• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel: Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes

Borel: Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes

Bruksel, 2 maj 2023 (MIA) – Përfaqësuesi i lartë për Politikë të jashtme dhe siguri pranë Bashkimit Evropian (BE), Josep Borel sot, me rastin e Ditës Botërore të lirisë së mediave ka dënuar kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve.

“Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes dhe kjo e drejtë nënkupton të kesh lirinë e mendimit pa ndërhyrje, gjithashtu nënkupton kërkimin, pranimin dhe transmetimin e informacionit dhe ideve përmes çdo mediumi dhe pa dallim të kufijve”, tha Borel.

Një zyrtar i lartë evropian tha se "BE dënon të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mbështet punonjësit mediatik nën rrezik përmes misioneve lokale dhe përmes programeve të dedikuara, siç janë platforma Gazetarë të sigurt në Ballkanin Perëndimor, projekt për mbështetjen e medias së pavarur dhe liritë themelore në Kamboxhia dhe programin Qëndrueshmëria mediatike në Afganistan”, kumton Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAS).

Ndërsa ruajtja e mediave të lira, të pavarura dhe pluraliste është me rëndësi jetike për demokracitë e rezistueshme dhe të shëndetshme, liria e medias tani po vihet në pikëpyetje në shumicën e pjesëve të botës, shtohet në kumtesë.

Sipas EEAS, gazetarët, punonjësit mediatik dhe të gjithë ata që prezantojnë informacione të pavarura për publikun, hedhin dritë mbi shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe krimet dhe kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet, gjithnjë e më shumë po përballen me diskreditim, kërcënime dhe sulme.

Gazetarët në Ukrainë, Bjellorusi dhe Afganistan, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Amerikën Qendrore, fituesit e çmimit Nobel në Filipine dhe Rusi dhe shumë punonjës të tjerë të medias në mbarë botën, përfshirë Evropën, “vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë në kryerjen e profesionit të tyre”.

Gazetaret janë veçanërisht të rrezikuar nga kërcënimet, thekson EEAS, duke shtuar se gazetaret janë të ekspozuara ndaj stigmatizimit, gjuhës seksiste të urrejtjes, dhunës seksuale në bazë gjinore, madje edhe vrasje.

Sipas EEAS, rreth 73 për qind e gazetareve kanë përjetuar kërcënime onlajn, abuzime dhe ngacmime gjatë punës së tyre.

Njëherësh "po ndërtojmë kapacitete kritike për të kundërshtuar manipulimin e informacionit të huaj dhe të ndihmojmë qytetarët e Evropës të forcojnë rezistencën e tyre ndaj dezinformatave, manipulimit dhe propagandës, me iniciativa të tilla si platforma EUvsDisinfo dhe Observatori Evropian për mediat digjitale, "shton Boreli.

Mbrojtja dhe promovimi i lirisë së shtypit është një mision universal që nuk njeh kufij.

BE-ja do të mbetet e përkushtuar në angazhimin e qeverive, mediat dhe shoqërisë civile, si në forumet ndërkombëtare ashtu edhe në nivel lokal, për të marrë iniciativa dhe për të forcuar lirinë e medias në mbarë botën, nënvizon Boreli.

Dita Botërore e lirisë së medias shënohet nesër, 3 maj.

 

QËNDRONI TË LIDHUR