• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kabineti i Shtajnmaer për “Gazeta Express”: Osmanit i është thënë se duhen hapa konkretë për AKSHS-në

Kabineti i Shtajnmaer për “Gazeta Express”: Osmanit i është thënë se duhen hapa konkretë për AKSHS-në

Prishtinë, 17 maj 2024 (MIA) - Kabineti i presidentit gjerman, Frank-Valter Shtajnmaer në një deklaratë për portalin “Gazeta Express” ka konfirmuar se ai në një bisedë telefonike me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, ka theksuar se për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nevojiten hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKSHS) në Kosovë.

Në deklaratën për portalin e Prishtinës, thuhet se presidenti Shtajnmaer ka theksuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimet evropiane të Kosovës, për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, si dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Në bisedën telefonike me Presidenten e Kosovës, Presidenti Federal i Gjermanisë theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Federal më tutje nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet kosovare”, kanë thënë për Gazetën Express nga Zyra për Media e Presidencës së Gjermanisë.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, Osmani më 15 maj publikoi se një ditë më parë kishte bisedë telefonike me homologun gjerman, ku e theksoi rëndësinë e madhe që të përfundojë me sukses procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Valter Shtajnmar për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Theksova rëndësinë jetike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, publikoi presidentja e Kosovës në faqen e saj zyrtare në "Iks" më 15 maj.

Biseda telefnike mes Osmanit dhe Shtajnmaer u zhvillua pak ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kur dihej qëndrimi i fortë i Qeverisë së kancelarit Olaf Sholc se Kosova duhet të bëjë hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që të marrë përkrahjen e aleatëve për të hyrë në rend dite të Komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës dhe për të marrë votat e nevojshme për anëtarësim. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR