BDI: Skandali i përfaqësuesit të lartë të VLEN me delegacionin e Shqipërisë!
- Shkup, 28 dhjetor 2024
Shkup, 28 dhjetor 2024
Pyesim Kryetarin e VLEN -it, Afrim Gashin: a ishte një akt i qëllimshëm për të mohuar rëndësinë e gjuhës shqipe apo besimi i gabuar se shqipja është thjesht një gjuhë përkthimi, arsyeja pse ju shokuat delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vizitës së tyre në Shkup?
Pse, kur ata ju drejtuan në gjuhën tuaj amtare, ju vendosët të përgjigjeni dhe të zhvilloni të gjithë bisedën në maqedonisht, me përkthyes në shqip?
Ky veprim nuk është thjesht një lëshim protokollar, por një mohim i hapur i identitetit kombëtar dhe një poshtërim për gjithë shqiptarët.
Me këtë keni përçuar një mesazh të rrezikshëm se gjuha jonë, që është simbol i ekzistencës dhe unitetit tonë kombëtar, nuk meriton të përdoret as në komunikimin e folur.
Si mundet një përfaqësues shqiptar të refuzojë të flasë në gjuhën e tij amtare përpara përfaqësuesve të Shqipërisë dhe përpara qytetarëve shqiptarë që presin nga ai të mbrojë dhe promovojë identitetin e tyre?
Ky akt është një turp që i tejkalon kufijtë e një incidenti dhe tregon një mungesë të thellë respekti ndaj gjuhës dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Një përfaqësues që mohon gjuhën dhe identitetin e tij nuk mund të ketë legjitimitet moral për të folur në emër të shqiptarëve.
Shqiptarët meritojnë përfaqësues që kanë guximin dhe krenarinë për të mbrojtur vlerat dhe interesat tona kombëtare, jo individë që ulin kokën dhe nënshkruajnë poshtërimin.
Nëse keni ende ndjenjë përgjegjësie dhe dëshirë për të kursyer dinjitetin tuaj të mbetur, bëni aktin e vetëm të ndershëm dhe dorëhiquni menjëherë.
Shqiptarët nuk mund të përfaqësohen nga dikush që e mohon vetveten dhe shërben interesave që kërkojnë të zbehin rëndësinë e gjuhës dhe kulturës sonë.
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.