• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjermania e miratoi kërkesën e Polonisë për dërgim të MiG-29 në Ukrainë

Gjermania e miratoi kërkesën e Polonisë për dërgim të MiG-29 në Ukrainë

Berlin, 13 prill 2023 (MIA) - Gjermania e miratoi kërkesën e Polonisë për dërgimin e aeroplanëve të vjetër gjermanë MiG -29 në Ukrainë, njoftoi sot Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Polonia kërkoi leje nga Berlini për dërgimin e pesë aeroplanëve të vjetër gjermanë MiG-29 për fuqizimin e forcave ajrore të Ukrainës në mbrojtjen nga agresioni rus. 

Ministria polake e Mbrojtjes ende nuk e komentoi kumtesën e Berlinit.

Gjermania trashëgoi 24 aeroplanë MiG-29 nga ish Gjermania Lindore në procesin e ribashkimit në vitin 1990. Në atë kohë, aeroplanët e tillë luftarakë konsideroheshin si më të avancuarit në botë. 

Në vitin 2004, Berlini dorëzoi 22 aeroplanë të tillë për forcat ajrore polake. Nga dy të tjerët, njëri është shkatërruar, ndërsa tjetri është në muze. 

Që të mundet ata aeroplanë t'ia dërgojë një vendi të tretë, në këtë rast Ukrainës, Polonia duhet të kërkojë leje nga Berlini.

Presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski gjatë vizitës së tij në Varshavë javën e kaluar deklaroi se Polonia do të ndihmojë në formimin e koalicionit të vendeve perëndimore i cili do të dërgojë aeroplanë ushtarakë në Kiev. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR