• e shtunë, 23 nëntor 2024

Cikloni Moka ka mbytur të paktën 400 njerëz në Mianmar

Cikloni Moka ka mbytur të paktën 400 njerëz në Mianmar

Jangon, 16 maj 2023 (MIA) - Cikloni Moka ka mbytur të paktën 400 persona në shtetin Rakhajn të Mianmarit dhe ka shkaktuar dëme serioze në pjesët perëndimore të vendit, tha për agjencinë gjermane të lajmeve DPA zëdhënësi i qeverisë opozitare të unitetit kombëtar në mërgim. 

Cikloni u shndërrua në uraganin më të fuqishëm që goditi rajonin në një dekadë dhe ndikimi i tij u ndje veçanërisht në Rakhajn, një shtet në bregun perëndimor të Mianmarit që është shtëpia e pakicës myslimane Rohinxhi të persekutuar nga junta ushtarake në pushtet. Sipas zëdhënësit, shumica e viktimave janë pjesë e këtij minoriteti.

Qeveria e Unitetit Kombëtar u formua pas grusht shtetit ushtarak në Mianmar në vitin 2021 si një alternativë ndaj juntës në pushtet. Ajo paralajmëroi njerëzit paraprakisht për afrimin e ciklonit dhe është aktive në organizimin e ndihmës ndërkombëtare për viktimat.

Cikloni tropikal arriti në brigjet e Mianmarit dhe Bangladeshit fqinj të dielën me erëra që arrinin shpejtësinë mbi 250 kilometra në orë në disa vende. Ende nuk është përcaktuar shkalla e plotë e dëmeve pas fatkeqësisë natyrore për shkak të ndërprerjes së shërbimeve të komunikimit në një numër të madh vendbanimesh. ls/

Foto: arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR