EBA kumtoi se vullnetarisht ka ndërprerë misionin e forcave antiterroriste në Jemen
- Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) publikoi se vullnetarisht ka ndërprerë misionin e njësive të saj kundër terrorizmit në Jemen
- Post By Ramize Qamili
- 16:53, 30 dhjetor, 2025
Abu Dabi, 30 dhjetor 2025 (MIA) - Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) publikoi se vullnetarisht ka ndërprerë misionin e njësive të saj kundër terrorizmit në Jemen.
Siç njoftoi Agjencia e lajmeve të EBA - UAM, vendimi u mor për shkak të zhvillimeve të fundit dhe pasojave të tyre të mundshme për sigurinë dhe efektivitetin e operacioneve kundër terrorizmit.
Më herët gjatë ditës, shefi i Këshillit të lidershipit presidencial të Jemenit, Rashad al Alimi, shpalli gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore dhe urdhëroi tërheqjen e trupave të Emirateve të Bashkuara Arabe nga territori i Jemenit brenda 24 orëve, për shkak të mbështetjes së tyre për forcat separatiste në jug, të quajtur Këshilli kalimtar jugor (STC).
Me dekretin e al Alimit asgjësohet marrëveshja e mbrojtjes midis Jemenit dhe EBA-së, sipas së cilës ata luftuan së bashku kundër rebelëve Huthë, të mbështetur nga Irani, në luftën civile të gjatë në Jemen.
Al Alimi gjithashtu urdhëroi mbylljen e të gjitha porteve dhe kalimeve kufitare në Jemen në afat prej 72 orëve.
Gjatë muajit, forcat e lidhura me STC-në pushtuan pjesë të mëdha të provincave Hadramaut dhe al Mahra, të cilat së bashku përbëjnë rreth gjysmën e territorit të Jemenit.
Forcat saudite mëngjesin e sotëm kryen një "sulm të kufizuar ajror" ndaj dy anijeve në qytetin portual të Mukallas në jug të Jemenit, duke pretenduar se po i dorëzonin armë STC-së. rq/
Foto: arkivi i MIA-s