• e shtunë, 23 nëntor 2024

Besimi: Realizimi i shpenzimeve kapitale deri më tani është për 136 për qind më i lartë se vitin e kaluar

Besimi: Realizimi i shpenzimeve kapitale deri më tani është për 136 për qind më i lartë se vitin e kaluar

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Shpenzimet kapitale deri më 11 shtator janë realizuar në vlerë prej 26 miliardë denarë ose që është një rritje prej 136 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Vazhdimisht po punohet në rritjen e shumës për shpenzime kapitale në buxhet, por edhe në përmirësimin e realizimit të tyre, për shkak të efektit të tyre shumëfishues në ekonomi, theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi.

I ftuar në “Ditari” të servisit kombëtar RTMV-së, Besimi theksoi se ridrejtimi i një pjese të mjeteve nga shpenzimet kapitale me rishpërndarjen në Buxhet, për rritjen e pagave në sektorin publik dhe pensioneve, është nga projektet ku dinamika e realizimit e lejon këtë, si dhe se kursime të konsiderueshme me rishpërndarjen bëhen edhe në zërin e mallrave dhe shërbimeve.

Ministri theksoi se në vitet e fundit janë futur disa mekanizma për përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale nga ana e institucioneve. Një prej tyre është mekanizimi KAPEF, me të cilin vendosen objektiva tre mujore dhe nëse realizimi dështon, institucioneve u rezervohen fondet për kapitalin që nuk e kanë shfrytëzuar.

"Duhet theksuar se gjatë rishpërndarjes së buxhetit zërat e projekteve individuale reduktohen sipas dinamikës së realizimit. Këto janë kryesisht fonde nga programet e zhvillimit përmes kreditorëve të huaj. Nëse në fund të vitit dinamika e zbatimit përshpejtohet, fondet do të tërhiqen", theksoi ministri i Financave.

Ai gjithashtu thekson se në tremujorin e fundit të vitit, si çdo vit, pritet një përshpejtim i realizimit të shpenzimeve kapitale.

Me rishpërndarjen e mjeteve në Buxhet janë paraparë 4,25 miliardë denarë për rritje të pagave për 10 për qind dhe për K-15 nga 10.000 denarë për 106.000 të punësuar në sektorin publik. Gjithashtu, 3,5 miliardë denarë janë siguruar për rritje të re të pensioneve për 336.000 pensionistë.

Ministri i Financave Besimi theksoi se në buxhet janë bërë kursime të konsiderueshme në zërin e mallrave dhe shërbimeve, por kjo mund të mos reflektohet në shifrën përfundimtare për shkak të rritjes së mjeteve për blerjen e barnave dhe librave. ls/ 

Foto: Ministria e Financave

 

QËNDRONI TË LIDHUR