kur ideja e bashkimit të të gjithë bullgarëve etnikë nën një shtet ishte një qëllim i rëndësishëm politik. Pretendimet historike, të cilat kanë lindur shekuj më parë, vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet rajonale, sidomos përmes pretendimeve të pakicave.

Irredentizmi, pavarësisht nga ku lind është një faktor që minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkan. Por që ky irredentizëm të mos jehojë në vendet tona, është me rëndësi që historia dhe kufijtë e saj antik të mos shërbejnë si një barrierë për bashkëpunimin dhe paqen, por si një pikë reference për të ndihmuar në krijimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Foto: Argumentum

 

QËNDRONI TË LIDHUR