• e martë, 03 mars 2026

Durmishi: Dhjetë herë gjoba më të larta për praktikat e padrejta tregtare, po mendohet gjoba të ketë edhe për furnizuesit

Durmishi: Dhjetë herë gjoba më të larta për praktikat e padrejta tregtare, po mendohet gjoba të ketë edhe për  furnizuesit

Shkup, 2 mars 2026 (MIA) – Dhjetë herë më të larta do të jenë gjobat për praktikat e padrejta tregtare, paralajmëron ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Në një intervistë për MIA-n, Durmishi zbulon se po shqyrtohet, përveç për tregtarët, të vendosen gjoba edhe për furnizuesit.

Tashmë po përgatiten ndryshimet ligjore, ndërsa para se të definohen dhe miratohen, do të mbahen takime me të gjitha palët e përfshira – distributorët, tregtarët dhe prodhuesit.

 Sipas ministrit, edhe pse Ligji për praktikat e padrejta tregtare është në fuqi më shumë se një vit, zbatimi nuk është i plotë. Një pjesë e tregtarëve formalisht i kanë harmonizuar kontratat, por edhe më tutje konstatohen praktika të palejuara tregtare.

 – Vlerësojmë se gjobat për këto sjellje të tregtarëve nuk janë të mëdha, por të vogla. Prandaj, në periudhën e ardhshme do të kemi ndryshime në Ligj – do të rriten gjobat 10 herë për të gjithë tregtarët që nuk e respektojnë Ligjin për praktikat e padrejta tregtare. Ne punojmë me përkushtim për të siguruar standard jetese për qytetarët, nuk mundet më që tregtarët të përfitojnë në kurriz të qytetarëve. Është duke u shqyrtuar që në politikën ndëshkuese të futen gjoba edhe për furnizuesit, sepse ata deri më tani nuk kanë qenë të përfshirë, ndërsa ndodh që, në vend që t’i paraqesin tregtarët që u bëjnë presion, ata në njëfarë mënyre merren vesh me ta për të rritur rabatin, thekson Durmishi.

 

Para miratimit të ndryshimeve ligjore, shton Durmishi, është e mundur të ketë edhe debat publik.

 – Së pari do t’i njohtojmë, që të dinë me çfarë do të përballen në periudhën e ardhshme, pastaj do t’i dorëzojmë ndryshimet si propozim në procedurë qeveritare dhe më pas do të shkojmë në Kuvend. Para se të miratohet ky ligj ose të hyjnë në fuqi këto ndryshime, mund të kemi edhe ndonjë debat publik që të përfshihen të gjitha palët e interesuara, shpjegoi ministri.

Në intervistë, Durmishi flet për luftën kundër ekonomisë gri, për pagën minimale dhe për pagat e funksionarëve. 

 – Si ministër i Ekonomisë e mbështes iniciativën për uljen e pagave të funksionerëve, përkatësisht të personave të emëruar. Mendoj se në këtë periudhë prioritet është të kemi stabilitet në financat publike. Mjetet duhet të orientohen aty ku janë më të nevojshme, tek qytetarët. Dërgojmë një mesazh të qartë se përgjegjësia duhet të fillojë nga ne, thekson Durmishi.

 Ministri informon se nesër do të mbahet seanca e Këshillit Ekonomiko-Social dhe ndër pikat e rendit të ditës, siç thotë, është edhe Shporta Mesatare e Konsumit.

Ministër, do ta nisnim bisedën me pagën minimale si një nga çështjet më aktuale. Është paralajmëruar seanca e Këshillit Ekonomiko-Social (KES). Çfarë pritni dhe si i komentoni paralajmërimet e LSM-së për grevë të përgjithshme? 

 – Është e vërtetë që paga minimale është tema më aktuale, por unë do të shtoja edhe fjalën më e politizuar, sepse në Këshillin Ekonomiko-Social kemi edhe shumë tema të tjera po aq të rëndësishme që duhet t’i trajtojmë. Do të them për ju dhe për opinionin se nesër, më 2 mars, do të mbahet seanca e KES-it. Kemi përgatitur rendin e ditës se për çka do të diskutohet, do të ketë edhe pika të tjera që janë më të rëndësishme

  

Pagat duhet të rriten. Shumë herë keqkuptohemi, por ajo rritje duhet të burojë nga rritja reale ekonomike. Duhet të vijë nga rritja e produktivitetit, nga rritja e investimeve. Pra, rritja nga njëra anë duhet të jetë e qëndrueshme, ndërsa nga ana tjetër të mos kemi rritje të inflacionit. Jemi duke ndërtuar sistem ku do të sigurojmë rritje të përhershme të standardit jetësor të qytetarëve. Kjo Qeveri për një vit e gjysmë punon për përmirësim thelbësor të sistemit, për përmirësim të zgjidhjeve ligjore në fushën e ekonomisë, me synim për rritje stabile të standardit jetësor dhe të pagave.

Si vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të punojmë për të pasur institucione stabile, dhe kur rritet produktiviteti, kur rriten investimet, kur kemi institucione stabile, do të krijohen vende të qëndrueshme pune dhe rrjedhimisht do të kemi rritje pagash. 

 Qeveria mbetet në qëndrimin se do të mbështesë çdo zgjidhje që do ta arrijnë të dy palët. A prisni ndonjë zgjidhje tani dhe çfarë nëse nuk arrihet marrëveshje?

 – Që nga fillimi kemi thënë se jemi për dialog, nuk i ikim dialogut. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të jetë 600 euro, ndërsa ne me argumente relevante nga institucionet, me të dhënat që marrim, kemi treguar se jemi për marrëveshje.

Në periudhën e kaluar arritëm marrëveshje me të punësuarit në sektorin publik. Gati 11 000 të punësuar do të marrin paga më të larta, në tre vitet e ardhshme do të kenë rreth 40 për qind rritje të pagave. Ne nuk do të obligojmë ndonjë qeveri tjetër në të ardhmen me borxhe. I kemi rritur pagat edhe në arsim, edhe në shëndetësi, në polici, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. 

 

Pra, me marrëveshjen përfundimtare që arritëm me një pjesë të sindikatave, me të punësuarit në sektorin publik e kemi arritur qëllimin – të rriten pagat dhe të mund të punojnë me dinjitet.

 Por sa i përket sektorit privat, ne nuk mund të ndërhyjmë dhe t’i themi biznesit – duhet t’i rrisni pagat. Punëdhënësit dhe punëtorët duhet të merren vesh mes vete, ndërsa çfarëdo vendimi që të marrin, ne jemi aty për t’i ndihmuar të dy palët sepse jemi në mes, i ndjekim të gjithë. Për shembull, biznesi ndjek interesin e kompanive, sindikata interesin e punëtorëve, ndërsa ne si Qeveri duhet të kemi parasysh edhe biznesin, edhe punëtorët, edhe të gjithë qytetarët.

 Duhet të punojmë edhe që inflacioni të jetë stabil. Për muajin janar, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës treguan ulje të inflacionit për 0,7 për qind.

Sa i përket pagës minimale, kemi një formulë që është në fuqi. Me shumë gjasë paga minimale do të rritet për rreth 1 600 denarë neto për këtë vit. Kjo është zgjidhje ligjore që e kanë përcaktuar të gjitha palët në Këshillin Ekonomiko-Social. Sindikatat e kanë nënshkruar këtë formulë, e kanë nënshkruar punëdhënësit, si dhe Qeveria. 

 Kritikat nga opozita – kur ata ishin në pushtet thoshin se kjo formulë është zgjidhje sistemike dhe se është më atraktive dhe e praktikuar në vendet evropiane. Tani, papritur, nuk u pëlqen kjo formulë. Nuk mund t’i kuptojmë

Ministër, u miratua Ligji që parashikon uljen e pagave të funksionerëve përmes korrigjimit të koeficientëve. Si i vlerësoni akuzat e opozitës se bëhet fjalë për popullizëm? 

– Po, ashtu si ju, edhe unë e ndoqa Propozimin e deputetëve në Kuvend dhe si ministër i Ekonomisë e mbështes këtë iniciativë për uljen e pagave të funksionerëve, përkatësisht të personave të emëruar. Mendoj se në këtë periudhë prioritet është stabiliteti i financave publike. Mjetet duhet të orientohen aty ku janë më të nevojshme, tek qytetarët. 

Në periudhën e kaluar kemi borxhin publik më të madh të krijuar nga pushteti i kaluar. Përballemi me këto probleme me buxhet të zbrazët, për të mos i renditur të gjitha problemet me të cilat përballemi dhe që duam t’i zgjidhim. 

 

Sipas këtyre ndryshimeve që do të bëhen, do të ulet koeficienti dhe ulja e pagave të funksionerëve do të jetë nga 10 000 deri në 13 000 denarë.

 Dërgojmë mesazh të qartë se përgjegjësia duhet të fillojë nga ne. 

 Po punojmë për rritjen e pagës minimale, po punojmë për mbështetje të biznesit – me shumë masa që kompanitë të rrisin pagat e punonjësve. Duhet të kuptohet se për të arritur këtë qëllim, funksionerët duhet të nisin nga vetja – ja, po i ulim pagat nga 10 000 deri në 13 000 denarë.

Është publikuar Shporta Sindikale e Konsumit për muajin Shkurt. Deri ku është Shporta Mesatare që e përgatit Qeveria në bashkëpunim me punëdhënësit dhe sindikatat dhe a do të jetë më e ulët? Nëse po, për sa? 

Shumë herë është folur për Shportën Sindikale dhe i kemi dhënë vërejtjet tona, për shembull se i publikojnë të dhënat 10 ditë para përfundimit të muajit. Vërejtje të tjera kemi se marrin çmimet më të larta të produkteve ushqimore, nuk i marrin parasysh të dhënat nga 10 markete për të nxjerrë çmim mesatar ose më të ulët, dhe gjithashtu në atë shportë janë përfshirë edhe shpenzime për qira, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2021, 90 për qind e popullsisë jeton në shtëpi të vetën. Ka edhe produkte që në periudha të caktuara nuk përdoren nga qytetarët. 

Ne kemi përgatitur Shportën Mesatare të Konsumit. Është dhënë në Këshillin Ekonomiko-Social dhe presim vërejtjet dhe propozimet e tyre si kontribut. 

Deri tani, për fat të keq, nuk kemi pasur ndonjë propozim. Do ta vendos në rend dite edhe në seancën e nesërme të KES-it për ta diskutuar. Në fund do ta finalizojmë dhe do ta publikojmë para opinionit – një shportë që do të bazohet në të dhëna reale nga institucionet relevante, e jo një shportë e përgatitur nga ndonjë profesor apo persona jo relevantë dhe të paverifikuar nga institucionet. 

Kur, sipas jush, mund të pritet Shporta Mesatare? 

Nëse nesër kemi vërejtje, normalisht do t’i shqyrtojmë dhe analizojmë. Nëse kemi propozime, do t’i analizojmë dhe në seancën e ardhshme do të publikohet në opinion dhe do të vazhdojmë me përllogaritjen e Shportës Mesatare të Konsumit, e cila do të jetë relevante dhe e besueshme për qytetarët. Që të mos krijojmë mjegull, por realisht të dinë sa para i duhen një familjeje katër anëtarëshe për të kaluar një muaj.

Nga ligji për praktika të padrejta tregtare deri më tani kishte disa rezultate dhe u publikuan, por a mund të na tregoni të dhëna të reja, përmes shifrash, se sa ky ligj ka efekt dhe në çfarë mase ne si qytetarë mundemi t’i perceptojmë ato në krahasim me çmimet e ushqimit? 

 

Ligji për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore zbatohet më shumë se një vit. E dijmë se ky ligj është pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian, atëherë le ta zbatojmë. Ligjin e zbatuam dhe hyri në fuqi. Mbikqyrja e Komisionit qartë tregon se kemi zhvendosje positive, por zbatimi nuk është i plotë. Duhet kohë që ky ligj të implementohet plotësisht.

 Një pjesë e tregtarëve formalisht i dakorduan marrëveshjet, por edhe më tutje janë hasur raste të praktikave të palejuara tregtare. Ligji përfshin 2538 prodhime ushqimore ku janë detektuar 28 praktika të padrejta, me kufizim të rabatit prej 10 % mes shitësve dhe furnizuesve.

 A do të shkojnë këto ndryshime, rritja e gjobave dhe përfshirja eventuale e furnizuesve së bashku, si paketë dhe kur mund të priten?

  Po, këto ndryshime do të shkojnë së bashku, si një paketë e vetme. Presim që nga muaji mars të fillojë procedura. Fillimisht do të realizojmë takim me të gjithë të përfshirët, me distributorët, tregtarët dhe prodhuesit, për t’i njoftuar dhe për t’i informuar se me çfarë do të përballen në periudhën e ardhshme. Më pas ndryshimet do t’i dorëzojmë si propozim në procedurë qeveritare dhe pastaj do të kalojnë në Kuvend.

 

Para se të miratohet ligji ose të hyjnë në fuqi këto ndryshime, mund të organizojmë edhe një debat publik, me qëllim që të përfshihen të gjitha palët e interesuara që i prek ligji.

 Ministër, në disa raste keni paralajmëruar luftë më intensive kundër ekonomisë gri. Sa është realisht e mundur kjo dhe sa mund të zbatohet në praktikë? Çfarë po ndërmerr konkretisht Qeveria në këtë drejtim?

Duhet të jemi të sinqertë, për një pjesë të punëtorëve puna e paregjistruar nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, sepse ata pranojnë të punojnë në çfarëdo kushtesh për të siguruar ekzistencën bazë. Ka subjekte që me vetëdije shmangin pagesën e tatimeve dhe kontributeve, duke krijuar konkurrencë jolojale. Ekonomia gri e minon drejtpërdrejt sundimin e ligjit, ul të ardhurat publike, i shkakton dëm shtetit dhe rrezikon të drejtat e punëtorëve, të cilët nuk kanë kontribute të paguara dhe sigurim. Njëkohësisht, i vendos në pozitë të pafavorshme të gjitha kompanitë që paguajnë kontribute, punojnë ligjërisht dhe i kanë të punësuarit e regjistruar në Agjencinë e Punësimit.

Ne fillimisht do të ndërmarrim hapa konkretë dhe jo represivë, sepse represioni është opsioni i dytë. Hapi i parë është Plani Operativ për të cilin kemi siguruar 40 milionë euro, buxheti më i madh deri më tani për plane të tilla, përmes të cilit shumë persona do të mund të vetëpunësohen dhe ata që ushtrojnë veprimtari të tilla do të mund të përfitojnë mbështetje për ta formalizuar biznesin e tyre ose për të rregulluar statusin e të punësuarve në kompanitë e tyre. Ky plan përfshin shumë masa, përfshirë masa për punësim dhe punësim shtesë, ku kompanitë mund të përfitojnë mbështetje deri në 4 000 ose 5 000 euro. 

 Së dyti, kemi miratuar Ligjin për angazhimin në punë në ato sektorë ku ekonomia gri është më e theksuar, si bujqësia, peshkimi, pylltaria dhe hoteleria. Kështu, do të mund të punojnë edhe përfituesit e ndihmës sociale, pensionistët dhe studentët, pa i humbur të drejtat e fituara më parë. Lehtësohet qasja që qytetarët të mund të angazhohen deri në gjashtë muaj brenda një viti.

Së treti, nga 1 janari ka filluar zbatimi i Ligjit për mbështetje financiare të investimeve. Do t’i stimulojmë kompanitë të investojnë dhe të punësojnë, duke përfituar mbështetje financiare nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës. 

 Njëkohësisht po shtojmë edhe kontrollet. Në vitin 2025 kemi rritur kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut për 15 për qind dhe të Inspektoratit të Punës për 20 për qind. Këto kontrolle do të forcohen edhe më tej në vitin 2026 dhe të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin dhe nxisin ekonominë gri do të ndëshkohen sipas parashikimeve ligjore.

 Mirjana Çakarova

Foto/video: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR