“Euronjuz”: Me Radevin mund të ketë ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme të Bullgarisë
- Paraqitja e një partie të re politike të udhëhequr nga ish presidenti Rumen Radev mund të riformësojë ndjeshëm jo vetëm punët e brendshme të Bullgarisë, por edhe politikën e saj të jashtme. Kjo theksohet në analizën e "Euronjuz" me rastin e dorëheqjes së Radevit dhe paralajmërimit se do të fillojë një projekt të ri politik vetëm dy muaj para zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme parlamentare në vend e cila është mbërthyer nga një krizë politike.
- Post By Fami Bajrami
- 09:47, 20 janar, 2026
Bruksel, 20 janar 2026 (MIA) - Paraqitja e një partie të re politike të udhëhequr nga ish presidenti Rumen Radev mund të riformësojë ndjeshëm jo vetëm punët e brendshme të Bullgarisë, por edhe politikën e saj të jashtme. Kjo theksohet në analizën e "Euronjuz" me rastin e dorëheqjes së Radevit dhe paralajmërimit se do të fillojë një projekt të ri politik vetëm dy muaj para zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme parlamentare në vend e cila është mbërthyer nga një krizë politike.
"Qëndrimi i Radevit për luftën në Ukrainë ndryshon ndjeshëm nga ai i qeverive të mëparshme. Për këtë arsye, analistët dhe kundërshtarët shpesh e quajnë atë "prorus". Në fjalimin e tij të hënën, Radevi trajtoi edhe këtë çështje duke deklaruar: "Në emër të së ardhmes së tyre politike, disa politikanë po rrezikojnë jetën paqësore të bullgarëve në kushtet e një lufte të rrezikshme pranë kufijve tanë dhe madje po luftojnë kundër paqes civile dhe etnike që ju dhe unë do ta ruajmë pavarësisht provokimeve të tyre", shkruan "Euronjuz".
Disa javë para se Bullgaria të miratonte euron (më 1 janar 2026), Radevi bëri thirrje për referendum mbi miratimin e monedhës së vetme evropiane, por parlamenti e hodhi poshtë atë.
"Ndarja përfundimtare midis bullgarëve dhe klasës politike erdhi me refuzimin e Kuvendit popullor për të mbajtur një referendum mbi datën e futjes së monedhës së vetme evropiane. Përfaqësuesit e popullit ia morën popullit të drejtën për të zgjedhur", tha Radevi.
Presidenti bullgar njoftoi dje se po jep dorëheqje nga posti i shefit të shtetit, duke shtuar se do ta paraqiste zyrtarisht atë në Gjykatën Kushtetuese sot.
Radevi është president i Bullgarisë për nëntë vjet. Spekulimet se do të hyjë në garë parlamentare dhe do të kandidojë për kryeministër kanë qarkulluar prej kohësh dhe u konfirmuan dje.
Bullgaria është një republikë parlamentare dhe qeverisja e saj është në duart e Parlamentit, Këshillit të ministrave dhe kryeministrit.
"Pyetjet këtu janë: pse arritja e këtyre qëllimeve nuk ka sjellë stabilitet dhe kënaqësi; pse bullgarët kanë ndaluar së votuari; pse nuk mbështeten në sistemin e drejtësisë dhe nuk u besojnë mediave; pse qytetarët i mbushën sheshet dy herë; pse në Bullgarinë evropiane një përqindje e madhe njerëzish ndihen të varfër dhe akoma më shumë jetojnë në pasiguri", pyeti Radevi.
Gjatë mandatit të tij si president, Radevi duhej të emëronte shtatë qeveri të përkohshme për shkak të krizës së gjatë politike dhe pamundësisë së partive për të formuar një shumicë të qëndrueshme.
Foto: EPA