• e enjte, 26 dhjetor 2024

DPA: Opozita djathtiste feston fitoren në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

DPA: Opozita djathtiste feston fitoren në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 9 maj 2024 (MIA) - Opozita e djathtë në Maqedoninë e Veriut fitoi bindshëm dje zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, njofton DPA.

Pas numërimit thuajse të plotë të votave, partia nacionaliste e djathtë VMRO-DPMNE fitoi 43,2 për qind të votave dhe do të ketë 58 vende në parlamentin prej 120 anëtarësh, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup.

Partia e djathtë do të zëvendësojë Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) e cila është në pushtet që nga viti 2017.

LSDM-ja e udhëhequr nga ish kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili ishte në detyrë deri në fillim të vitit, fitoi vetëm 15,3 për qind të votave. Mbështetja e partisë ka rënë në mënyrë drastike në më pak se gjysmën e përqindjes që fitoi në zgjedhjet e mëparshme parlamentare katër vjet më parë.

Kovaçevski gjatë natës zgjedhore ia uroi fitoren kundërshtarët të tij politikë, thekson DPA.

Lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski është me gjasë kandidati potencial për kryeministër të ardhshëm të vendit që është tashmë në NATO.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat po ashtu u mbajtën dje, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova shënoi fitore të pastër pasi mori rreth 65 për qind të votave, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Siljanovska-Davkova shënoi fitore kundër presidentit aktual Stevo Pendarovski i cili është përkrahur nga LSDM-ja, ndërsa në raundin e dytë para pesë vitesh e mposhti Siljanovska-Davkovën.

Fushata zgjedhore u karakterizua me akuza për qeverisje të keqe dhe të korruptuar, të ngritura nga opozita kundër LSDM-së dhe shqiptarëve etnikë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i cili ishte në qeveri me LSDM-në.

VMRO-ja ka paralajmëruar një kurs konfrontues ndaj anëtarëve fqinjë të Bashkimit Evropian, Greqisë dhe Bullgarisë, në rast të fitores në zgjedhje.

Në qendër është çështja e emrit të vendit, të cilin Shkupi e ndryshoi nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut pas marrëveshjes me Athinën në vitin 2019, si dhe të drejtat e pakicave.

Marrja e një qëndrimi më të ashpër kundër Greqisë mund të pengojë ndjeshëm negociatat e aderimit që BE-ja hapi me Shkupin në korrik 2022. Vendet anëtare të BE-së, Greqia dhe Bullgaria, kanë të drejtën e vetos praktikisht në çdo hap të negociatave.

Mickoskit do t'i duhen partnerë për ta formuar qeverinë e ardhshme. Partitë e shqiptarëve etnikë janë vendimtare në këtë aspekt, pasi ky grup etnik përbën rreth 25 për qind të popullsisë së këtij vendi të vogël në Ballkan, thekson DPA.

Mbi 14 për qind të votave ka fituar BDI-ja e cila në 20 vitet e fundit ka bashkëqeverisur pothuajse në të gjitha koalicionet, por VMRO-DPMNE nuk e konsideron partnere.

Aleanca opozitare e partive shqiptare, e quajtur koalicioni VLEN fitoi 10.7 për qind të votave dhe konsiderohet si partner i mundshëm qeverisës i VMRO-DPMNE-së.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR