• e shtunë, 23 nëntor 2024

Berisha: Reagimi i Pendarovskit ishte një deklaratë e nxituar që lëndon

Berisha: Reagimi i Pendarovskit ishte një deklaratë e nxituar që lëndon

Tiranë, 14 gusht 2023 (MIA) - Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, lider aktual i krahut më të madh të Partisë Demokratike opozitare, ka analizuar sot vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe reagimet që pasuan edhe nga Shkupi zyrtar, raportojnë mediat shqiptare.

Reagimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Berisha e cilëson të nxituar dhe lëndues.

"Përplasjet protokollare të padobishme të kësaj vizite me autoritetet zyrtare maqedonase kanë zanafillë rreshtimin antihistorik të Shkupit dhe Tiranës zyrtare në një aleance trilaterale me Beogradin në projektin serborus të Ballkanit të Hapur me të cilin Kurti nuk u pajtua dhe ka meritën e padiskutueshme të kundërshtimit të tij dhe mbështetjes në vend të tij të procesit të Berlinit. Mendoj se vazhdimi i mbështetjes së Ballkanit të Hapur është vazhdimësi e ndarjes së mëtejshme që solli projekti serborus i Ballkanit të Hapur dhe duhet të konsiderohet seriozisht nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, sepse viktimat kryesore të serbizmit të madh në rajon do të ishin shqiptarët dhe maqedonasit", beson Berisha.

Ai shton se emërtimi i rrugës Adem Demaçi në Çair është nder për Shkupin, Maqedoninë e Veriut dhe për mbarë rajonin.

"Mirëpo ajo që më lendoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Europës, tribunit të lirisë, lauratit të Çmimit Saharov të Parlamentit Europian. Reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj ketij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim", thekson Berisha.

Sipas tij, vizita e Kurtit është shumë e rëndësishme për rolin pozitiv të faktorit shqiptar, duke mbajtur marrëdhënie të hapura pavarësisht preferencave dhe orientimeve partiake me të gjitha forcat politike shqiptare në rajon dhe shmangien e “thellimit të procesit të ndarjes që Edi Rama, sapo erdhi në pushtet e nisi me forcat politike në Kosovë dhe më pas vazhdoi në Maqedoninë e Veriut”. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR