Kasemi: Hezbollahu është i gatshëm për invazionin tokësor izraelit ndaj Libanit
- Zëvendës shefi i Hezbollahut, Naim Kasemi në fjalimin e tij të parë pas eliminimit të liderit Hasan Nasralla nga ushtria izraelite javën e kaluar, deklaroi se lëvizja është e gatshme t'i kundërvihet invazionit tokësor izraelit ndaj Libanit.
- Post By Fami Bajrami
- 15:15, 30 shtator, 2024
Bejrut, 30 shtator 2024 (MIA) – Zëvendës shefi i Hezbollahut, Naim Kasemi në fjalimin e tij të parë pas eliminimit të liderit Hasan Nasralla nga ushtria izraelite javën e kaluar, deklaroi se lëvizja është e gatshme t'i kundërvihet invazionit tokësor izraelit ndaj Libanit.
"Izraeli nuk do t'i realizojë qëllimet e veta. Ne do të përballemi me çdo mundësi dhe jemi të gatshëm nëse izraelitët vendosin të futen (në Liban) nga toka, ndërsa forcat e rezistencës janë të gatshme të luftojnë në tokë", thekson Kasemi.
Ai shton se Hezbollahu "në rastin e parë" do të zgjedhë pasuesin e Nasrallahut.
Sipas Kasemit, Hezbollahu vazhdon operacionet dhe vepron sipas planeve të miratuara më parë. Ai i përshkroi sulmet e deritanishme si "minimale", ndërsa parasheh se lufta kundër Izraelit mund të zgjasë.
Më herët, mediat izraelite dhe perëndimore bënë të ditur se një ofensivë tokësore izraelite në Liban është gjithnjë e më e sigurt. Një burim anonim i sigurisë deklaroi se edhe pse ende nuk është marrë asnjë vendim politik, ushtria izraelite (IDF) po përfundon "operacione të rëndësishme" si përgatitje për invazion tokësor në Libanin jugor.
"Qëllimi i manovrave tokësore është shkatërrimi i caqeve, por edhe projektimi i fuqisë së Izraelit dhe IDF-së në Lindjen e Mesme, veçanërisht mbi Hezbollahun", thekson ai.
Sipas vlerësimit të Izraelit, rrjeti i tuneleve të Hezbollahut është disa qindra kilometra i gjatë. Pretendohet se Hezbollahu përdor tunelet për t'u futur në Izrael, megjithëse disa prej tyre janë shkatërruar në vitin 2019 nga ana e ushtrisë izraelite.
Foto: EPA