• e martë, 03 shkurt 2026

Durmishi: Do të mbështesim gjithçka për çka do të merren vesh për pagën minimale, nuk ka vendim për rritje të pagave të funksionarëve

Durmishi: Do të mbështesim gjithçka për çka do të merren vesh për pagën minimale, nuk ka vendim për rritje të pagave të funksionarëve

Shkup, 3 shkurt 2026 (MIA) – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot edhe një herë përsëriti se Qeveria do ta mbështesë çdo propozim i cili do të pranohet bashkërisht edhe nga sindikatat edhe nga punëdhënësit në lidhje me pagën minimale. Duhet të ketë rritje edhe të pagës minimale dhe të pagave të tjera, por kjo duhet të jetë graduale, me siguri dhe në kornizë të qëndrueshme ekonomike. 

“Të enjten kemi takim me sindikatat nga AOJSHQ, në ditët në vijim do të ketë edhe mbledhje të Këshillit Ekonomik dhe Social (KES), në të cilën, me shumë mundësi, do të jenë të pranishme si sindikatat ashtu edhe punëdhënësit. Nëse propozimi pranohet nga të gjithë faktorët, domethënë nga të gjithë anëtarët e KES, ne si Qeveri dhe Ministri jemi aty për t'i mbështetur. Qëndrimin tonë brenda KES e kemi deklaruar që nga fillimi, nëse sindikatat dhe punëdhënësit arrijnë marrëveshje, jemi aty për t'u takuar me të dyja palët. E shohim të gjithë pamjen, kemi parasysh pamjen e të gjithë qytetarëve, si të punësuarve në sektorin publik ashtu edhe të punësuarve në sektorin privat. E kemi deklaruar qëndrimin tonë dhe qëndrojmë në të, se duhet të ketë rritje të pagave minimale dhe të tjera në sektorin publik, por që kjo të jetë graduale, me siguri, në mënyrë që të ketë kornizë ekonomike të qëndrueshme”, theksoi Durmishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ngjarjes në Qeveri në të cilën u prezantua Ligji për angazhimin në punë të personave.

Ministri përsëriti se Qeveria tashmë i rriti pagat në sektorin publik. 

“I rritëm pagat që në vitin e parë në shëndetësi, arsim, polici, pensionet,... Ne me të punësuarit në sektorin publik kemi marrëveshje përmes dialogut trepalësh dhe rreth 85 për qind tashmë janë zgjidhur. Mbetën edhe 7.700 të punësuar, por edhe me ata propozuam të ulemi, të merremi vesh, tu dalim në ndihmë”, theksoi Durmishi. 

Ai informoi edhe se nuk është marrë vendim për rritje të pagave të funksionarëve. 

“Do të shohim se si do të jetë situata pasi të dalin të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës këtë muaj dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat. Vitin e kaluar morëm vendim me të cilin i kufizuam pagat e funksionarëve, gjegjësisht parashikuam që ato do të rriteshin si pagat e të gjithë të punësuarve të tjerë në sektorin publik dhe privat. Këtë muaj do të dalin të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës, nga të cilat do të shohim se si është situata dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat. Ne mbetemi në qëndrimin se nuk do të marrim vendim me të cilin do të rriten pagat e funksionarëve. Paga minimale do të nivelohet ose rritet në mars me rreth 7 ose 8 për qind, që do të thotë se në vitin 2028 do të kemi rritje prej rreth 40 për qind. Pra, le të dalin të dhënat dhe do të marrim vendim. siç bëmë vitin e kaluar, do të veprojmë edhe këtë vit”, nënvizoi Durmishi. fc/

Foto: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR