• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bora dhe erëra të forta bllokojnë qarkullimin në Bosnjë e Hercegovinë

Bora dhe erëra të forta bllokojnë qarkullimin në Bosnjë e Hercegovinë

Sarajevë, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Komunikacioni në BeH është ende në ndërprerje në disa akse rrugore për shkak të sasisë së madhe të borës, ndërsa era e fortë paraqet problem shtesë.

Në këto rrugë është ndërprerë plotësisht qarkullimi për të gjitha kategoritë e automjeteve: Glamoç-Mlinishte, Bosansko Grahovo-Dërvar-Bosanski Petrovec, Dërvar-Glamoç, Sanski Most-Kluç, Kupres-Novo Selo, Kotor Varosh-Tesliq (Borja), Banja Llukë-Knezhevë dhe Bihaq-Bosanski Petrovec-Kluç.

Për automjetet mbi 10 tonë, si dhe për kamionët me rimorkio dhe kamionë transportues, është ndaluar qarkullimi përmes vendkalimit Karaulë në rrugën Olovë-Kladanj.

BeHAMK informon se në autostradën "9 Janari", si dhe në rrugët magjistrale dhe rajonale në Republikën Sërpska, vazhdon ndalesa për automjete të rënda transportuese.

Bora vazhdon të vështirësojë qarkullimin në pjesën më të madhe të Bosnjës, ndërsa në Hercegovinë rrugët janë pjesërisht të lagështa. Paralajmërohet, veçanërisht përmes pjesëve nëpër vendkalime malore, ku në rrugë ka borë të madhe, përdorim i detyrueshëm i zinxhirëve për automjetet transportuese.

"Probleme shtesë shkakton era e fortë. Për shkak të peshës së borës, pemët shpesh bien në rrugë. Këshillohen që shoferët të mos dalin në rrugë pa nevojë urgjente dhe nëse duhet patjetër të udhëtojnë, të mbajnë pajisje të përshtatshme dimërore", thekson BeHAMK.

Për shkak të kushteve të dimrit, është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në vendkalimin kufitar, Izaçiq. Në vendkalimet tjera kufitare nuk ka ndalesa më të gjata për automjetet.

Me rastin e Krishtlindjeve Katolike, deri në mesnatë është ndaluar transportimi i lëndëve shpërthyese në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR