• e enjte, 26 dhjetor 2024

Himenez për incidentin me tifozët kolumbianë: Familjet tona ishin në rrezik

Himenez për incidentin me tifozët kolumbianë: Familjet tona ishin në rrezik

Sharlot, 11 korrik 2024 (MIA) – Futbollisti i Uruguait, Hose Himenez ka shpjeguar se pse erdhi deri te përplasja fizike mes futbollistëve të reprezentacionit dhe tifozëve të Kolumbisë pas ndeshjes gjysmëfinale të Kopa Amerika të luajtur mbrëmë në Sharlot të SHBA-së.

"Tifozët nga një sektor i caktuar i Kolumbisë krijuan kërcënim për të gjitha familjet tona. Kjo është katastrofale, familjet tona ishin në rrezik. Ne u desh të shkonim në tribuna për të tërhequr të afërmit tanë me foshnjat e porsalindura. Nuk kishte asnjë polic, ata u larguan pas gjysmë ore. Në çdo ndeshje, familjet tona vuajnë për shkak të dy apo tre personave që pijnë dhe të cilët sillen në mënyrë jo njerëzore”, deklaroi Himenez për “El Observador”.

Kolumbia do të përballet me Argjentinën në finalen e Kopa Amerika. Ndeshja do të luhet më 15 korrik.

Uruguaianët do të luajnë me kanadezët në ndeshjen për vendin e tretë, që do të luhet një ditë më parë.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR