• e shtunë, 23 nëntor 2024

De Kro: Duhet ta mbrojmë demokracinë tonë nga përpjekjet për ndikim të huaj

De Kro: Duhet ta mbrojmë demokracinë tonë nga përpjekjet për ndikim të huaj

Bruksel, 17 prill 2024 (MIA) - Ekzistojnë akuza serioze se Rusia ka luajtur një rol aktiv në përpjekjet për të ndikuar në demokracinë tonë, tha sonte kryeministri belg dhe kryesues aktual i Këshillit të BE-së, Aleksandre De Kro gjatë mbërritjes në Samitin Special dyditor të Unionit në Bruksel.

"Duhet të jemi shumë të qartë për këtë, se përpjekjet si kjo janë të papranueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë tonë", tha De Kro.

Ai thekson se ky është samiti i fundit i BE-së para zgjedhjeve evropiane, ndaj Belgjika si kryesuese e Unionit u ka ofruar të gjithë liderëve informacione të inteligjencës për përpjekje të tilla dhe do të iniciojë kompetenca më të mëdha të Prokurorisë Publike Evropiane për të verifikuar këto informacione dhe trajtimin e fushatave të tilla.

Përveç përpjekjeve për ndikimin rus në procesin zgjedhor në BE, sipas De Kro, në Samit do të diskutohet edhe për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve me dron dhe raketa iraniane ndaj Izraelit fundjavën e kaluar.

"Ne i dënojmë qartë këto sulme. Janë të papranueshme. Ne do të diskutojmë gjithashtu sanksionet dhe qëndrimi im është që Garda Revolucionare iraniane duhet të shtohet në listën e të sanksionuarve. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i liderëve të tjerë", tha De Kro.

Sipas tij, vendosja e sanksioneve kundër Gardës Revolucionare iraniane do të dërgonte "një sinjal shumë të rëndësishëm".

"Kërkojmë qëndrueshmëri në reagime dhe do të përsërisim atë që kemi thënë që nga fillimi i konfliktit - të lirohen pengjet, të shpallet menjëherë armëpushimi dhe të dorëzohet ndihma humanitare që nevojitet dëshpërimisht në Gaza. Ka shumë viktima civile dhe dhuna duhet të ndalet", shtoi De Kro.

Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën gjithashtu do të vazhdojë, por se duhet të diskutohet se si të rritet dhe të përshpejtohet dërgimi i ndihmës në vend. sa/

Foto: EBS

QËNDRONI TË LIDHUR