• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

KE filloi procedurë kundër TikTok për shkak të "rreziqeve të zgjedhjeve"

KE filloi procedurë kundër TikTok për shkak të

Bruksel, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Komisioni Evropian hapi një procedurë zyrtare kundër TikTokut nën dyshimin për mosrespektim të obligimeve nga Ligji për shërbime digjitale të BE-së (DSA) për vlerësim dhe zbutje të rreziqeve sistematike lidhur me integritetin zgjedhor, veçanërisht në kontekst të zgjedhjeve presidenciale në Rumani të mbajtura më 24 nëntor.

Në lidhje me vendimin e tillë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, porositi se BE-ja duhet t'i mbrojë demokratët e saj nga çdo lloj përzierje e huaj.

"Sa herë që dyshojmë për një ndërhyrje të tillë, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri. Pas indikacioneve serioze se aktorë të huaj ndërhynë në zgjedhjet presidenciale rumune duke përdorur TikTok, ne tani po hetojmë tërësisht nëse TikTok ka shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale duke dështuar të adresojë rreziqe të tilla. Duhet të jetë e qartë se në BE, të gjitha platformat onlajn, përfshirë TikTokun, duhet të përgjigjen", theksoi Fon der Lajen.

Sipas nënkryetares ekzekutive të Komisionit Evropian për sovranitet teknik, siguri dhe demokraci, Hena Virkunen, Bashkimi Evropian ka përgjegjësi t'i mbrojë proceset e saj demokratike nga manipulimet dhe përzierjet potenciale.

"Jam e bindur se hetimi ynë për praktikat e TikTokut do të kontribuojë për një mjedis më të sigurt dhe më të besueshëm onlajn për të gjithë qytetarët e BE-së dhe me padurim pres bashkëpunim të ngushtë me TikTokun që të zgjidhen të gjitha brengat që mund të paraqiten", shtoi Virkunen.

Siç njoftoi KE, hetimi do të përqendrohet në adresimin e rreziqeve paszgjedhore ose të diskursit civil që lidhen me sistemin e rekomandimeve të TikTok, manipulimin e koordinuar joautentik ose abuzimin e automatizuar të shërbimit, si dhe politikat e rrjetit social për reklamat politike dhe përmbajtjet politike me pagesë.

"Nëse vërtetohet se dyshimet e Komisionit janë të sakta, kjo do të përbënte shkelje të neneve 34 paragrafi 1 dhe 2 dhe nenit 35 paragrafi 1 të DSA. Komisioni tani do të kryejë një hetim të thelluar si çështje prioritare. Hapja e procedurës formale nuk paragjykon rezultatin e saj", thuhet në njoftimin e KE-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR