• e mërkurë, 17 korrik 2024

Fillon seanca konstituive e Parlamentit Evropian

Fillon seanca konstituive e Parlamentit Evropian

Strasburg, 16 korrik 2024 (MIA) - Deputetët e përbërjes së re të 10-të të Parlamentit Evropian sot në Strasburg do të mbajnë seancë konstituive, ku duhet të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, e më pas të votojnë për zgjedhjen e Ursula fon der lajen për kryetar të Komisionit Evropian për mandatin e dytë.

Seanca konstituive e PE-së zgjat nga 16 deri më 19 korrik.

Eurodeputetët duhet të rizgjedhin maltezen Roberta Mecola (EPP) për kryetare të PE-së, si dhe nënkryetarët e Parlamentit. Mecola është në krye të PE-së nga janari 2022. Kryetari i Parlamentit Evropian zgjidhet për një periudhë dyvjeçare e gjysmë, me votim të fshehtë dhe është e nevojshme të merret shumica absolute e votave.

Nëse ai nuk merr vota të mjaftueshme në raundin e parë, mund të mbahen edhe dy raunde të tjera votimi, dhe nëse nuk ka fitues pas raundit të tretë, dy kandidatët me më shumë vota hyjnë në raundin e katërt, në të cilin zgjidhet fituesi me shumicë të thjeshtë.

Në ditën e parë të seancës zgjidhen 14 nënkryetarë, po me votim të fshehtë.

Deputetët që marrin shumicën absolute të votave në raundin e parë shpallen të zgjedhur sipas renditjes së votave të marra. Nëse pas raundit të parë ka ende vende të lira, mbahet raundi i dytë dhe më pas një i tretë për të cilin mjafton shumica relative.

Në ditën e dytë të seancës, më 17 korrik, Parlamenti Evropian do të vendosë për zgjedhjen e pesë personave, të cilët janë përgjegjës për çështje administrative dhe financiare që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me deputetët.

Gjithashtu, anëtarët e PE-së duhet të vendosin për numrin dhe përbërjen e komisioneve dhe nënkomisioneve.

Votimi për zgjedhjen e Ursula fon der Lajen si kryetare e Komisionit Evropian për një mandat të dytë është planifikuar për më 18 korrik dhe për t'u zgjedhur ajo duhet të marrë të paktën 361 vota nga gjithsej 720 deputetë. Votimi është i fshehtë.

Nëse ai merr mbështetje në PE-ja, Fon der Lajen duhet të publikojë ndarjen e resoreve në Komision në fillim të shtatorit, dhe përfundimisht të gjithë komisionerët (përfshirë kryetarin dhe Përfaqësuesin e Lartë të Unionit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë) duhet të marrin pëlqimin e Parlamentit Evropian. ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR