• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dhuna ndaj grave është një problem serioz në shoqërinë shqiptare

Dhuna ndaj grave është një problem serioz në shoqërinë shqiptare

Tiranë, 8 mars 2024 (MIA) - Dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë në shoqërinë shqiptare, gjë që vërtetohet nga statistikat e policisë, vlerësohet nga aktiviteti “Fem Fest 24” në Tiranë.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Taulant Balla,  në dy muajt e parë të vitit janë raportuar 890 raste dhune në familje, kryesisht me bazë gjinore, ndërsa nga gjykata janë lëshuar 465 urdhëra për mbrojtje të grave e vajzave.

“Saherë që shoh shifrat që më raportojnë nga Policia e Shtetit, më duket e papranueshme që shoqëria jonë të shfaq këto tendenca. Për shembull, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti kemi 890 raste të raportuara për dhunë dhe janë 465 urdhra mbrojtjeje për vajza dhe gra", tha ministri Balla në takimin, të organizuar nga sektori civil.

Balla ka kujtuar faktin se numrat ende janë larg realitetit, pasi shumë raste të dhunës nuk raportohen fare, për arsye të ndryshme.

"Dhe pavarësisht shifrave tepër alarmante, patjetër duhet të theksohet fakti se jemi ende larg realitetit, sepse jam i bindur se jo çdo akt dhune raportohet, që të kemi mundësi të reagojmë", tha ai.

Sipas të dhënave, viti 2023 regjistroi 11 vrasje të grave mbarë territorin.

Balla e ka theksuar edhe problemin e dhunës në internet, veçanërisht përmes platformave sociale, të cilat shpesh gjenerojnë dhunë, e cila mund të çojë në tragjedi. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR