• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dita e dytë e grevës së të punësuarve në FSSH, presin që Qeveria të bisedojë për kërkesën e tyre

Dita e dytë e grevës së të punësuarve në FSSH, presin që Qeveria të bisedojë për kërkesën e tyre

Shkup, 6 shkurt 2024 (MIA) - Të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH) sot në ditën e dytë grevojnë për shkak të paralajmërimeve për uljen e pagave të tyre. Të gjitha njësitë rajonale edhe sot nuk do të kryejnë detyrat e punës, përveç atyre urgjente. Sipas paralajmërimeve, do të shkurtohen edhe shërbimet të cilat kanë të bëjnë me kërkesën për rehabilitim, për ndihmesa ortopedike, vërtetim të ndihmesave ortopedike, për kompensime për pushim të lindjes dhe për pagesë të pushimeve mjekësore, për sigurim jashtë vendit, për formulare në dy gjuhë, etj. Pa ndërprerë do të punojnë komisionet e mjekëve të cilët i vazhdojnë pushimet mjekësore të të punësuarve për ata që kanë nevojë. 

"Revolta mes punonjësve është e madhe. Në grevë janë edhe ata që janë në sindikata të tjera. Le të mbeten ato paga që kemi marrë me rrogën e dhjetorit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm që pagat tona të mbeten në të njëjtin nivel si në dhjetor. Greva nuk do të ndalet, edhe nëse nuk jepen paga, siç është rasti tani. Për momentin punëtorët e FSSH-së nuk kanë paga”, tha kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Administratës, Organeve të Jurisprudencës dhe Shoqatave të Qytetarëve(AOJSHQ), Tërpe Deanoski. 

Ai i ka bërë apel Qeverisë që në seancën e sotme, në të cilën tashmë i kanë dërguar shkresë kryeministrit teknik Talat Xhaferi, të shtohet një pikë në rendin e ditës, që të shqyrtohet kërkesa e tyre.

"Siç kanë ardhur në konkluzion me rekomandim që Bordi i drejtorëve t'i zvogëlojë pagat, të dalin në një konkluzion të ri me rekomandim që të mbahet e njëjta vlerë e pikës, pra 77,16 denarë, ajo vlerë të jetë deri në fund të vitit. Për momentin në takim në godinë janë të gjithë drejtuesit e FSSH-së nga njësitë rajonale, përfshirë edhe drejtorët nga ajo qendrore. Ne bëmë një iniciativë të firmosur nga të gjithë drejtorët e njësive rajonale, ku garantojnë se do të kryhen të gjitha detyrat e punës dhe do të mbeten dhe do të ketë para në Fond për pagesën e pagave, siç janë tani, dhe qytetarët të jenë të qetë, se do të ketë ilaçe për të gjithë", shtoi Deanoski. 

Ai tha gjithashtu se FSSH-ja është një institucion me buxhetin më të lartë në vend dhe siç theksoi ai ka gjithmonë para.

"Para do të ketë edhe nëse mbeten këto paga të punëtorëve, siç u pajtuam me menaxhmentin e FSSH-së”, sqaroi Deanoski, duke shtuar se nëse zvogëlohen pagat "mund të jetë edhe më keq".

Branko Axhigogov, kryetar i Organizatës Sindikale të FSSH-së, shtoi se deri më tani nuk janë raportuar incidente apo probleme.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhemi”, theksoi ai.

Krahas njoftimit që u dërgua të premten, siç tha Axhigogov, punonjësit vazhdojnë pa ndërprerje të japin shërbimin për sigurimin e të miturve, sigurimit shëndetësor për personat e shtruar në spital, për rastet emergjente për mjekim jashtë vendit. “Dua të them publikisht, se komisionet mjekësore që zgjasin pushimin mjekësor të punonjësve, vazhdojnë punën pa ndërprerje për ata që kanë nevojë”shtoi Axhigogov.

 Ai tha se për momentin nuk ka informacione nëse Bordi Drejtues do të mbajë mbledhje.

"Bordi Drejtues e pranoi edhe atë iniciativë për ta shqyrtuar. Pra, ne ishim aty dhe u tha, nuk ka problem, le të kalojnë zgjedhjet, të vazhdojmë me bisedime, të shohim se cili është problemi. Pra, për momentin asnjë punonjës i FSSH-së nuk po kërkon që të gjejë gabim as nga punonjësit e FSSH-së, që janë në strukturat drejtuese dhe as nga Ministria e Financave. Thjesht duam që problemi ynë të zgjidhet dhe pagat tona të mbeten të njëjta", sqaroi Axhigogov.

Mbështetje e plotë për grevën e të punësuarve në FSSH - AOJSHQ arriti nga Sindikata e Pavarur e të Punësuarve në Klinikat Universitare, Qendrat, Spitalet Klinike dhe institucione të tjera shëndetësore publike në shtet. Kryetari i kësaj sindikate, Predrag Serafimovski, dje deklaroi se shpreson se AOJSHQ do të luftojë në realizimin e të drejtave të anëtarëve të saj, të cilat u takojnë në bazë të ligjit, marrëveshjeve kolektive dhe legjislacionit ndërkombëtar të punës. 

Nëse përmbushet ulja e pagave në FSSH, në bazë të rekomandimit siç e jep Qeveria, sipas sindikatës, rreth 500 të punësuar do të marrin paga nën minimalen.

Pas shpalljes së grevës nga ana e punonjësve të FSSH-së, Ministria e Financave me anë të një kumtese njoftoi se nuk bëhet fjalë për ulje të pagave të tyre, por po tentohet të rriten sërish, gjë që, siç deklaruan, do të kanë implikime reale fiskale në buxhetin e Fondit.

Ministria e Financave bëri të ditur se pagat në FSSH janë rritur disa herë gjatë vitit 2023 edhe atë 2.100 denarë ose rreth shtatë për qind në mars 2023 në përputhje me pagën minimale, po ashtu ka pasur rritje të pagave vetëm në FSSH për 2,5 për qind në janar 2023 dhe me 3,5 për qind në gusht 2023.

"Konform Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, parashikohet rritje prej 10 përqindëve, si dhe për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Gjegjësisht, rritja kumulative e pagave gjatë vitit 2023 në FSSH është rreth 25 për qind. Përveç kësaj, gjatë vitit 2023, punonjësit në FSSH-së kanë realizuar të drejtën e K-15 në vlerën neto prej 10.000 denarëve. Për shkak të impilimeve fiskale në Buxhetin e Fondit, Qeveria e RMV-së i ka rekomanduar Këshillit drejtues të FSSHM-së që vendimi i miratuar për rritjen e vlerës së pikës të ketë efekt të vonuar në vitin 2025, për faktin se nuk sigurohen mjete për rritjen e pagave në zërat e tjerë të shpenzimeve dhe kjo do të nënkuptonte se për rritjen e pagave të punonjësve do të duhet të shkurtoheshin mjete për barnat dhe shërbimet shëndetësore për qytetarët", thuhet në kumtesën e Ministrisë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR