Gir: Ndryshimet kushtetuese janë çështje të cilën qeveria e re do të duhet ta zgjidhë
- - Nuk mendoj se situata ka ndryshuar në mënyrë drastike prej para zgjedhjeve e deri pas tyre, tha euroambasadori Dejvid Gir, në emisionin Top Tema në Telma ku sonte ishte mysafir, në çështjen për ndryshimet kushtetuese të cilat janë të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit.
- Post By Fitore Curri
- 21:37, 6 qershor, 2024
Shkup, 6 qershor 2024 (MIA) - Nuk mendoj se situata ka ndryshuar në mënyrë drastike prej para zgjedhjeve e deri pas tyre, tha euroambasadori Dejvid Gir, në emisionin Top Tema në Telma ku sonte ishte mysafir, në çështjen për ndryshimet kushtetuese të cilat janë të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit.
Ai shtoi se pas gati "bisedimeve të mundimshme dyvjeçare me Bullgarinë është arritur marrëveshje me të cilën u zhbllokua procesi i integrimeve evropiane të vendit, por edhe me të cilën vendi ka ndërmarrë detyrime të caktuara".
"Pjesë e asaj marrëveshjeje ishte se do të kishte ndryshime në Kushtetutë, për të përfshirë personat që identifikohen si bullgarë nën mbrojtjen e vetë Kushtetutës. Kjo nuk ka ndryshuar, ende situata është e tillë. Pra, kjo do të jetë çështje që Qeveria e re do të duhet ta zgjidhë,drejtpërdrejt", tha Gir.
Sipas tij, qeveria e re ndoshta do ta shfrytëzojë opsionin të bisedojë me Bullgarinë.
"Por unë gjithmonë kam thënë se kemi një marrëveshje që është arritur me shumë vështirësi, është e vështirë për mua të imagjinoj se do të ishte e mundur të gjendej një marrëveshje më e mirë dhe nuk shoh mundësinë e ndryshimeve në Kornizën e negociatave", theksoi Giri.
Euroambasadori porositi se qeveria duhet të përfshihet dhe të mendojë se si do të veprojë më tutje për këtë çështje, duke u fokusuar në qëllimin kyç, ndërsa ai është që ky vend me vendosmëri të përparojë drejt BE-së.
"Është mënyra më e mirë, jo vetëm për të siguruar prosperitetin e saj, mjedisin demokratik, por edhe për të forcuar identitetin e saj, gjë që e kemi parë me shumë shtete të tjera anëtare, të cilat në procesin e anëtarësimit duhej të merrnin vendime të vështira. Mendoj se çështja tani është të ecim përpara në këtë çështje dhe të fokusohemi në reformat dhe hapat që duhej të ndërmerreshin për të siguruar që ky vend të mund të gëzojë vërtet përfitimet e anëtarësimit në BE sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi Gir.
Ai theksoi se e gjithë kjo ndodh për shkak të momentumit për zgjerim i cili për momentin ekziston në Union, ndërsa veprimet e vetë Komisionit dhe 27 vendeve anëtare e konfirmojnë atë fakt.
Gir vlerëson se shteti është i aftë që shpejtë t'i zbatojë reformat e nevojshme dhe të përfshihet në Union, por për këtë është e nevojshme vendosmëri politike absolute.
"Ekziston një atmosferë e përgjithshme e zymtë, një ndjenjë se 'shtylla' është zhvendosur, se asgjë nuk mund të arrihet. Nuk është kështu, ky është një vend i vogël, ju nuk e keni nisur nga zeroja, në fakt keni nisur nga arritje të rëndësishme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës, arritje të rëndësishme në shumë fusha që mund të përmirësohen. Ju keni forcën në administratën tuaj për ta bërë atë, ajo mund të ndodhë. Pra, hapat përpara janë të realizueshëm dhe janë praktikë, por ajo që duhet është një vendosmëri politike absolute, përtej ndarjeve politike, për të thënë 'ky është projekti ynë kombëtar, ne duam të anëtarësohemi në BE deri atëherë dhe do të ndërmarrim hapa për të arritur atje", theksoi Gir.
Lidhur me Planin e rritjes, porositi se Plani, të cilin vitin e kaluar e prezantoi Komisioni Evropian, duhet të kuptohet si nxitje për ata që duan të përparojnë në rrugën drejtë BE-së. "Por, ai nuk është i nevojshëm që të zbatohen reformat në Maqedoninë e Veriut", tha ai.
Qëllimi i atij plani, tha Giri, është përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve dhe afrimi në standardet e Unionit, që mund të arrihet në disa mënyra, por para së gjithash, përmes marrjes së qasjes në disa pjesë të caktuara nga tregu i përbashkët i BE-së. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s