• e enjte, 18 korrik 2024

ESHR: Janë realizuar vetëm 52 për qind e aktiviteteve të planifikuara për reformën e administratës publike

ESHR: Janë realizuar vetëm 52 për qind e aktiviteteve të planifikuara për reformën e administratës publike

Shkup, 16 mars 2023 (MIA) –Raporti përfundimtar i auditimit të performancës “Reforma në administratën publike”, që u publikua sot nga Enti Shtetëror i Revizionit, vë në dukje anulimin permanent të miratimit të ligjeve të reja kyçe, zvarritjen e procesit të riorganizimit të organeve shtetërore, realizimin jo të plotë të aktiviteteve të planifikuara dhe kapacitete të pamjaftueshme të personelit.

Duke pasur parasysh se sipas Metodologjisë së re për anëtarësim në BE, reforma në administratën publike është një fushë që është pjesë e procesit të negociatave në kuadër të Klasterit – Vlerat Themelore, Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer auditimin e performancës me temën “Reforma në Administratën Publike”, për t'i dhënë përgjigje pyetjes: “A sigurojnë aktivitetet e ndërmarra nga institucionet kompetente zbatimin efikas të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2018-2022”.

Me këtë auditim, siç thuhet në njoftimin e ESHR-së, është konstatuar se vazhdimisht po shtyhen apo anulohen afatet për miratimin e ligjeve kyçe për zbatimin e reformave në administratën publike. Procedura për nxjerrjen e Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik, Ligjit për Nëpunësit Administrativë dhe Ligjit për Shërbimin e Lartë Drejtues, e cila ka filluar në vitin 2019 akoma është në proces e sipër.

Në raport, vihet në dukje edhe emërimi i shpeshtë i ushtruesve të detyrës - ushtrues detyre drejtor. ”Në periudhën 2018-2021, 52 për qind e numrit të përgjithshëm të drejtuesve të emëruar janë ushtrues detyre të drejtorëve apo zëvendës të tyre, zgjedhja e të cilëve bëhet pa shpallje publike, gjë që cenon profesionalizimin e shërbimit të lartë drejtues, mirëmenaxhimin në institucionet e sektorit publik dhe zvogëlon përgjegjshmërinë e procedurës për përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve”, citohet në njoftimin e ESHR-së.

slika 1

 

Audituesit vunë në dukje gjithashtu edhe mungesën e dokumentacionit për mënyrën e planifikimit dhe zhvillimit të strategjisë, për faktin se ajo nuk është pjesë e arkivit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe se personi që ka menaxhuar apo drejtuar këtë proces nuk është më i punësuar në këtë institucion, gjë që nuk siguron memorie institucionale për procesin.

“Janë miratuar dhe rishikuar planveprimet për zbatimin e strategjisë, me të cilën janë bërë ndryshime në 33 për qind të aktiviteteve të planifikuara, janë përcaktuar aktivitete të reja, janë bërë ndryshime në periudhën e zbatimit dhe treguesve për matjen e nivelit të performancës si dhe në uljen e vlerës së fondeve të planifikuara financiare”, citohet në njoftim.

Për sa i përket kapacitetit të personelit për të përmbushur objektivat e reformës, siç theksohet nga ESHR-ja, vërehen ndryshime të shpeshta, kapacitete të pamjaftueshme të personelit si dhe realizimin jo të plotë të kompetencave të organeve përgjegjëse për procesin e reformës dhe moskoordinimin dhe jokomunikimin efektiv, vertikalisht dhe horizontalisht, të të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces.

“Këshilli i Reformës së Administratës Publike është organi më i lartë politik për koordinimin e aktiviteteve. Në periudhën 2018-2022 janë bërë gjashtë ndryshime në përbërjen e tij, si rezultat edhe i ndryshimeve të vazhdueshme strukturore në Qeveri, me vetëm shtatë mbledhje të mbajtura në një periudhë katërvjeçare, ndërsa nga mbledhja e fundit e mbajtur në korrik të vitit 2021 e deri në fund të vitit 2022, më shumë se një vit e gjysmë, nuk është mbajtur asnjë mbledhje apo seancë e re”, theksojnë nga ESHR-ja.

Ata shtojnë se fondet totale të planifikuara për realizimin e masave nga kjo Strategji arrijnë në vlerën e 1.802.140 mijë denarëve, ose rreth 30 milionë euro, ku pjesëmarrja më e madhe, prej mbi 56 për qind, mbulohet nga fondet dhe instrumentet e BE-së.

“Nga gjithsej 205 aktivitete të planifikuara janë realizuar vetëm 106 aktivitete, që paraqet 52 për qind realizim”, citohet në raport.

 

slika_2

 

Raporti nxjerr në pah se nuk ka transparencë, llogaridhënie dhe monitorim të fondeve financiare të shpenzuara nga buxheti i shtetit, pasi përveç Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, institucionet e tjera nuk kanë hapur një nënprogram të veçantë në kuadër të Programit të Qeverisë K - Reforma në Administratën Publike

“Nuk është bërë një vlerësim i plotë i efikasitetit të procesit të reformës së administratës publike, nga gjithsej 79 tregues, janë matur vetëm 28 tregues për të matur performancën e aktiviteteve, pra vetëm 35 për qind. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk ka krijuar një evidencë të sistemuar për çdo aktivitet të strategjisë, raportet gjashtëmujore dhe vjetore nuk përmbajnë të dhëna për fondet e planifikuara dhe të realizuara”, theksohet në raport.

ESHR-ja thekson se raporti i katërt vjetor nga viti 2021 nuk përmban pasqyrë të plotë financiare dhe është bërë analiza vetëm për fondet e shpenzuara në vlerë prej 1.111.359 mijë denarësh, përkatësisht për rreth 18 milionë euro, që paraqet 61 për qind të totalit të fondeve të planifikuara për periudhën e viteve 2018 - 2022.

“Nuk është krijuar një sistem IT për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e aktiviteteve reformuese, si rrjedhojë nuk janë krijuar kushte për mbledhjen dhe përpunimin sistematik të informacionit dhe të dhënave për vlerësimin e shkallës së zbatimit të reformave në administratën publike” citojnë nga ERSH-ja.

Duke pasur parasysh se një administratë publike funksionale është parakusht për një qeverisje demokratike transparente dhe efektive, për tejkalimin e situatave të krijuara, Enti Shtetëror i Revizionit u dha rekomandime institucioneve dhe organeve kompetente për bashkërendimin e aktiviteteve, të cilat janë në funksion të përmirësimit, forcimit dhe krijimit të një sistemi efikas të planifikimit, zbatimit, monitorimit, vlerësimit dhe raportimit mbi realizimin e aktiviteteve të Strategjisë së re për Reformën e Administratës Publike për periudhën 2023-2030, me synimin për një reformë të suksesshme të administratës publike, si synim strategjik të vendit.

Foto: Enti Shtetëror i Revizionit

 

QËNDRONI TË LIDHUR