Fezer: Disa nga sirianët në Gjermani do të duhet të kthehen në atdheun e tyre
- Një pjesë e sirianëve të arratisur në Gjermani mund të urdhërohet të kthehen në atdheun e tyre në kushte të caktuara, tha ministrja e Punëve të Brendshme gjermane, Nensi Fezer, cituar nga DPA.
- Post By Sara Ademi
- 10:33, 5 janar, 2025
Berlin, 5 janar 2025 (MIA) - Një pjesë e sirianëve të arratisur në Gjermani mund të urdhërohet të kthehen në atdheun e tyre në kushte të caktuara, tha ministrja e Punëve të Brendshme gjermane, Nensi Fezer, cituar nga DPA.
“Siç parashikohet me ligjin tonë, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) do të shqyrtojë dhe tërheqë mbrojtjen e dhënë, nëse njerëzit nuk kanë më nevojë për një mbrojtje të tillë në Gjermani, pasi situata në Siri stabilizohet”, tha Fezer.
Ajo nënvizoi se kjo do të vlejë për ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë për arsye të tjera, si puna apo arsimimi dhe nuk kthehen vullnetarisht në Siri.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Brendshme po punojnë së bashku për të krijuar një pasqyrë më të qartë të situatës në Siri pas rrëzimit të sundimtarit shumëvjeçar Bashar al-Asad.
"Ne jemi veçanërisht të fokusuar në çështjet që lidhen me sigurinë", shënon Fezer. Qeveria gjermane gjithashtu punon në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.
"Ata që janë të integruar mirë, kanë një punë, kanë mësuar gjuhën gjermane dhe janë nisur për në një vend të ri, duhet të vendosen të qëndrojnë në Gjermani. Njerëzit që duan të kthehen duhet të mbështeten. Kriminelët dhe islamistët duhet të deportohen sa më parë. Opsionet ligjore për këtë janë zgjeruar ndjeshëm dhe do të përdoren sapo ta lejojë situata në Siri", shtoi Fezer.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, aktualisht në Gjermani jetojnë rreth 975 mijë sirianë. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s