• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hungaria e shtyn huanë nga G7 për Ukrainën deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Hungaria e shtyn huanë nga G7 për Ukrainën deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Budapest, 8 tetor 2024 (MIA) – Hungaria do ta shtyjë marrëveshjen përfundimtare për huanë e G7 për Ukrainën, në vlerë prej 50 miliardë dollarë, deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, përmes shtyrjes së vendimit të saj lidhur me vazhdimin e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, njoftoi ministri hungarez i Financave, Mihaj Varga. 

Uashingtoni kërkon nga BE-ja që ta shqyrtojë afatin për rinovimin e sanksioneve nga çdo gjashtë muaj në tre vjet, që të mund të sigurojë rreth 20 miliardë dollarë për huanë e G7, që do të jetë në përputhje me kontributin e Bashkimit Evropian, sqarojnë përfaqësues të BE-së.

Dhjetë miliardat e tjera do të sigurohen nga vendet anëtare të G7, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Japonia, të cilat tashmë janë përfshirë në marrëveshje. Huaja, e dakorduar në qershor nga liderët e G7, do të financohet me të ardhura nga mjetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse, në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarë, pas pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022. 

“Vlerësojmë se çështja e vazhdimit të sanksioneve kundër Rusisë duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve në SHBA. Duhet të shohim se si do të veprojë administrata e ardhshme amerikane”, deklaroi Varga në konferencë për media. 

Bashkimi Evropian njoftoi se të ardhurat nga mjetet e ngrira ruse në Perëndim mund të shfrytëzohen për hua në vlerë deri 45 miliardë euro. Pjesa më e madhe e mjeteve gjenden në Evropë, ndërsa BE-ja mund të sigurojë deri 35 miliardë euro për huanë e G7.

Çështja do të diskutohet në takimin e ministrave të Financave të G7 në Uashington në fund të tetorit, por vendimi i Hungarisë nënkupton se shpërndarja përfundimtare e huasë do të shtyhet deri në zgjedhjet e 5 nëntorit. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR