• e enjte, 26 dhjetor 2024

Cili është kuptimi i saktë i termit gjenocid?

Cili është kuptimi i saktë i termit gjenocid?

3 nëntor 2023

Dojçe Vele- Bon

Termi gjenocid u përdor për herë të parë gjatë tmerreve të Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore. I referohet një përpjekjeje për të zhdukur një komb ose një grup të caktuar njerëzish.

Në vitin 1943, avokati polako-hebre Rafael Lemkin shpiku emrin për vrasjen sistematike të hebrenjve në Gjermaninë naziste. Lemkin humbi të gjithë anëtarët e familjes së tij në Holokaust, përveç vëllait të tij. Ai bëri fushatë për njohjen e gjenocidit si krim sipas ligjit ndërkombëtar, duke hapur rrugën për miratimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin në vitin 1948, e cila hyri në fuqi në vitin 1951.

Neni 2 i Konventës e përkufizon gjenocidin si një akt "i kryer me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar". Sipas përkufizimit të Kombeve të Bashkuara, krime të tilla përfshijnë: vrasjen e njerëzve, dëmtimin fizik ose psikologjik, përkeqësimin e kushteve të jetesës deri në rrezik për jetën, parandalimin e lindjes së fëmijëve dhe largimin me forcë të fëmijëve nga prindërit e atij grupi.

Kush mund të ndiqet penalisht?

Konventa e KB-së për gjenocidin thotë se çdokush mund të ndiqet penalisht dhe të dënohet për gjenocid, duke përfshirë edhe zyrtarët e zgjedhur të qeverisë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krimet e Luftës është e mandatuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Sipas statutit të asaj gjykate, kushdo që kryen, urdhëron, merr pjesë ose nxit gjenocid mund të ndiqet penalisht.

Ekziston edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila merret me mosmarrëveshjet ndërshtetërore dhe mund të vendosë nëse shtetet janë përgjegjëse për gjenocid.

Nuk është e lehtë të provosh gjenocidin

"Në jetën e përditshme, shumë njerëz e përdorin lirisht termin gjenocid për krimet më të mëdha dhe më të rënda, sepse ai tingëllon shumë më i fortë se termi krime lufte apo krime kundër njerëzimit," sqaron për DW, Valeri Gabard, eksperte për të drejtën ndërkombëtare në Hagë dhe bashkëthemeluese e konsulencës ligjore ”UpRights”. “Në kontekstin juridik, megjithatë, përkufizimi është shumë i ngushtë. Përcaktimi i gjenocidit nuk reflektohet në numrin e të vrarëve. Kriteri më i rëndësishëm është synimi për shfarosjen fizike dhe shkatërrimin e grupit”.

Ekspertët theksojnë se është e vështirë të vërtetohet ky synim, pasi shpesh mungojnë provat e drejtpërdrejta. "Problemi me vërtetimin e qëllimit gjenocidal është se autorët nuk kanë gjasa ta pranojnë atë drejtpërdrejt në gjykatë," shpjegon Uilliam Shabas, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Midëllseks në Londër dhe Universitetin Leiden në Holandë. “Gjykatat duhet të konkludojnë se ka pasur qëllim gjenocidal” nga sjellja e autorëve. Ata duhet të mbështeten në prova rrethanore dhe ato duhet të jenë jashtë çdo dyshimi. Kjo është ajo që gjenocidin e bën të vështirë për t'u provuar apo vërtetuar."

Procesimi i gjenocidit kërkon kohë

Valeri Gabbard ka punuar në Tribunalet Penale Ndërkombëtare për Kamboxhian, Ruandën dhe ish-Jugosllavinë. Ajo thekson se ndjekja apo procesimi penal i gjenocidit mund të zgjasë shumë kohë:

“Kur bëhet fjalë për gjenocidin, gjithmonë ka shumë viktima dhe kërkon shumë kohë për të hetuar krimet. Ne nuk duhet vetëm të provojmë qëllimin për të vrarë, por qëllimin për të vrarë njerëz sepse i përkasin një grupi të caktuar”.

A është ky gjenocid apo jo?

Në vitet e fundit, politikanët kanë përdorur shpesh termin gjenocid për të përshkruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, Mianmar, Siri dhe tani në Ukrainë. Pas mizorive të

kryera nga ushtarët rusë në Ukrainë, presidenti amerikan Xho Bajden akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për gjenocid në vitin 2022.

Një vit më parë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Holandës akuzuan Kinën për gjenocid kundër ujgurëve në Xinjiang. Disa vende të tjera kanë miratuar rezoluta parlamentare duke bërë të njëjtat akuza.

Ekspertët kujtojnë tre gjenocidet e njohura si të tilla nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës: në Ruandë, ku rreth 800,000 Tutsë dhe Houthë u vranë në gjenocidin e vitit 1994, në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale e shpalli si gjenocid për ish-Jugosllavinë, dhe krime të kryera nga Kmerët e Kuq në Kamboxhia në vitet 1970. Duke pasur parasysh se Kmerët e Kuq vranë shumë nga viktimat e tyre për shkak të statusit të tyre politik ose social, nuk ka konsensus nëse krimet në Kamboxhia, siç përcaktohet nga KB-ja, ishin në të vërtetë gjenocid.

Në vitin 2010, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për presidentin sudanez Omar al-Bashir, duke e akuzuar atë për një fushatë ushtarake kundër popullit të rajonit të Darfurit.

“Përkufizimi ligjor i gjenocidit zbatohet në çështjet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe në vendimet e Gjykatës së Ruandës. Ligji ekzistues tregon qartë se çfarë është gjenocidi”, thekson Shabas.

Por ka edhe përpjekje për të përdorur termin gjenocid për ngjarje që nuk plotësojnë përkufizimin ligjor të gjenocidit, qofshin këta ujgurët në Kinë apo lufta në Ukrainë.

Foto: piksabej

QËNDRONI TË LIDHUR