• e martë, 20 janar 2026

Delegacioni i Kuvendit për vizitë kthimi në Izrael

Delegacioni i Kuvendit për vizitë kthimi në Izrael

Jerusalem, 20 janar 2026 (MIA) - Me ftesë të kryetarit të Grupit të Miqësisë Izrael-Maqedonia e Veriut, Hamad Amar, Delegacioni i Grupit Parlamentar të Kuvendit për Bashkëpunim me Parlamentin e Shtetit të Izraelit ndodhet për vizitë kthimi në Izrael nga 18 deri më 22 janar.

Delegacioni udhëhiqet nga deputetja Rashella Mizrahi, kryetare e Grupit të Bashkëpunimit, ndërsa në përbërjen e tij janë deputetët: Vesna Bendevska, nënkryetare e Kuvendit, Lupço Prenxhov dhe Musa Xhaferi, anëtarë të Grupit, dhe Nikolla Micevski, koordinator i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së. 

Programi filloi me vizitën në Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit - Jad Vashem, ku Delegacioni mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorave, duke u bërë homazhe viktimave të Holokaustit.

Në Tryezën e Rrumbullakët të organizuar nga Komiteti Amerikan Hebraik (AJC), Delegacioni pati mundësinë të merrte pjesë në diskutim me drejtoreshën e Komitetit, Avital Lejboviç. Komiteti u themelua në vitin 1906 në Nju Jork si përgjigje e antisemitizmit dhe diskriminimit në rritje, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave civile dhe fetare të hebrenjve dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot, Qendra është organizatë globale e dedikuar për luftimin e antisemitizmit, mbështetjen e Izraelit dhe forcimin e bashkëpunimit dhe tolerancës ndërkombëtare. Dr. Efrem Inbar, kryetar i Departamentit të Strategjisë, Diplomacisë dhe Sigurisë në Kolegjin Shalem dhe ish-kryetar i Institutit të Jerusalemit për Strategji dhe Siguri, dhe Daniella Citrinoviç, studiuese e lartë në Programin e Iranit dhe Boshtit Shiit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, ishin të ftuar si ligjërues të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre mbi situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe Iran.

Drejtoresha Lejboviç informoi se pas ngjarjeve tragjike të 7 tetorit 2025, AJC e aktivizoi rrjetin e saj global dhe themeloi Qendrën për një Lindje të Afërt të Re, me qëllim që të kontribuojë në një të ardhme më të ndritur dhe më të lidhur në rajon. Qendra përqendrohet në tre sektorë kryesorë: diplomacinë, biznesin dhe shoqërinë civile, duke e përdorur rrjetin prej 15 zyra ndërkombëtare, duke përfshirë Jerusalemin dhe Abu Dabin, për të ndërtuar ura, për të formësuar politikat dhe për të nxitur një Lindje të Afërt të begatë dhe të integruar.

Programi përfshinte edhe vizitën në Spitalin Shiba në Tel Aviv, ku Delegacioni u takua me grupin e mjekëve dhe stafin mjekësor të dërguar menjëherë nga Qeveria Izraelite dhe Ministria e Shëndetësisë për të ofruar ndihmë mjekësore urgjente për qytetarët e Maqedonisë të cilët u lënduan në zjarrin tragjik në diskoteken "Puls" në Koçani në mars të këtij viti, në të cilin humbën jetën 63 të rinj. Për këtë reagim të shpejtë të Qeverisë së Shtetit të Izraelit, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të biznesmenëve dhe filantropëve izraelitë, për të kuptuar përmasat e tragjedisë dhe për t'u përgjigjur me ndihmë urgjente profesionale mjekësore qytetarëve të lënduar, përkushtimin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe të gjithë ekipit mjekësor, Delegacioni i Kuvendit shprehu mirënjohjen e duhur duke u dhuruar dhurata të përshtatshme mjekëve dhe stafit mjekësor. Dhuratat për Spitalin Shiba dhe Ministrinë e Shëndetësisë u dhuruan në emër të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke shprehur mirënjohjen e duhur Shtetit të Izraelit për ndihmën e çmuar të ofruar pas kësaj tragjedie të paparë që ka tronditur vendin tonë. Kryetarja e Grupit, Rashella Mizrahi, dhe të gjithë anëtarët e Delegacionit ua dorëzuan dhuratat mjekëve dhe stafit mjekësor gjatë takimeve në institucionet shëndetësore. Gjesti u prit me mirënjohje të madhe nga mjekët dhe stafi mjekësor, si dhe nga organizatorët në Parlament.

Në Institutin Vullkani (Qendra e Kërkimeve Bujqësore), Delegacionit iu prezantua puna e këtyre institucioneve në fushën e përdorimit të praktikave bujqësore me teknologji të lartë dhe kultivimit të kulturave bujqësore në kushte shumë specifike klimatike që ndryshojnë në mënyrë drastike (nga klima mesdhetare në veri në thatësirën në jug). Kërkimet e gjera bujqësore, veçanërisht nga institucionet e tilla si Instituti Vullkani, kanë çuar në varietete të kulturave rezistente ndaj thatësirës, specie tolerante ndaj kripës dhe teknika inovative të kultivimit, përmes zhvillimit të metodave bujqësore të sofistikuara dhe me teknologji intensive, të përshtatura për klimën e saj specifike. fc/

Foto: Kuvendi

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR