Gashi-Lekler: Shteti është shembull në rajon për zgjidhjen e çështjes së personave pa shtetësi
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me drejtorin rajonal të UNHCR-së për Evropë, Filip Lekler, me të cilin kanë biseduar për politikat e vendit tonë në lidhje me refugjatët, si dhe me personat pa shtetësi. Në takim të dy bashkëbiseduesit konfirmuan se vendi ynë është shembull në rajon për zgjidhjen e çështjes së personave pa shtetësi.
- Post By Sara Ademi
- 16:21, 12 dhjetor, 2024
Shkup, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me drejtorin rajonal të UNHCR-së për Evropë, Filip Lekler, me të cilin kanë biseduar për politikat e vendit tonë në lidhje me refugjatët, si dhe me personat pa shtetësi. Në takim të dy bashkëbiseduesit konfirmuan se vendi ynë është shembull në rajon për zgjidhjen e çështjes së personave pa shtetësi.
Siç njoftuan nga Kuvendi, Gashi u shpreh i kënaqur që falë bashkëpunimit intensiv të Kuvendit me UNHCR-në, përmes ndryshimeve në Ligjin për evidencën e amzës dhe Ligjin për të huajt dhe zbatimin e tyre në praktikë, arritëm të zgjidhim problemin e personave pa shtetësi, duke tejkaluar problemin e mbi 700 personave pa shtetësi.
Në takim mori pjesë edhe Gabriel Gualano de Godoj, përfaqësues i Agjencisë së KB-së për Refugjatë, UNHCR, në Maqedoninë e Veriut.
"Kryetari Gashi theksoi se vendi ynë në 30 vitet e fundit ka pasur bashkëpunim shumë të suksesshëm dhe intensiv me UNHCR-në, i përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe përmirësimin e statusit të refugjatëve, gjë që ka rezultuar me një sërë projektesh të suksesshme. Ai përkujtoi se vendi ynë në disa raste deri më tani ka treguar qëndrimin human ndaj refugjatëve nga rajoni, si dhe nga Lindja e Afërt dhe Ukraina", kumtuan nga Kuvendi.
Kryetari Gashi shtoi se në kohë sfidash globale, bota demokratike ka për obligim që t'i ndihmojë refugjatët, në mënyrë që ata t'i kalojnë më lehtë dhe më shpejt sprovat me të cilat përballen dhe të fitojnë mundësi për jetë dinjitoze, e cila është e drejtë themelore e njeriut.
Drejtori i UNHCR-së për Evropë, Lekler theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull për rajonin, por edhe më gjerë për mënyrën se si e zgjidh çështjen e personave pa shtetësi dhe theksoi se puna e bërë nga vendi ynë ka sjellë rezultate konkrete dhe të dukshme.
Lekleri e theksoi bashkëpunimin e UNHCR-së me Unionin Interparlamentar (UIP) dhe propozoi që Kryetari Gashi në kuadër të kësaj organizate, që i bashkon parlamentet në nivel botëror, t'i prezantojë politikat e suksesshme të vendit tonë në fushën e personave pa shtetësi.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në periudhën e ardhshme. sa/
Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut