• e enjte, 26 dhjetor 2024

IDF: Në Gazë dje kanë hyrë një rekord prej 468 kamionësh me ndihma

IDF: Në Gazë dje kanë hyrë një rekord prej 468 kamionësh me ndihma

Jerusalem, 10 prill 2024 (MIA) - Në tre ditët e fundit në Rripin e Gazës kanë hyrë më shumë se 1200 kamionë me ndihma humanitare, prej të cilëve 468 kanë arritur vetëm dje, që është numri më i madh i kamionëve me ndihma humanitare që nga fillimi i lufta mes Izraelit dhe Hamasit palestinez, kumtoi ushtria izraelite (IDF).

Kjo vjen në një kohë kur Izraeli është nën presionin ndërkombëtar në rritje për të ofruar më shumë ndihmë për civilët e uritur në Gazë.

"Këta 468 kamionë që kaluan kontrollin dhe arritën në Gazë përfaqësojnë numrin më të madh të kamionëve të ndihmës që kanë hyrë brenda një dite që nga fillimi i luftës," kumtoi armata.

Shërbimi i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite, e cila i koordinon aktivitetet civile të ushtrisë në territoret palestineze, njoftoi se 322 kamionë hynë në enklavë të dielën dhe 419 të tjerë të hënën.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRVA, në mars në Gazë kanë hyrë mesatarisht 150 kamionë në ditë, që është shumë më pak se 500 kamionë në ditë që hynë në territor para luftës që filloi më 7 tetor me një sulm të Hamasit në Izraelin jugor. .

Për javë të tëra, organizatat ndërkombëtare dhe SHBA-ja kanë ushtruar presion ndaj Izraelit që të hapë vendkalimet në veri të territorit palestinez, ku kriza humanitare është më e rëndë.

Armata izraelite kumtoi se nga 468 kamionë që dje kanë hyrë në Gazë, 47 ishin të destinuar për në veri të territorit. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR