• e premte, 08 nëntor 2024

Evropianët janë të hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por jo për Ballkanin Perëndimor, pranimi i Maqedonisë së Veriut mbështetet me 26 për qind

Evropianët janë të hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por jo për Ballkanin Perëndimor, pranimi i Maqedonisë së Veriut mbështetet me 26 për qind

Bruksel, 12 dhjetor 2023 (MIA) - Evropianët janë të hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por janë skeptikë për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Turqisë, sipas një sondazhi të realizuar në gjashtë shtete anëtare të BE-së në prag të Samitit të kësaj jave të BE-së, në të cilin do të diskutohet zgjerimi, transmeton britanikja “Guardian”.

Evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë së anëtarësimit të Ukrainës në BE, pavarësisht kostove dhe rreziqeve, por janë të vakët në rastin më të mirë për një zgjerim të mundshëm të bllokut me Gjeorgjinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian muajin e kaluar rekomandoi fillimin e bisedimeve të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do ta diskutojnë këtë në një samit në Bruksel këtë javë - megjithëse kryeministri hungarez Viktor Orbán ka thënë vazhdimisht se ai kundërshton hapjen e negociatave me Kievin.

Një sondazh i gjashtë vendeve anëtare të BE-së i kryer me kërkesë të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) tregoi mbështetje të konsiderueshme për kandidaturat e Ukrainës dhe në një masë më të vogël, të Moldavisë dhe Malit të Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike dhe të sigurisë.

Ka një kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të Turqisë në veçanti, si dhe një përgjigje veçanërisht të vakët ndaj perspektivës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Kosovës për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Sondazhi tregoi se mbështetja për hyrjen e Ukrainës ishte më e larta në Danimarkë (50%) dhe Poloni (47%). Ekziston një mendim i ndarë në Rumani (32% pro, 29% kundër), në Gjermani (37% pro, 39% kundër) dhe në Francë (29% pro, 35% kundër). Mbështetja më e ulët për Ukrainën në BE është në Austri, ku 52 për qind e të anketuarve janë kundër saj.

Megjithatë, 45% e të anketuarve janë të shqetësuar se pranimi i Ukrainës do të ketë një ndikim negativ në sigurinë e BE-së, krahasuar me 25% që mendojnë se do ta përmirësojë atë.

Shumë evropianë nuk shohin asnjë përfitim ekonomik nga anëtarësimi i Ukrainës. Ndërsa 43% e të anketuarve në Poloni dhe 37% në Rumani prisnin një ndikim pozitiv në ekonominë e BE-së, 54% në Danimarkë dhe 46% në Austri parashikuan se kjo do të sillte kosto ekonomike në rritje. Polonia me 43% dhe Danimarka me 35% janë më optimistë se pranimi i Ukrainës do të rrisë fuqinë politike të BE-së në botë, në ndryshim nga Austria (42%) dhe Gjermania (32%), të cilët besojnë se do të zvogëlojnë fuqinë politike të BE-së.

Ka një ndarje të qartë midis vendeve anëtare të BE-së "të vjetra" dhe "të reja" për sa i përket zgjerimit. Të anketuarit në Austri (53%), Gjermani (50%) dhe Francë (44%) thanë se BE-ja nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj. Në të kundërt, në Rumani shumica (51%) dhe në Poloni (48%) besojnë se BE-ja duhet të zgjerohet.

Sondazhi tregoi gjithashtu kundërshtim të fortë ndaj mundësisë së anëtarësimit të Turqisë në BE. Mbi 50 për qind e të anketuarve në gjashtë vendet kundërshtojnë idenë e anëtarësimit të Ankarasë.

Edhe evropianët tregojnë një qëndrim të ftohtë ndaj pritjes së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e tyre në BE është më pak se 30%.

Përkrahja më e ulët është për Kosovën (20% janë pro dhe 37% kundër), Shqipërinë (24% pro, 35% kundër), Serbinë (25% pro, 35% kundër) dhe Gjeorgjinë (25% pro, 31% kundër) .

Opinioni është më i barabartë në përqindje për Maqedoninë e Veriut (26% pro, 27% kundër), për Bosnjë dhe Hercegovinën (28% pro, 29% kundër), për Moldavinë (30% pro, 28% kundër) dhe për Malin e Zi (30% për dhe 25% kundër) anëtarësimit në BE.

Pjotër Buras, një bashkëpunëtor i lartë i politikës në ECFR, për “Gardian” deklaroi se ndërsa samiti i kësaj jave do të fokusohet në zgjerimin me Ukrainën dhe vendet e tjera kandidate, debati se si saktësisht të arrihet kjo "mezi ka filluar". Ai beson se duhet të vendoset një "kornizë kohore konkrete" për pranimin.

“Retorika gjeopolitike nga Brukseli maskon shqetësimet e thella në vendet anëtare për pasojat e mundshme të zgjerimit dhe skepticizmin e përhapur në lidhje me aftësinë e BE-së për të apsorbuar anëtarë të rinj”, tha Buras.

Sipas tij, afati kohor do të sigurojë hapësirë për reformat e brendshme të BE-së, do të ndërtojë qëndrueshmëri dhe do t'i tregojë publikut pse zgjerimi është thelbësor. Nga ana tjetër, Engjëllushe Morina, një tjetër bashkëpunëtor i lartë i EFFR-së, vlerëson se samiti mund të jetë “më i rëndësishmi në historinë e re të BE-së”.

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR