• e shtunë, 28 dhjetor 2024

KE-ja: Të vendosen masa më efikase kundër korrupsionit gjatë ciklit të furnizimeve

KE-ja:  Të vendosen masa më efikase kundër korrupsionit gjatë ciklit të furnizimeve

Shkup, 11 nëntor 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në fushën e prokurimit publik dhe ka arritur progres të kufizuar në periudhën raportuese, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2023.

Në dokument theksohet se duhet të rritet kapaciteti i institucioneve kyçe kontraktuese dhe operatorëve ekonomikë përmes trajnimeve të vazhdueshme.

"Autoritetet kombëtare duhet të prezantojnë masa më efektive kundër korrupsionit gjatë ciklit të furnizimit. Dhënia e drejtpërdrejtë e kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-d ngre shqetësime sepse e përjashton projektin nga zbatimi i Ligjit për Furnizime Publike", thekson KE-ja.

Sipas vlerësimit në Raport, rekomandimet nga raporti i vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht dhe për këtë arsye mbeten ende të vlefshme, ndërsa janë dhënë rekomandime edhe për institucionet kompetente.

Në vitin e ardhshëm thuhet se duhet të miratohet ligji për partneritetin publik-privat dhe ligji për koncesionet, për harmonizimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor në këto fusha me të drejtën e BE-së. Gjithashtu, për të përmirësuar koordinimin ndërmjet aktorëve kryesorë dhe për të forcuar kapacitetet e tyre për të zbatuar parimet e transparencës, konkurrencës së lirë, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Është e nevojshme, shtohet, të rritet më tej përdorimi i kritereve për "ofertën ekonomike më të favorshme" (most economically-advantageous tender) gjatë dhënies së kontratave dhe përmirësimit të monitorimit të procedurave të furnizimit publik përmes raportimit dhe monitorimit efikas të parregullsive, rastet e konfliktit të interesit dhe praktikave mashtruese", thuhet në Raport.

Vendosja institucionale dhe pajtueshmëria ligjore

Në kontekst të kuadrit ligjor për furnizimin publik, thuhet se ai është në masë të madhe në përputhje me ligjin e BE-së. Praktika e futjes në listën e zezë të firmave për sjellje të pahijshme profesionale në fazat e furnizimit ka vazhduar, megjithëse kjo nuk është në përputhje me rregullat e BE-së. Në vitin 2022 janë lëshuar 55 referenca negative ndaj 50 operatorëve ekonomikë, prej të cilëve 21 kanë skaduar dhe nëntë janë hequr nga Byroja e Furnizimit Publik. Deri në fund të vitit 2022, gjithsej 25 referenca negative ishin aktive në vitin 2022, si dhe gjashtë referenca negative të lëshuara në vitet 2018 dhe 2019. Së pari do të finalizohet dhe miratohet ligji për PPP-të  dhe pritet edhe ligji për koncesionet.

Strategjia e furnizimit publik 2022-2026 është në vazhdim. Sipas raportit të parë të monitorimit të vitit 2022, 68 për qind e aktiviteteve janë realizuar plotësisht, 8 për qind janë në vazhdim dhe 24 për qind janë zhvendosur në vitin 2023. Byroja e Furnizimit Publik (BFP) vazhdoi të modernizojë dhe përmirësojë sistemin e furnizimit publik të vendit dhe të forcojë performancën dhe funksionalitetin e sistemit. Megjithatë, kapaciteti, monitorimi dhe kompetencat e BFP-së duhet të forcohen.

Byroja për Furnizime Publike dhe Ministria e Ekonomisë vazhduan aktivitetet për anëtarësim në Marrëveshjen e OBT-së për furnizime shtetërore (GPA). Më 7 qershor 2023, Komisioni i Furnizimeve qeveritare mori vendim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në GPA.

Në vitin 2022, është nënshkruar një Memorandum mirëkuptimi për shkëmbimin e informacionit dhe standardizimin e procedurave ndërmjet Byrosë për Furnizime Publike Publike, Komisionit Shtetëror për Ankesa, Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Entit Shtetëror për Revizion dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Kjo duhet të rezultojë në një shkëmbim më efektiv të të dhënave dhe informacionit në mënyrë që të forcohet qëndrueshmëria dhe integriteti në zbatimin e kuadrit ligjor.

Kapaciteti i Ministrisë së Ekonomisë, si kompetente për koncesionet dhe partneritetin publik privat, sipas Raportit, mbetet i kufizuar. Në vitin 2022 është lidhur vetëm një kontratë e re për themelimin e një PPP. Regjistri i PPP-ve dhe regjistri i koncesionit nuk janë krijuar ende.

Sistemi elektronik për furnizimin publik, vlerëson KE-ja, funksionon me efikasitet. Pavarësisht zhvillimit të një platforme e-tregu dhe e-katalogu, furnitorët kanë treguar pak interes për përdorimin e këtij sistemi. Në vitin 2022 janë realizuar 70 blerje me vlerë të ulët me e-tregun. Planet vjetore për furnizim të autoriteteve kontraktore publikohen rregullisht në sistemin elektronik të furnizimit publik. Moduli i arkivit elektronik siguron integritetin e procedurave elektronike duke e mbajtur dokumentacionin në formë origjinale elektronike, ndërsa moduli i ankesave elektronike siguron shkëmbimin elektronik të të dhënave me procedurat e ankimimit.

Kapacitet për implementim dhe zbatim

Në vitin 2022, tregu i furnizimeve publike përbënte 8.6 për qind të PBB-së së vendit krahasuar me 11 për qind në vitin 2021. Ai përfaqëson 25 për qind të buxhetit të shtetit. Kapaciteti i autoriteteve kontraktore qendrore dhe lokale duhet të forcohet. Lidhur me kriteret për ndarje që përdoren në procedurat e prokurimit publik, përdorimi i "ofertës ekonomikisht më të favorshëm" (MEAT) është ende i kufizuar. Në vitin 2022, këto kritere janë zbatuar vetëm në 1383 nga 22 901 thirrje për furnizim (6.03%). Nevojitet organizimi i trajnimeve të vazhdueshme të autoriteteve kontraktore për zbatimin e këtij kriteri.

Kapaciteti për të menaxhuar proceset e prokurimit publik duhet të forcohet më tej, rekomandon KE-ja, veçanërisht nga autoritetet vendore, për të siguruar një qasje më koherente për menaxhimin e ciklit të furnizimeve. Cilësia e dokumentacionit të tenderit mbetet një sfidë për autoritetet më të vogla kontraktuese. Gjithashtu vihet re se mekanizmat rregullator dhe institucional për integritetin dhe konfliktin e interesit janë ende të pamjaftueshëm. Nuk ka asnjë sistem vlerësimi të rrezikut të integruar në ciklin e prokurimit për të ofruar informacion në kohë mbi praktikat e mundshme korruptive ose për të evidentuar parregullsitë.

Një sistem efektiv i mjeteve juridike

Legjislacioni për të drejtën e një mjeti juridik është kryesisht në përputhje me ligjin e BE-së. Por kapaciteti i Komisionit Shtetëror për Ankesa është i pamjaftueshëm për t'u marrë me numrin e ankesave (967 në 2022, 1 109 në 2021). Kërkohet personel shtesë i kualifikuar për të siguruar përpunimin në kohë të ankesave. Gjatë periudhës raportuese, në Gjykatën Administrative janë dorëzuar 83 ankesa kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Ankesave.

"Për të parandaluar korrupsionin, strategjia e furnizimeve publike përfshin masa për të luftuar korrupsionin dhe konfliktin e interesit. Megjithatë, ndjekja e raporteve të flamurit të kuq të postuara në faqen e internetit të BFP është e pamjaftueshme. Vendi duhet të përmirësojë koordinimin institucional të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me institucionet ligjzbatuese për të ndjekur gjetjet e raporteve të flamurit të kuq", thuhet në Raportin e KE-së në pjesën e furnizimeve publike. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR